Frroku sot para Kuvendit, pritet arrestimi i dytë

Shqipëria

Frroku sot para Kuvendit, pritet arrestimi i dytë

Më: 2 prill 2015 Në ora: 08:20

Kuvendi do të diskutojë në seancën e sotme plenare kërkesën e organit të akuzës për arrestimin e deputetit kristiandemokrat, Mark Frroku.

Prokuroria i ka bërë një kërkesë Kuvendit, ku i kërkon autorizimin për arrestimin e deputetit Frroku, i cili akuzohet nga drejtësia belge për vrasjen e një personi në vitin 1999.

Gjatë seancës së sotme pritet të marrë pjesë vetë deputeti Frroku, i cili do të mbajë edhe një fjalim. Prania e tij është lejuar nga Prokuroria me një leje të posaçme, pasi ai ndodhet në arrest shtëpie.

Lajmi u konfirmua nga avokati i deputetit, Saimir Vishaj, i cili publikoi autorizimin që Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar Kuvendit.

“Nesër në orën 10:00, në godinën e seancës plenare të Kuvendit, ku deputeti z.Mark Froku do të mbajë fjalën e tij para 139 deputetëve”, njoftoi Vishaj.

Ndërsa, në autorizim thuhet: “Bashkëlidhur ju dërgojmë ‘autorizimin me lejen e veçantë’ të deputetit, z. Mark Frroku, i cili duhet të marrë pjesë në mbledhjen e seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë që zhvillohet ditën e enjte, më datë 2.4.2015, ora 10:00, në godinën e seancave plenare të Kuvendit”. Ai është firmosur nga drejtori i Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Kosta Beluri.

Hera e fundit kur deputeti Mark Frroku ndodhej në Kuvend ishte e enjtja e kaluar, kur pas votimit të deputetëve të mazhorancës dhe vetëm njërit prej opozitës, 79 vota i hoqën atij imunitetin dhe e lanë në duart e drejtësisë si të përfshirë në çështjen “Doshi”.

Nëse Kuvendi do të miratojë sot raportin e Këshillit, atëherë pritet që deputeti t’i kthehet sërish dhomave të paraburgimit në Drejtorinë e Policisë, deri në daljen e tij përpara Gjykatës së Lartë për masën e re të sigurisë ndaj tij.

Rendi i ditës:

1.Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 26.03.2015.

2.Kërkesë e Prokurorit të Përgjithshëm për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Mark Frroku.

Shprehet deputeti Mark Frroku

Raport i Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit

3.Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” të ndryshuar.

4.Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

5.Projektligji “Për disa shtesa e ndryshime në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 10019,datë 29.12.2008 dhe ndryshuar me ligjin nr. 74/2012, datë 19.07.2012”.

6.Projektligji “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.

7.Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i

8.Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si Administrator i fondeve grant të siguruara nga BERZH-I, nga burimet e veta, nën fondin e veçantë të aksionarëve, për strategjinë e taksimit rrugor në Shqipëri”.

9.Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Rumanisë, për mbrojtjen e ndërsjellët të informacionit të klasifikuar”.

10.Projektvendim “Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”

11.Projektvendim “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit hetimor të Kuvendit “Për verifikimin e ligjshmërisë së emërimeve në detyrë të realizuara gjatë periudhës 15 shtator 2013 deri më 31 maj 2014, në administratën shtetërore, entet publike apo shoqëritë tregtare shtetërore” ngritur me vendimin e Kuvendit nr. 82/2014, datë 23.10.2014, ndryshuar me vendimin e Kuvendit nr.3/2015, datë 19.01.2015.

12.Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat