Vuçiç në maj vjen në Shqipëri

Shqipëria

Vuçiç në maj vjen në Shqipëri

Më: 21 prill 2015 Në ora: 13:25

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nisi takimin në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç. Ky takim bilateral zhvillohet me ndërmjetësimin e komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn. Në fokus të takimit janë një sërë marrëveshjesh bashkëpunuese mes dy vendeve në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Biseda mes dy kryeministrave u përqendrua në projektet e përbashkëta të vendeve të Ballkanit perëndimor, të cilat do të paraqiten në takimin e sotëm mes drejtuesve të këtyre vendeve dhe zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian.

Projektet më konkrete për të cilat dy kryeministrat dhanë mbështetjen e tyre të plotë ishin autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, hekurudha që do të lidhë Beogradin me Budapestin dhe autostrada Adriatiko Joniane që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe Kroacinë në veri dhe Greqinë në jug të vendit tonë.

Kryeministri Rama theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tejet të rëndësishme për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik e social të Ballkanit dhe Europës në tërësi.

"Serbia dhe Shqipëria duhet të shohin përpara", theksoi Rama, "duke bërë së bashku për Ballkanin atë që Gjermania dhe Franca bënë pas luftës së dytë botërore për Europën. Është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë se Ballkani ka nevojë për Bashkimin Europian po aq sa BE-ja ka nevojë për Ballkanin".

Kryeministri Vuçiç shprehu mbështetjen e qeverisë serbe për projektet në fjalë dhe theksoi se "Bashkimi Europian duhet të kuptojë dhe mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se mbështetja projekteve në fjalë do të nxisin ekonominë e të dyja vendeve.

Kryeministri serb konfirmoi vizitën e tij në Shqipëri në fund të muajit maj ku do të marrë pjesë në konferencën e SECP-it që do të zhvillohet në Tiranë.

Shefi i qeverisë shqiptare ka pasur një mëngjes pune me homologun nga Kosova, Isa Mustafën dhe zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçi.

Gjatë takimit, është diskutuar për projektet e përbashkëta mes dy vendeve dhe projektet nga të cilat Shqipëria dhe Kosova do të përfitojnë si rezultat i procesit të nisur në Berlin, nën udhëheqjen e kancelares Angela Merkel.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat