Ligji i FA, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Presidentit

Shqipëria

Ligji i FA, Kushtetuesja pranon pjesërisht kërkesën e Presidentit

Më: 21 prill 2015 Në ora: 16:23

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e disa nenve të ligjit për Forcat e Armatosura.

Presidenti e kishte kthyer ligjin për rishikim në Parlament, ku ai kaloi gjithsesi me 80 vota pak ditë më parë.

Por cilat janë nenet që kërkoi Presidenti të shfuqizohet dhe përse?

Sikurse është argumentuar nga vetë Presidenti:

“Së pari, një nga ndryshimet kryesore është kalimi i kompetencave për miratimin e strukturës organizative dhe planit të përhapjes dhe vendosjes të Forcave të Armatosura nga Presidenti tek Kryeministri.

Ky ndryshim mbrohet nga propozuesit e ligjit me arsyetimin se: “përcaktimi i strukturës së FA-ve, ashtu dhe përcaktimi i planit të përhapjes, që ka të bëjë me administrimin e pronave të FA-ve, janë më tepër çështje të ekzekutivit sesa të Presidencës. De facto dhe de jure, buxhetin e shtetit, punonjësit e administratës shtetërore (ku përfshihen dhe Forcat e Armatosura) si dhe pronat e shtetit i menaxhon Këshilli i Ministrave drejtpërdrejt, si dhe nëpërmjet ministrive apo strukturave të veçanta në varësi të tij”. “duke qenë se planifikimi i një strukture dhe i një plani përhapjeje kërkon të mbahen parasysh elemente të tilla si numri limit i punonjësve buxhetorë, shpenzimet financiare që kërkohen si dhe pronat e asetet e ndryshme në dispozicion, është menduar se zgjidhja më e drejtë dhe efektive është kalimi i kësaj kompetence te Kryeministri”.

Ky arsyetim nuk mund të qëndrojë pasi Kushtetuta shprehet qartë në nenin 169 pika 1, se “Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes”. Drejtimi i Forcave të Armatosura nënkupton, përveç të tjerash, mundësinë e përcaktimit të strukturës së FA dhe planit të përhapjes së tyre. Nëse kjo kompetencë ushtrohet nga Kryeministri, në çfarë mënyre do të ushtronte drejtimin e Forcave të Armatosura, Presidenti i Republikës?

Për sa më sipër, parashikimet e nenit 12 pika d dhe dh të ligjit nr. 64/2014 nuk janë në përputhje me Kushtetutën.

Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes mund të rezervojnë të drejtën e propozimit të strukturës së FA apo planit të përhapjes së tyre por kurrsesi nuk mund të ushtrojnë kompetenca tej atyre që parashikon Kushtetuta.

Së dyti, kufizimi i kompetencave të Presidentit të Republikës lidhur me emërimet, lirimet e ushtarakëve me grada madhore (gjeneralët) nuk është i justifikuar.

Në relacionin e projektligjit, pretendohet se kalimi i kompetencave lidhur me emërimet apo shkarkimet e oficerëve me grada madhore, të cilat i përkasin Presidentit të Republikës, do të sjellë “më shumë frytshmëri në menaxhimin e karrierës së gjeneralëve, si dhe do të rritë demokratizimin e këtij procesi sa delikat aq dhe të rëndësishëm të drejtimit të FA-ve”. Ky pretendim është i pabazuar pasi procesi deri më tani ka qenë shumë transparent dhe demokratik duke filluar nga propozimi i Ministrit të Mbrojtjes dhe miratimi i Presidentit të Republikës.

Kalimi i këtyre kompetencave tek Kryeministri nuk i shërben demokratizimit të procesit dhe është në kundërshtim me parimin e kontroll-balancës, duke marrë në konsideratë varësinë e Ministrit të Mbrojtjes nga Kryeministri.

Së treti, vihet re se ligji i ri ka suprimuar disa parashikime ligjore lidhur me kompetencat e Presidentit të Republikës për të:

– Urdhëruar fillimin e veprimeve luftarake, kur shkelet integriteti i hapësirave tokësore, ajrore e detare të Republikës së Shqipërisë;

– Urdhëruar vendosjen e shkallëve të ndryshme të gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme;

– Urdhëruar lëvizjen, rivendosjen dhe përdorimin e Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.

Mungesa e këtyre parashikimeve krijon vakum ligjor për veprimtarinë e Forcave të Armatosura kur shkelet integriteti i Republikës së Shqipërisë apo në kushtet e masave të jashtëzakonshme.

Së fundmi, ky ligj përveçse kufizon ndjeshëm kompetencat e Presidentit si Komandant i FA, nuk parashikon shprehimisht detyrimin e Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes që të jenë përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e FA në kohë paqeje.

Për sa më sipër, ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, nuk janë aspak të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat