Çdo vit lindin 40 fëmijë me probleme të rënda në dëgjim

Shqipëria

Çdo vit lindin 40 fëmijë me probleme të rënda në dëgjim

Më: 4 mars 2015 Në ora: 16:39

Çdo vit, në vendin tonë lindin 40 fëmijë me probleme të rënda në dëgjim. Kjo bëhet e ditur nga mjeku i shërbimit të ORL-së në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, Besim Boçi. Ndër faktorët kryesorë të këtyre problemeve, ai rendit marrjen e medikamenteve nga nëna gjatë shtatzënisë apo edhe nga traumat që kjo e fundit mund të ketë pësuar gjatë nëntë muajve. Veç kësaj, ai thekson se problem janë edhe adoleshentët, pasi ata përbëjnë 10 për qind të të prekurve nga sëmundjet e dëgjimit.

Kjo situatë, sipas mjekut Boçi, vjen si rezultat i përdorimit të teknologjive të reja, kryesisht të kufjeve. “Në vendin tonë mesatarisht lindin me probleme të rënda të dëgjimit rreth 40 raste në vit. Për raste si këto nuk shërben aparati i dëgjimit, zgjidhja e vetme është implanti koklear. Shkaktarët janë sëmundjet virale të kaluara nga nëna gjatë shtatzënisë, medikamente të marra nga nëna kryesisht ato që dëmtojnë nervin e dëgjimit apo edhe traumat gjatë lindjes”, sqaron mjeku otorinolog, Besim Boçi. Ai jep një sërë këshillash për të shmangur një problem të tillë, pasi në rast se fëmijët nuk trajtohen që në lindje, përballet më vonë me një sërë rreziqesh. Një prej tyre është edhe risku që të mos i rikthehet më dëgjimi apo edhe shfaqja e problemeve në të folur. “Duhet depistim që në maternitet sapo të lindin fëmijët për të parë nëse kanë apo jo probleme me dëgjimin. Te fëmijët me dëmtim të rëndë duhet të kryhet implanti koklear sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht brenda moshës tre vjeç.

Moshë kjo në të cilën fëmija përfundon zhvillimin e të folurit”, thekson Boçi. Sipas tij, një tjetër shkaktar i problemeve në dëgjim te moshat e reja, 15-19 vjeç është sidomos përdorimi i kufjeve. “Kufjet kanë një problem, se sa të adaptohen ato me kanalin e veshëve duhet kohë, por, nga ana tjetër, tentativat e vazhdueshme mund të bëhen shkak për të ngacmuar kanalin e veshit, deri në një dëmtim mekanik të tij. Probleme të tjera që shfaqen në dëgjim janë edhe: ekspozimi i shpeshtë me tingujt që kanë frekuenca të ndryshme; kufja e mban veshin gjithë kohës në gjendje alarmi, në një gjendje pune dhe kjo nuk është pozitive, pasi veshi, si çdo organ tjetër, ka nevojë të pushojë. Përdorimi i kufjes, po u ekzagjerua, shkakton dëmtime”, sqaron mjeku otorinolog.

Dje, në ditën botërore të personave që kanë probleme me dëgjimin, Organizata Botërore e Shëndetësisë ngre alarmin për dëmtimet që po u vijnë të rinjve në dëgjim. Këto shqetësime kanë ardhur si rezultat i ekspozimit ndaj zhurmave, ku një ndikim negativ kanë edhe pajisjet e reja teknologjike. Sipas të dhënave të OBSH-së, në të gjithë botën 40 për qind e 12-35 vjeç janë të ekspozuar ndaj dëmtimeve të rënda të dëgjimit. Nën sloganin “ul volumin, ruaj dëgjimin”, OBSH-ja bën thirrje për më tepër kujdes, kryesisht për moshat e reja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat