Firmoset marrëveshja për Sigurimet Shoqërore me Kanadanë

Shqipëria

Firmoset marrëveshja për Sigurimet Shoqërore me Kanadanë

Më: 28 prill 2015 Në ora: 14:42

Marrëveshja e Sigurimeve Shoqërore, e cila do t’u vijë në ndihmë shqiptarëve të shumtë që jetojnë dhe punojnë në Kanada, u finalizua me nënshkrimin e saj nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologu i tij Rob Nicholson.

Gjatë takimit me homologun e tij në Kanada, Bushati vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-kanadeze dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e plotë që Kanadaja ka dhënë ndër vite për integrimin euro-atlantik të Shqipërisë, asistencën ushtarake, dhe financimin e projekteve të ndryshme në Shqipëri.

Ministri Bushati vlerësoi si tepër të rëndësishme rritjen e prezencës se kompanive kanadeze në Shqipëri dhe evidentoi faktin që Kanadaja është investitori i parë në vend. Kjo gjë krijon nevojën për të strukturuar më tej marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet instrumenteve ligjorë të përditësuar në fushën e taksimit të dyfishtë dhe mbrojtjes së investimeve.

Nicholson rikonfirmoi vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të dialogut politik të nivelit të lartë mes dy vendeve tona si dhe shprehu angazhimin për forcimin e bashkëpunimit politiko-diplomatik, kryesisht përmes nxitjes së kontakteve në të gjitha nivelet e bashkëpunimit dypalësh.

Ministrat u angazhuan të çojnë përpara bashkëpunimin e shkëlqyer për çështjet e sigurisë, adresimin e krizave globale, luftën kundër terrorizmit dhe dhunës ekstreme si dhe shkëmbyen pikëpamje në kuadër të diskutimeve të pritshme gjatë Ministerialit të NATO-s në muajin maj.

Në takimin me Kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit Kanadez, Andrew Scheer, dhe me grupin e Miqësisë Kanada-Shqipëri, u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin parlamentar si një shtyllë kryesore e bashkëpunimit dypalësh. Gjithashtu, Ministri Bushati përgëzoi Grupin e Miqësisë Kanada-Shqipëri për lobimin e tyre në favor të tërheqjes së investimeve kanadeze në drejtim të Shqipërisë në fusha të ndryshme, si dhe rritjes se informacionit për vendin tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat