Tiranë, Katedrales Ortodokse i hiqet rrethimi. Kryepeshkopata: Ky është atentat

Shqipëria

Tiranë, Katedrales Ortodokse i hiqet rrethimi. Kryepeshkopata: Ky është atentat

Më: 3 mars 2015 Në ora: 19:08

Prishja e rrethimit të Katedrales Ortodokse, “Zemra e Krishtit” ka ngjallur një reagim të fortë të Kishës Ortodokse Shqiptare. Përfaqësues të Kishës akuzuan Qeverinë dhe Këshillin Kombëtar të Territorit se po dhunon objektet e kultit, të cilat kërkon t’i kthejë në hapësira publike.


Kisha Ortodokse e dënon vendimin e heqjes së rrethimit të Katedrales, të cilin e krahason me vendimet e qeverisë komuniste, që çuan në prishjen e objekteve të kultit në Shqipëri.


Miron Çako, përgjegjës i Katekizmit në Kryepeshkopatën Ortodokse, tha se vendimi për prishjen e rrethimit është marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ndërsa me fondet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, territoret e katedrales kërkojnë t’i kthejnë në ambiente publike, lulishte.


Sipas tij, “prej kohësh ka patur bisedime me qeverinë. Kisha Ortodokse nuk është shprehur dakort për prishjen e rrethimit dhe kthimin e ambienteve të kishës në ambiente publike, veprimi i KKT-së dhe Qeverisë është i njëanshëm, veprimi i turpshëm, që ofendon të gjithë komunitetin ortodoks në Shqipëri. Kjo është pronë e Kishës dhe qeveria po na bën atentat, po del mbi Perëndinë, si ajo e vitit 1969, që prishi kisha e xhamia. Qeveria reklamon në botë, harmoninë fetare, po me vepra po prish harmoninë fetare, – tha ai. – Ne nuk tërhiqemi nga e drejta jonë./Balkanweb

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat