Teatri Kombëtar zhvendoset afër Liqenit

Shqipëria

Teatri Kombëtar zhvendoset afër Liqenit

Më: 30 janar 2015 Në ora: 13:29

Godina që në vitin 2011 u emërua si Qendra Ndëruniversitare e Shërbimeve edhe e Rrjetit Telematik, funksioni i së cilës ishte që të ndikonte në rritjen e cilësisë së universiteteve, që do të ndikonin më pas edhe në të ardhmen e vendit, në muajt në vijim do të përdoret si skenë teatri. Të paktën kështu është deklaruar nga Hervin Çuli, drejtor i Teatrit Kombëtar për mediet. Kjo godinë ndodhet 500 metra mbi gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Përfaqësues të kësaj qendre janë shprehur dje për televizionin “Klan”se, janë njohur me vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kthyer këtë godinë në një qendër multi-kulturore. Ndërkohë që ekspertë të Ministrisë së Kulturës kanë inspektuar godinën. Për këtë projekt drejtori i Teatrit Kombëtar, Hervin Çuli është shprehur se: “Është një ambient goxha i madh, edhe themi që është në qendër të Tiranës. Kuptohet që ka një diferencë me godinën e sotme të Teatrit Kombëtar. Një qendër multi-kulturore, ku do të ketë edhe ndër të tjera dy salla teatri”. Rikonstruksioni i këtyre ambienteve, shembja dhe ndërtimi i një Teatri të ri Kombëtar do të nisin brenda këtij viti. Në muajin mars do të kryhet konkursi për studion fituese. “Nëse do të fillojë shumë shpejt brenda këtij viti, edhe brenda një viti, apo një viti e gjysmë godina do të jetë gati. Kjo do të ishte një gjë shumë optimiste”, është shprehur më tej Çuli.

Mirela Kumbaro: Teatri Kombëtar ka dalë nga pasiviteti

Në një intervistë të dhënë për gazetaren Ilva Tare, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka pohuar për zhbllokimin e Fondit Grek për skenën e teatrit. Sipas saj, janë 4 milionë euro që do të përdoren për Teatrin Kombëtar, por edhe për Teatrin Kombëtar të Operës edhe Baletit. 2,5 milionë janë nga Fondi Grek, ndërsa pjesa tjetër do të jetë nga buxheti i shtetit. “Nuk është aspak e fshehtë që në Teatrin Kombëtar situata fizike është në gjendje shumë të rëndë. Ne kemi bërë vlerësimin teknik të asaj situate, që nuk ndodhi as brenda një dite, edhe as brenda një viti. Është situatë që ka të paktën 15 vite, edhe asnjëherë nuk është thënë publikisht me zë të lartë, që TK është duke u rrënuar. Sot ka mbërritur deri në degradim të tij, ku tetari çdo ndërhyrje e ka gati të pavlefshme, edhe gati të pamundur rikonstruktimin e tij në atë gjendje. Këtë mund ta thonë edhe aktorët që luajnë aty brenda, edhe unë personalisht e kam vizituar çdo cep... Teatri Kombëtar ka dalë nga një pasivitet i tmerrshëm. Këtë vit ka pesë premiera, pesë regjisorë të rinj, edhe 7 aktorë të kontraktuar vetëm për sezonin. Nuk më duket se janë pak, ndërkohë që gjetëm aktorë që kishin 15 vjet që paguheshin, edhe nuk kishin hipur një herë në skenë. Ky besoj se është ndryshim, edhe është ndryshim shumë i madh. Përsa i përket fondeve. Kemi zhbllokuar një fond të shumëpërfolur, i famshmi Fondi Grek, prej 2.5 milionë euro, që ka qenë i destinuar për teatrin, edhe më në fund kemi vendosur që ta vëmë në punë. Do ta përdorim bashkë me fonde të shtetit, për të ndërtuar hapësirën e re, që do të jetë multi-funksionale, edhe për të kryer gjithashtu edhe rikonstruksionin e sallës së TKOB-së. Fondi i destinuar për teatrin do të shkojë për skenën. Ky fond do të shkojë për skenën e re që do të ndërtohet, po e quaj skena e re, për të thënë hapësirën multi-funksionale, drejt së cilës do të interpretojë trupa e Teatrit Kombëtar. Ndërkohë që do të avancohet me projektin e ri të Teatrit Kombëtar, që do të duhet që ta ketë një kryeqytet, si Tirana. Por do të ketë edhe një rikonstruksion të TKOB-së, që prej 60 vjetësh nuk ka patur ndërhyrje. Duke theksuar këtu, se jo pak para janë derdhur, kur shikoj shifrat që më dalin në Ministri të Kulturës. Ndërkohë që nuk kam parë asnjë ndryshim, as në rikonstruksion, as në mirëmbajtje. Ky fond është vetëm një pjesë, pjesa tjetër do të dalë nga buxheti i shtetit, edhe do të shkojë deri në 4 milionë. Do të fillojë brenda 2015-ës, edhe skena multi-funksionale ka për qëllim që të mbarojë, gjithsesi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, por qëllimi është që të mbarojnë sa më shpejt”.

Ministria e Kulturës

E kontaktuar nga “Shekulli”, këshilltarja për shtyp e Ministrisë së Kulturës, njëkohësisht edhe anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar, Milena Selimi rreth rikonstruksionit të TK-së, por edhe TKOB-së u shpreh se: “Qeveria shqiptare, Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me qeverinë greke (para zgjedhjeve) kanë negociuar për të hapur Fondin Grek, i cili kishte mbetur i ngrirë për një periudhë 15-vjeçare. Ky është fondi 2.5 milionë euro. Në muajin mars do të shpallet thirrja e hapur për konkurs ndërkombëtar për studio të arkitekturës, që do të prezantojnë ide për rikonstruksionin e TKOB. Sa i përket hapësirës multi-funksionale është identifikuar vendi se ku mund të kryhet ndërtimi. Është një proces i tërë administrativ dhe ligjor, i cili do të marrë gjithashtu kohën e vet për të vazhduar me fillimin e ndërtimit. Për TK jemi ende në fazë pritjeje. Do të punohet fillimisht për ndërtimin e kësaj hapësire, edhe pastaj do të shihet e ardhmja e TK-së”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat