Leli: Në shërbim të qytetarëve pavarësisht bindjeve politike

Shqipëria

Leli: Në shërbim të qytetarëve pavarësisht bindjeve politike

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 23:40

Kreu i ri i Bashkisë së Vlorës deklaroi sot pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve se, fitorja e tij në këto zgjedhje është fitore e vlonjateve dhe e Vlorës.

Teksa shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata që e besuan, Dritan Leli theksoi se do të jetë në shërbim të qytetarëve pavarësisht bindjeve politike.

"Në respekt të institucioneve kam heshtur në pritje të momentit të sotëm kur KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve. Kjo fitore nuk është e imja, por është fitore e Vlores dhe e vlonjatëve për të ardhmen e tyre. Është vetëm fillimi i një stine të re të qytetit tonë.

Doja të shprehja edhe njëherë mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që besuan te unë, që besuan dhe mbështetën ASHE.

Unë hyra në këtë fushatë qytetarisht dhe dëshiroj të siguroj të gjithë bashkëqytetarët e mi se kështu do të mbetem deri në ditën e fundit të punës, do të jem qytetari i parë i Vlorës në shërbim të të gjithëve, pavarësisht përkatësisë politike.

Doja të falënderoja edhe aleancën opozitare, që së bashku bëmë të mundur një fushatë zgjedhore, një votim dhe numërim shumë civil e të emancipuar, një shembull që uroj të jetë gjithnjë dhe në të ardhmen. Falënderoj dhe ata që nuk më votuan dhe i siguroj se vitet e ardhshme të punës sime në krye të Bashkisë së Vlorës do t'u dëshmoj të kundërtën.

Tani nis sfida e vërtetë. Shumë punë na presin. Shumë vështirësi do të duhet të kalojmë, por me përkushtimin dhe dashurinë për Vlorën tonë do t'i kthejmë faqen këtij realiteti e do të nisim të ndërtojmë qytetin e së ardhmes, Vlorën e fëmijëve dhe nipërve tanë, të cilët një ditë do të na kujtojnë dhe do të thonë me krenari: ATY NISI!", ka thënë Leli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat