MPB: Opozita mbron banditët

Shqipëria

MPB: Opozita mbron banditët

Më: 1 mars 2015 Në ora: 20:18

Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të bëra nga opozita për dhunë ndaj qytetarëve.

Me anë të një deklarate, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Florion Serjani i ka kujtuar qytetarëve kohën kur opozita mbronte banditët që sulmonin me armë policinë gjatë aksionit në Lazarat.

Për Serjanin, opozita e sotme mbron edhe vrasësit me pagesë që u arrestuan pak ditë më parë.

Ministria ka dhënë edhe detaje për të riun që doli sot para medias së bashku me Edi Palokën, duke e akuzuar si “organizator i protestës në Institutin Bujqësor”.

Deklarata e Ministrisë së Brendshme:

“Ministria e Punëve të Brendshme dënon abuzimin e opozitës, e cila synon të hedhë baltë mbi punën dhe rezultatet e Policisë së Shtetit, duke i dalë në krah cdo shkelësi të ligjit, përfshirë edhe kriminelët.

Nuk është asnjë surprizë ky qëndrim i opozitës. Publiku i ka ende të freskëta në memorie se si në Lazarat, gjatë operacionit më të madh antidrogë në vend, opozita mbrojti banditët që qëlluan mbi Policinë e Shtetit dhe sulmonte punonjësit e policisë.

Publiku i ka ende në memorie deklaratat e opozitës dhe përfaqësuesve të saj, që në luftën kundër krimit ka mbështetur bandat duke sulmuar Policinë.

Kjo u bë e qartë edhe në rastin më të fundit, ku pas kapjes së një grupi kriminal vrasësish me pagesë, opozita i mori në mbrojtje duke deklaruar se janë arrestuar padrejtësisht.

Sot, opozita akuzoi sërisht policinë se ka dhunuar pa shkak një qytetar në mjediset e Komisarisatit, por sërish nuk tha as të vërtetën dhe madje as identitetin e “viktimës”.

E vërteta është se shtetasi Orest Ded Deda, 32 vjeç, banues në Zallherr të Tiranës, është shoqëruar në Komisariatin Nr.5 të Tiranës në datë 28.02.2015, i akuzuar se ka marrë pjesë në protestë të paligjshme në Kamëz, duke organizuar disa persona për të penguar qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor pranë Institutit Bujqësor në Kamëz.

Pasi janë kryer veprimet procedurale për këtë shtetas është vendosur ndjekja penale në gjendje të lirë, për veprat penale “Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Megjithëse Edi Paloka pretendoi se Orest Deda është dhunuar nga Policia, e madje tregoi edhe nje foto me shenja në fytyrë, përfaqësuesi i opozitës nuk shpjegoi se si këto shenja ishin zhdukur nga fytyra e Dedës brenda pak orësh.

Policia e Shtetit ka marrë vetëm një ankesë nga të shoqëruarit në komisariat pas protestës, ankesë sipas të cilës njërit prejt të shoqëruarve që protestonin për energjinë elektrike, gjatë shoqërimit nga policia i ishte thyer një pajisje elektronike, tabletë Ipad.

Ministria e Punëve të Brendshme i kërkon opozitës t’i japë fund këtij teatri me persona të manipuluar dhe të heqë dorë nga përpjekjet për përbaltjen e Policisë së Shtetit. Qëndrimet e PD-së shkojnë në dëm të respektimit të ligjit nga të gjithë qytetarët dhe shtetit të së drejtës që synojmë të vendosim.

Në qoftë se opozita ka gjetur sulmin ndaj Policisë së Shtetit si rrugë për të fituar vota, po i bën nder vetëm shkelqësve të ligjit dhe përfaqësuesve të botës së krimit”, – thuhet në deklaratën e bërë nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Florion Serjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat