Veliaj: Më shumë parqe dhe hapësira të lira për qytetarët

Shqipëria

Veliaj: Më shumë parqe dhe hapësira të lira për qytetarët

Më: 26 maj 2015 Në ora: 08:43

Rehabilitim dhe gjelbërim i hapësirave publike që janë çliruar nga ndërtimet pa leje në dy vitet e fundit në Tiranë. Këtë ka premtuar dje Erion Veliaj, kandidati i majtë për Bashkinë e kryeqytetit, teksa prezantoi për publikun programin e tij për hapësirat e gjelbra, i cili synon më shumë parqe në Tiranë.

Veliaj tha se do të rigjenerohen dhe transformohen edhe ish-zonat industriale të Tiranës, si dhe hapësirat brenda blloqeve të banimit, shoqëruar edhe me pastrimin nga mbetjet të lumenjve. Në takimin e zhvilluar në ambientet e Kopshtit Botanik, Veliaj tha se Tirana ka nevojë urgjente për hapësira të reja të gjelbra, sepse është sot një nga qytetet më të ndotura të Europës. Sipas tij, vetëm falë punës së IKMT, këto dy vite u çliruan 6 mijë metra katror hapësira publike të zëna, që do të kthehen në hapësira të gjelbra.

“Do të lirojmë të gjitha territoret e zëna, sepse ky nuk mund të jetë një qytet që aplikon ligjin e xhunglës”, – theksoi Veliaj. Lidhur me rigjenerimin dhe transformimin e ish-zonave industriale të Tiranës, Veliaj sqaroi se janë identifikuar disa të tilla, që nga ish-uzinat e deri te ish-fabrikat që aktualisht janë në gjendje të rrënuar dhe nuk kryejnë asnjë funksion. “Nuk ka asnjë arsye pse në këto hapësira, sidomos në disa lagje periferike të Tiranës, të mos i kthejmë në parqe rikrijuese ose në inkubatorë biznesi, e ku mund të rehabilitohen ndërtesat ekzistuese”, – deklaroi Veliaj.

Një tjetër pikë e ofertës së tij për ambientalistët dhe shoqërinë civile është zbatimi i projektit “Fasadat e Gjelbra”, i cili ka për qëllim krijimin e hapësirave të gjelbra vertikale. Më tej Veliaj tha se do të identifikohen dhe shndërrohen hapësirat potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbra, në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës. Duke sjellë në vëmendje se territori i Tiranës është sot 24 herë më i madh, ai u zotua për të pastruar nga mbetjet të gjithë lumenjtë e bashkisë përgjatë gjithë territorit të saj. Krahas pesë pikave të prezantuara, kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës sqaroi dhe 5 projektet madhore të kryeqytetit, që do të shërbejnë për shtimin e hapësirave të gjelbra dhe parqeve; si bulevardi i ri, parku qendror, parku olimpik dhe ai i Liqenit Artificial, parku i liqenit të Kasharit, apo edhe Kopshti Zoologjik.

5 pikat e kontratës për hapësirat e gjelbra:

Rehabilitim dhe gjelbërim i 6000 m2 hapësira publike të çliruara nga ndërtimet informale gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë;
Rigjenerim dhe transformim i ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbra dhe në shërbim të komunitetit;
Aplikim i projektit “Fasadat e Gjelbra” me qëllim krijimin e hapësirave të gjelbra vertikale;
Identifikim dhe shndërrim i hapësirave potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbra, në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës;
Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Bashkisë së Tiranës përgjatë gjithë rrjedhës së tyre

5 projektet e mëdha për Tiranën:

Bulevardi i ri i Tiranës
Parku i Integruar i Liqenit dhe Parku Olimpik i Tiranës
Kopshti Zoologjik
Parku i Besimit
Parku i Liqenit të Kasharit dhe Liqenet e Tiranës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat