Qytetarja e pastrehë letër Ramës, ja çfarë i shkruan

Shqipëria

Qytetarja e pastrehë letër Ramës, ja çfarë i shkruan

Më: 22 maj 2015 Në ora: 20:41

Sadete Osmani, është një nga aplikueset dhe përfituese për banesat sociale në Tiranë. Ajo i ka dërguar një letër kryeministrit Rama, ku thotë se duhet të udhëzojë kreun e majtë të Këshillit bashkiak të miratojë dhënien e banesave sociale.

Midis të tjerave ajo shkruan: “Në qoftë se Këshilli Bashkiak nuk mblidhet deri në datën 21 Maj, kur është dhe afati i fundit para zgjedhjeve vendore, qoftë edhe për ato raste të veçanta, unë nuk pres më, nuk kam kohë të pres, jam 71 vjeçe e sëmurë me problem psikologjike, nga kjo dramë e madhe që po përjetojmë padrejtësisht, unë do vete të hap një hyrje dhe do hyj brenda se më takon dhe le të vijë policia të futi në burg, se nuk më mbeti dhe nuk më latë zgjidhje tjetër. Edhe një herë të lutem jepi zgjidhje problemit tim pas 36 vjetësh, ose do ta zgjidh me vetëgjyqësi, i kam marrë parasysh pasojat, se nuk kam ç’të humbas. Pres përgjigje dhe sidomos zgjidhje”.

Këtë letër Kryeministria ia ka adresuar për zgjidhje Bashkisë së Tiranës. Nga ana e saj Bashkia e kryeqytetit thotë se një vit më parë janë marrë në dorëzim banesat sociale të përfunduara.

Në muajin mars 2015, Këshilli bashkiak u mblodh për miratimin e listës së përfituesve për 177 familje që plotësonin kriteret për strehim.

Këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim refuzuan t’i miratonin, duke shtyrë mbledhjen.

Që prej asaj dite, thekson Bashkia, “kemi kërkuar vazhdimisht mbledhjen e Këshillit Bashkiak për miratimin e listës, e cila sot ka 205 familje. Deri tani ka pasur heshtje nga ana e Këshillit Bashkiak”.

Në fund, Bashkia në emër të familjarëve që presin të marrin banesa sociale, i kërkon Ramës të lejojë këshilltarët e majtë të miratojnë listët e përfituesve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat