Kriza greke, Banka e Shqipërisë i ndalon filialet greke të transferojnë para jashtë

Shqipëria

Kriza greke, Banka e Shqipërisë i ndalon filialet greke të transferojnë para jashtë

Më: 2 korrik 2015 Në ora: 10:11

Kriza greke nuk ka asnjë efekt në sistemin bankar në Shqipëri, por mund të godasë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Deklarata është bërë pasditen e sotme nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko i cili foli për krizën greke dhe efektet që mund të ketë në Shqipëri.

Deklarata u bë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

"Ne jemi duke bërë të gjithë llogaritjet e mundshme, skenarët pozitivë dhe negativë. Ky është një element që mund të ndikojë, por për momentin ne jemi në përputhje të plotë me FMN-në dhe qeverinë shqiptare për rritjen ekonomike. Ka një korrektim për poshtë, pa nuk do të jetë në nivelin 3 %, ka një korrektim jemi duke e studiuar. Kjo është. Gjithsesi rritja ekonomike parashikohet këtë vit, në rast se nuk do ndodhë një skenar ekstremisht negativ në Greqi, mbetemi në të njëjtin konkluzion që rritja ekonomike në vitin 2015 do të jetë më e lartë se sa rritja ekonomike në vitin 2014," tha Sejko.

Por, pavarësisht ngadalësimit t ë ekonomisë, Këshilli Mbikëqyrës ka garantuar publikun se në sistemin bankar vendas, kriza greke nuk ka asnjë efekt. Sipas guvernatorit, sistemi bankar do të qëndrojë i paprekur edhe në rastet e skenarëve më ekstremë të krizës greke.

Megjithatë, ai deklaroi se Banka e Shqipërisë është e gatshme për çdo situate dhe ka marrë masat e duhura, duke kufizuar çdo lloj transferimi kapitali të filialeve greke që operojnë në Shqipëri, në drejtim të bankave mëmë.

"Pavarësisht nga kjo, Banka e Shqipërisë ka marrë masa së fundmi. Ne kemi lëshuar një urdhër nëpërmjet të cilit ne kemi kufizuar çdo lloj transferimi kapitali ose likuiditeti në drejtim të mëmave të tyre. Praktikisht bashkëpunimi me bankat shqiptare me kapital grek ka qenë perfekt. Ne i kemi monitoruar në vazhdimësi dhe nuk kemi pasur asnjë lloj transferimi të kapitalit ndaj mëmave. Kjo ka qenë masa kryesore që ne kemi marrë, ndërsa aktiviteti i tyre vazhdon në mënyrë normale," tha guvernatori i BSH-së Genti Sejko.

Bankat me kapital grek përbëjnë 15% të totalit të sistemit bankar shqiptar, krahasuar me 25% në fund të vitit 2008. Këshilli Mbikëqyrës thekson se vendimet e autoriteteve greke për kontrollin e lëvizjeve të kapitalit dhe për ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit bankar në Greqi, nuk ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë aktivitetin e sistemit bankar në Shqipëri, përfshirë dhe bankat e licencuara me kapital grek. Këto të fundit janë entitete shqiptare, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, rregullues dhe atë mbikëqyrës, që zbatohet në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat