PDIU hap fushatën, i pranishëm edhe Veliaj

Shqipëria

PDIU hap fushatën, i pranishëm edhe Veliaj

Më: 23 maj 2015 Në ora: 20:05

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Erion Veliaj përshëndeti hapjen e fushatës së PDIU-së, ku deklaroi se mazhoranca është sot krenare që ka në Kuvend një nënkryetar si Shpëtim Idrizi.

“Jam shumë krenar sot, që Parlamenti i Shqipërisë ka sot një nënkryetar si Shpëtim Idrizi. Ka disa njerëz që thonë se çmimi që ne duhet të paguajmë për të hyrë në Europë është se duhet të mos flasim për vendin tonë, ka disa që thonë se po të flasim për Çamërinë i prishim punë Perëndimit, por unë them që duhet të jemi patriotë për Shqipërinë dhe Çamërinë. Ne jemi krenarë që jemi patriotë, që duam Shqipërinë dhe kjo na bën më shumë, jo më pak europianë”- tha Veliaj.

Veliaj kërkoi votën për koalicionin e mazhorancës, jo për propagandë e populizëm, siç tha ai, por për të kryer punë konkrete. Ai përmendi një sërë bashkëpunimesh me PDIU-në, ku u ndal veçanërisht tek marrëveshjet për njohjen e pensioneve.

Kandidati i ASHE premtoi emërtimin e një sheshi “Çamëria” dhe kërkoi që në këto katër javë fushate, të punohet maksimalisht për të siguruar fitoren e mazhorancës, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Patos, Rrogozhinë, Konispol e Peqin, ku ASHE kandidon me emrat e propozuar nga PDIU sipas marrëveshjes së arritur mes dy partive./Top Channel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat