Kërkohen borxhet nga “profesionet e lira”

Shqipëria

Kërkohen borxhet nga “profesionet e lira”

Më: 29 mars 2015 Në ora: 09:22

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka nisur një aksion kombëtar për arkëtimin e faturave të energjisë elektrike dhe uljen e debive, duke ndërprerë lidhjet e paligjshme. Në fokus të këtij aksioni janë vendosur edhe bizneset, që zënë një pjesë të konsiderueshme të portofolit të bilancit financiar dhe energjetik.

Në këtë pikë, shoqëria njoftoi se po i kushton vëmendje edhe sektorit privat të “profesioneve të lira”, një pjesë e mirë e të cilëve e ushtrojnë aktivitetin në ambiente të marra me qira, duke mos pasur kontrata dhe kategorizimin e duhur në bazë të statusit të aktivitetit që zhvillojnë, por edhe të mënyrës së tarifimit.

Nga analizat e realizuara deri tani, Departamenti Shitjeve dhe Arkëtimeve në OSHEE ka evidentuar 10,849 subjekte aktive të regjistruara në QKR, të cilët ushtrojnë aktivitet në fushën e shërbimit dhe konsulencës në bazë të legjislacionit në fuqi për profesionet e lira. Sipas OSHEE, këto ditë ka nisur një aksion për verifikimin e kontratave, bazuar mbi të dhënat e siguruara nga QKR, ndaj shoqëria i bëri thirrje publikisht kësaj kategorie biznesi, të marrë masat e menjëhershme për t’iu përgjigjur apelit për respektim të ligjit.

Fokusi do të jetë Tirana, ku e ushtrojnë aktivitetin e profesionit jurist, ekonomist, mjek, etj, rreth 60% e biznesve të kategorisë “profesione të lira”. Gjithashtu, OSHEE ka nisur kontaktet me organizatat që përfaqësojnë këtë sektor, për të arritur një bashkëpunim dhe rezultat të frytshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat