Berisha: Deklarata e Ramës për Maqedoninë ishte e gabuar

Shqipëria

Berisha: Deklarata e Ramës për Maqedoninë ishte e gabuar

Më: 30 maj 2015 Në ora: 15:20

Ish kryeministri Sali Berisha e cilëson tepër të gabuar qëndrimin e Tiranës Zyrtare lidhur me Maqedoninë. Në një intervistë Berisha e quan jashtëzakonisht të gabuar dhe pa takt deklaratën e Edi Ramës në lidhje me te ardhmen e Maqedonisë në NATO, por mbi të gjitha edhe qasjen ndaj Kumanovës si dhe liderëve shqiptarë të Maqedonisë. Sipas Berishës, Rama duhet të kishte reaguar me mjete të tjera diplomatike pas ngjarjeve në Kumanovë.

“Ishte e gabuar, qartësisht e gabuar, ndërhyrja e tij për Maqedoninë. Zhvillimet në Kumanovë ishin shumë revoltuese, por mesazhi i Ramës pas një jave, sepse ditët e para pothuaj nuk reagoi fare, që Maqedonia të harrojë NATO-n, tregoi se ai nuk është kurrkund. Ai nuk njeh as NATO-n dhe as Maqedoninë. Maqedonia është një moment shumë kritik. Shqipëria duhet të lobojë fuqishëm, dhe të gjithë fqinjët, që SHBA dhe BE, që kanë firmosur marrëveshjen e Ohrit, të ulen me palët, dhe pastaj të gjithë të tjerët, të japin një kontribut sepse situata është absolutisht kritike”, deklaroi Sali Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë.

Berisha shprehur rezerva të mëdha edhe për takimin që Rama zhvilloi në Pogradec me liderët shqiptarë në Maqedoni. Takimi, sipas Berishës, ishte i dështuar dhe me zero zgjidhje. Ata nuk janë ushtarë për t’u kërkuar llogari - tha Berisha,- duke i sugjeruar Tiranës që të jetë më interaktive me krerët shqiptarë të Maqedonisë, për të kontribuar më shumë.

“Ishte shumë i gabuar veprimi i Ramës ndaj Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Nuk janë ushtarë ata, të Tiranës, ata janë udhëheqës politikë të shqiptarëve të Maqedoninë, me gjithë plus-minuset si çdo politikanë tjetër. Nuk thirren ata për të dështuar në Pogradec, takimi. Ata thirren pasi të parapërgatitet mirë takimi. Tirana i thërret sigurisht, për të kontribuar, por jo në atë mënyrë, diletanteske. Këta që pretenduan për “zero probleme me fqinjët”, këta faktikisht bënë zero zgjidhje, dhe nëse ka një parim artificial, për të mos e thënë anti-kombëtar, është ky”, tha Sali Berisha, ish kryeministër.

Berisha megjithatë, i njohu meritat Ramës, për pritjen e Vuçiqit gjatë samitit të organizuar në Tiranë. Berisha tha se e konsideronte vizitën si akt të mirë, pavarësisht se nuk u vendosë ndonjë përmbajtje në të ardhmen. Megjithatë, ai përshëndeti dakordësinë që palët të mbajnë qëndrimet e veta, një pajtim ky që duhej të ishte arritur para skandaleve në Beograd./Alsat

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat