“Transballkanikja", nis zbatimi i projektit

Shqipëria

“Transballkanikja", nis zbatimi i projektit

Më: 3 mars 2015 Në ora: 14:38

Kryeministri Edi Rama ishte sot në qytetin e Vlorës, ku ka nisur zbatimi i një projekt infrastrukturor me shumë rëndësi për qytetin, ndërtimi i segmentit që lidh rrugën Transballkanike me autostradën Vlorë-Fier.

Kryeministri Rama inspektoi kantierin e punimeve, ku u takua me zbatues të projektit. Rama theksoi rëndësinë e këtij investimi për Vlorën, i cili edhe pse i premtuar shpesh në fushata elektorale, por më pas i harruar, do t’i japë qytetit një hyrje me standarde evropiane.

Bashkë me investime të tjera madhore, shtoi kryeministri, Vlora do ta shndërrohet në një qytet të rëndësishëm turistik dhe mesdhetar.

“Pasi u zgjidh problemi me të gjitha familjet që duhet të lironin banesat e tyre për çeljen e kësaj rruge, sot jam shumë i kënaqur që fillon më në fund, pas shumë e shumë vitesh, të realizohet projekti që e kthen Vlorën tonë nga një xhep fals në një qytet mesdhetar, me hyrje e dalje të standarde evropiane. Transballkanikja e famshme që e premtonin të gjithë kryeministra, kandidatë për kryeministra, deputetët e kandidatë për deputetë, sa here që kishte fushata dhe pastaj e harronin, më në fund erdhi në ditën kur do të marrë fund dhe do ta bëjmë me rrugë model për një qytet të rëndësishëm mesdhetar dhe turistik. Bashkë me pjesën tjetër të vijës bregdetare apo Lungomaren siç i thonë vlonjatet, janë dy projektet e mëdha që do të çelin fuqishëm rrugën e rilindjes së plotë të infrastrukturës të këtij qyteti, të harruar dhe të braktisur prek kaq shumë vitesh padrejtësisht. Vlora meriton më shumë dhe ne do të bëjmë për Vlorën deri në fund të këtij mandati, më shumë se ç’është bërë në 20 vite të marra së bashku”, u shpreh kryeministri.

Më pas ai u drejtua drejt plazhit të Vlorës, ku ka filluar restaurimi i tij, përmes mbushjes me rërë dhe shtimit të sipërfaqes së plazhit. Projekti parashikon krijimin e një plazhi me rërë në pjesën qendrore të gjirit, duke krijuar zona me gjerësi nga 50-100 m.

Lartësia e zonës me rërë do të rritet duke u përshtatur me shëtitoren e vijës bregdetare, apo siç njihet ndryshe Lungomare. Faza e dytë e projektit është gjelbërimi i vijës bregdetare të qytetit të Vlorës. Do të gjelbërohen 5000 m2.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat