Qindra azilkërkues ndalohen në kufi, zbulohet skema e mashtrimit për në Rusi

Shqipëria

Qindra azilkërkues ndalohen në kufi, zbulohet skema e mashtrimit për në Rusi

Më: 19 prill 2015 Në ora: 15:51

Masat e para të Policisë së Shtetit për të parandaluar flukset e ikjeve të shqiptarëve kanë dhënë rezultatet konkrete, pasi qindra shtetas nuk janë lejuar të kalojnë në pikat kufitare, ndërsa në Tiranë u proceduan penalisht dy persona që premtonin punë në Rusi dhe mashtronin qytetrët. Nga ana tjetër, kryepolici Haki Çako takoi vartësit e tij në Lezhë dhe Shkodër, ku fokusi ishte parandalimi i kultivimit të hashashit, por u njoh edhe me masat e policisë kufitare në lidhje me eksodet atje. Kështu, të paktën 500 personave nuk u është lejuar kalimi përtej kufirit në këto 48 orët e fundit, pasi kishte dyshime se do të kërkonin azil në vendet e BE-së. Policia shqiptare, po kërkon informacion nga policia italiane dhe ajo gjermane, nëse kanë të dhëna për grupet kriminale që bashkëpunojnë në këtë mashtrim masiv.

Më tej janë marrë deklaratat e disa administratorëve të kompanive të udhëtimit, pasi disa prej tyre janë nën hetim. Dje, në Tiranë, policia shoqëroi Hazbi Lushin, 26 vjeç, një nga personat e dyshuar si drejtues i skemës së mashtrimit dhe shpalli në kërkim Lulzim Hidrin, 46 vjeç dhe një person tjetër. Denoncimi është bërë në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur rreth 6 persona denoncuan në polici të akuzuarin Lushi. Ai iu kishte premtuar punësim të mashtruarve gjatë lojërave olimpike të Soch-it, por pasi iu ka marrë paratë, një pjesë e tyre nuk kanë shkuar kurrë në Rusi.

Sipas policisë, dyshohet se grupi ka dhjetëra persona, duke u premtuar rrogë 2 deri në 3 mijë dollarë, teksa “taksa” për udhëtimin shkonte deri në 2 milionë lekë të vjetra. Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, së bashku me zv.drejtorët Altin Qato dhe Genc Merepeza, kanë zhvilluar takime me efektivët e Drejtorisë së Policìsë së Qarkut të Lezhës dhe Shkodrës. Qëllimi i këtyre takimeve ishte marrja e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Masat për sezonin turistik e veror, masat për rritjen e parametrave të rendit e sigurisë dhe sigurisë rrugore, intensifikimi i goditjeve të rasteve të korrupsionit, të trafiqeve të paligjshme, zbulimi i ngjarjeve të vjetra, teksa u fol edhe për eksodet e banorëve të atyre zonave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat