Përurohet fabrika gjermane në Vaqarr; Klosi: Nxit punësimin e të rinjve me arsim profesional

Shqipëria

Përurohet fabrika gjermane në Vaqarr; Klosi: Nxit punësimin e të rinjve me arsim profesional

Më: 1 korrik 2015 Në ora: 14:09

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi dhe kryebashkiaku i sapozgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj, përuruan sot fabrikën gjermane “Forschner” , në Vaqarr, ku do të hapen vende të reja pune.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij tha se “qeveria e Kryeministrit Rama me programin e saj qeveritar ka një kapitull të veçantë dhe një nga objektivat e saj kryesore hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, objektiv që ne po kërkojmë ta realizojmë në çdo moment dhe ky investim i juaji është nga ato investime që mbështetet drejpërdrejtë nga programi qeveritar”.

Në zbatim të praktikave gjermane, Blendi Klosi nënvizoi mbështetjen ndaj shtimit të vendeve të punës në fushën e arsimit profesional.

“Vitin e kaluar kemi arritur që 30% e praktikës së arsimit profesional të bëhet pranë institucioneve e ndërmarrjeve. Ajo çfarë synojmë në vitet e ardhshme është që të kemi një barazim të praktikës së zhvilluar në shkollë dhe praktikës së zhvilluar pranë ndërrmarrjeve”.

Ai theksoi se modele të tilla do të mund të shërbejnë për investime dhe vende të reja pune.

Ndërsa për kryetarin e sapozgjedhur të Tiranës, Erion Veliaj, kontekstet mbi të cilat po zhvillohen investimet në Shqipëri tregojnë për situatën pozitive në të cilën Tirana po përfshihet për hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ju keni një slogan shumë të bukur dhe besoj se zgjedhja e Tiranës dhe këtij stafi të mrekullueshëm do të thotë që ju dini të investoni. Kjo është një javë e mrekullueshme e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermaninë. Dje u hap “Tirana Business Park”, ndërsa javës që vjen do të kemi vizitën e kancelares Merkel, që do të jetë një forum ekonomik. Unë besoj që Tirana është pararojë e hapjes së biznesit ndaj Gjermanisë”.

Veliaj në përfundim të fjalës tha se suksesi do të mund të arrihet vetëm me përgjegjësi gjermane dhe korrektësi në punë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat