Zgjidhen 5 anëtarët e Këshillit të Prokurorisë

Shqipëria

Zgjidhen 5 anëtarët e Këshillit të Prokurorisë

Më: 22 maj 2015 Në ora: 16:25

Janë zgjedhur sot pesë anëtarët e rinj të Këshillit të Përgjithshëm të Prokurorisë.

Pas një gare të fortë kandidatësh, trupa e prokurorëve e përbërë nga 287 prokurorë, përzgjodhi nëpërmjet një votimi të fshehtë për Arben Dollapajn, Dritan Peka, Irma Balli, Gentian Osmani dhe Ramadan Troci.

Këshilli i Prokurorisë organizon konkursin për kandidatët për prokurorë dhe të atyre që do të ngrihen në detyrë, shqyrton vlerësimin e punës, si dhe jep mendim për shkelje disiplinore të kryera nga prokurorët, për të cilat Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin nga detyra.

Këshilli i Prokurorisë ka funksion këshillimor dhe ia paraqet në çdo rast mendimin e vet Prokurorit të Përgjithshëm. Këshilli i Prokurorisë përbëhet nga shtatë anëtarë: një përfaqësues i Presidentit, një përfaqësues i Ministrit të Drejtësisë si dhe pesë prokurorë.

Në fjalën e tij, kryeprokurori Adriatik Llalla theksoi se që prej ardhjes së tij në këtë detyrë, vetëm dy prokurorë janë vënë nën hetim për çështje korruptive apo fshehje të pasurisë.

“Qytetarët kanë shqetësim se në shumë raste nuk gjejnë zgjidhjen e duhur në dyert e prokurorisë. Madje, ka raste ku pretendojnë se përfundimi i hetimeve nga prokurorë të ndryshëm bazohet në vlera financiare të dhëna në formë ryshfeti. E ritheksoj, personalisht jam i prirur të flas vetëm në bazë të fakteve. Por, në këtë periudhë që po drejtoj Prokurorinë Shqiptare, janë nën hetim ose gjykim vetëm dy prokurorë për çështje korrupsioni ose fshehje pasurie. Dhe, duhet të pranojnë të gjithë bashkë se ky nuk është realiteti. Qytetarët flasin dhe ata duhet të dëgjohen me forcë. Për publikun, në Prokurorinë Shqiptare ka shumë të tjerë që janë përfshirë në veprime korruptive. Ne duhet të dëshmojmë se jemi në krahun e publikut, në çdo rast”, u shpreh Adriatik Llalla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat