Pedagogët: Shteti të mos marrë pushtetin universitar

Shqipëria

Pedagogët: Shteti të mos marrë pushtetin universitar

Më: 30 janar 2015 Në ora: 07:56

Projektligji i Arsimit të lartë është diskutuar dje në Këshillat e Fakulteteve dhe për të janë marrë një serë propozimesh, të cilat do të diskutohen sot në Senat. Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, janë kontestuar një serë nenesh, të cilat, sipas gjykimeve të Këshillit të këtij fakulteti, duhen rregulluar, sepse cenojnë autonominë akademike, organizative, dhe financiare, të garantuara nga Kushtetuta. I shpalosur nga dekani Shezai Rrokaj dhe me aprovimin e këshillit, kërkesat për rifolmurimin lidhen me pranimet në universitet, kompetencat që merr ministri, burokracitë e një sërë agjencive dhe largimin nga Sistemi i Bolonjës, me ristrukturimin e cikleve universitare. Propozime të ngjashme u reflektuan me debate dhe nga pedagogët e fakultetit, Valentina Duka, Dhurata Shehri, Mark Marku, Aljula Jubani etj. Për ta ky projektligj është evaziv dhe e kthen universitetin prapa në kohë.

Propozimet

Pranimet duhet të bëhen nga universitetet. Qendrave e Shërbimeve Arsimore nuk mund dhe nuk duhet të merret me çështjen e aplikimeve. Universitetet duhet ta kenë si detyrë të tyre të bëjnë publike kriteret e pranimeve dhe nxënësit apo studentët e Masterit aplikojnë për t’u pranuar në ciklet e shkollimit. Nga ana e saj QSHA-ja mund të ketë për funksion përpilimin e një database kombëtar me të dhënat e nxënësve që përfundojnë arsimin parauniversitar. Autonomia akademike dhe organizative cenohet përmes këtij modeli të parashikuar për konstituimin e Bordit të Administrimit, i cili përcaktohet si institucioni më i lartë “administrativ” dhe përgjegjës për përmbushjen e misionit të arsimit të lartë në universitet dhe ku në drejtimin e tij, në kushtet e sotme, ka në përbërje një shumicë anëtarësh nga qeveria (4 +3). Ndërkohë që qeveria nuk cakton asnjë anëtar bordi në universitetet private edhe për to destinohen fondet të buxhetit në projektet shkencore. Në draft thuhet se shteti vlerëson cilësinë, ndërkohë që cilësia vlerësohet nga Agjencia e Akreditimit dhe Bordi i Akreditimit. Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli i Akreditimit, si emërtesë dhe funksion janë nën juridiksionin e qeverisë, pra, nuk janë të pavarura sikundër funksionon kudo në botën e sotme universitare. Mund të merret shembull modeli i Kosovës. Cenimi i autonomisë duket edhe në kompetencat që merr Ministri për ta konsideruar Rektorin si vartës të tij, ndërkohë që Rektori është i zgjedhur dhe institucioni i tij është autonom me Kushtetutë. Këtë mbrojtje ia jep kushtetuta nga njëra anë, por është shprehur edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila në 2007 sanksionoi se Ministri nuk mund të gjykojë veprimtarinë e Rektorit dhe i vetmi ndërmjetës në marrëdhëniet vendimore është gjykata. Pra, Rektori sipas ligjit mund të dekretohet dhe po ashtu të shkarkohet vetëm nga Presidenti i Republikës. Këto dy pushtete midis Senatit dhe Bordit, Rektorit dhe Kryetarit të Bordit, bëhen krejt të paqarta dhe gati janë paralele në njësitë kryesore dhe në njësitë bazë.

Burokracia e ligjit

Ka një burokraci agjencish e strukturash, gati një Ministri e Arsimit të Lartë, të cilat jo vetëm nuk do t’i sjellin të ardhura universitetit, por do t’i marrin edhe të ardhurat që sot ai realizon nëpërmjet shërbimeve që ai kryen vetë. Këto struktura ndërtojnë një sistem burokratik që i zë frymën aspektit akademik dhe ku liria akademike nuk promovohet dhe nuk del e shprehur të mbrohet në këtë draft. Kjo duket qartë se në të gjithë draftin, në qendër janë më shumë këto struktura burokratike sesa studenti dhe profesori, pa të cilët nuk mund të kuptohet funksionimi i sistemit të Arsimit të Lartë. Ky numër i madh agjencish nuk përligjet me shumën e subvencioneve që jep Qeveria nga fondi i pakushtëzuar. Ky fond sot nuk shkon më shumë se 10 muaj paga për pedagogët dhe aspak financim për kërkimin bazë dhe shumë pak financime për projektet. Qeveria duhet domosdoshmërish të rrisë buxhetin për arsimin e lartë, i cili, edhe këtë vit nuk shkon më shumë se afërsisht 0.6 për qind e PBB. Atëherë si do të funksionojnë financiarisht këto agjenci, të cilat konvertohen në punonjës, struktura etj? Shembulli më tipik është megastruktura që quhet QSHA, e cila do të krijojë patjetër konfuzion të pashembullt si edhe mund të kthehet në një burim korrupsioni, pasi i janë lënë 4 funksione shumë të rëndësishme si: aplikimet për të gjitha ciklet e studimit, (bachelor, master, master ekzekutiv) përveç doktoraturave dhe specializimeve, matrikullimi dhe database kombëtar i dokumentacionit, provimet e profesioneve të rregulluara, rrjeti kombëtar i internetit.

Struktura

Kjo strukturë e propozuar është e pangjashme me modelet më të njohura të universiteteve homologe evropiane e më gjerë. Vetëm i sistemi i masterave, të cilët marrin diploma nga pikëpamja e kohës në korrik –vjeshtë (koha e mbrojtjes së provimeve) do të hapë shumë probleme në komunikimin Universitet–QSHA. Mendojmë se QSHA duhet të ketë si funksion: imatrikullimin dhe database-n e dokumentacionit si dhe bazën e të dhënave për rezultatet e shkollave të mesme.

Ulen të ardhurat

Në draft thuhet se shteti merr përsipër të subvencionojë vetëm ciklin e parë. Por ky kufizim do të sjellë uljen e të ardhurave të universitetit publik si dhe në pamundësinë e familjeve shqiptare për të përballuar kostot e shkollimit. Mendojmë se shteti duhet të ushtrojë funksionin e vet mbi arsimin e lartë publik, sepse edhe masteri është një e mirë publike dhe nuk duhet parë thjesht si një e mirë private. Gjithashtu, shteti përcakton një tavan për tarifat e universiteteve publike dhe nuk bën të njëjtën gjë për universitetet private. Mendojmë se qeveria duhet të përcaktojë një dysheme, në funksion të të ardhurave të familjeve shqiptare.

Cenohen profesorët e rinj

“Nëse ky draft-ligj do të bëhet ligj, atëherë ai do të cenojë gati 40 për qind të profesoratit të ri, i cili nuk ndihet i promovuar nëpërmjet këtij ligji dhe nga ana tjetër, ai do të kthehej nga një e drejtë e fituar nëpërmjet një kontrate me punëdhënësin me afat të pacaktuar, në një kontratë me afat të caktuar. Të gjithë asistentët në proces doktorate dhe doktorët që kanë më pak se 3 vite punë do të cenoheshin në marrëdhënien që kanë vendosur aktualisht me punëdhënësin. Pra, kemi cenim të parimit se “asnjëherë fuqia prapavepruese e ligjit s’duhet të jetë në dëm të personit”. Propozojmë që ky përcaktim të hyjë në fuqi vetëm për personelin që vjen pas miratimit të tij, dhe të mos cenojë stafin akademik pjesë aktuale e organikës së universitetit. Cikli i 3-të i studimeve përfshin, masterin ekzekutiv, doktoraturën specializimin. Ky nuk është kuptimi që ka cikli i 3-të sipas Kartës së Bolonjës ku, siç dihet, në të përfshihet Shkolla Doktorale. Në ligj duhet të thuhet qartë se arsimi i lartë mbështetet mbi Kartën e Bolonjës, sepse Shqipëria është nënshkruese e saj. Propozojmë që Masteri ekzekutiv, i cili përplaset me masterat e tjerë të ciklit të 2-të të titullohet “ Diplomë postmaster”, duke ruajtur siç thuhet në ligj, se kush e ka të drejtën ta ndjekë këtë diplomë”- citon Dekani i FHF-së, Shezai Rrokaj.

“Një nëpunës do të vlerësojë cilësinë e gradave”

Përveç të mirave që ka ky projekt-ligj, grupet e interesit pasi e kanë shqyrtuar kanë dalë me konkluzione se një pjesë e tyre nuk e reflektojnë si duhet autonominë universitare dhe nuk jep sqarime të plota në disa prej neneve. Drejtuesit dhe pedagogët e Fakultetit Filologjik, kanë debatuar për ndryshimet, duke komentuar një sërë pikash.

Dhurata Shehri: Duhet futur në këtë material, pasi është shumë poshtëruese për stafin akademik, kjo kohë e shkurtër, e cila na u dha për ta trajtuar. Kjo kohë e shkurtër tregon se sa seriozisht e kanë marrë autonominë, ata që e kanë trajtuar këtë projektligj. Ky draft vjen si rezultat i dy pararendësve të vet, raporti i parë dhe raporti i dytë i reformës së Arsimit. Ka një diferencë të jashtëzakonshme në mjete, por inekzistente në qëllime. Drafti i parë ishte hiperliberal, ndërsa ky i fundit është hiperkontrollues. Dy drafte plotësisht të ndryshme mbeten me të njëjtin qëllim, me papërgjegjshmërinë e shtetit dhe mundësinë apo përpjekjet për ta vënë nën kontroll universitetin.

Valentina Duka: Duhet të bëjmë disa shumë të domosdoshme që duhen reflektuar në ligj. Ligji aktual i Arsimit të Lartë është shumë i mirë, sepse nuk është hartuar nga ligjvënës shqiptarë, por është hartuar në mbështetje të Këshillit të Evropës. Me këtë projektligj nuk shkelet vetëm autonomia, por shkelen parimet bazë të Kartës së Bolonjës, të cilën ne e kemi nënshkruar dhe jemi pjesë e saj. Pavarësisht se në projektligj ne konsiderohemi universitete publike, në gjysmën e neneve, jemi universitete shtetërore, sepse rritet jashtë mase fuqia e shtetit mbi ne dhe gjysma tjetër, nuk jemi asgjë. Nga pikëpamja financiare, shteti nuk merr asnjë përgjegjësi mbi ne, sepse te granti i mësimdhënies neve na heq rrogat. Ka një fjali pa kuptim, që granti i jepet institucionit sipas transparencës, aftësive, performancës dhe kjo nuk ka asnjë lidhje as me rrogat e pedagogëve dhe as me ato të personelit administrativ, duke na çuar nesër te një treg i tmerrshëm. Argumenti i Qendrës së Shërbimeve Arsimore është tipike, alla-shqiptare. Ne që kemi kontakte me botën universitare, në mënyrë institucionale dhe private, kemi parë që QSHA nuk ekziston në asnjë vend të botës.

Mark Marku: Ndërton një burokraci shtetërore mbi botën akademike. Sa i përket problemit të kontrollit të cilësisë, nuk mundet që shteti të kontrollojë cilësinë akademike. Nuk merret në konsideratë liria akademike. Me këtë ligj, kjo liri shkon në nivelin e lirisë akademike të kohës së sistemit të Enver Hoxhës. Një nëpunës do të vlerësojë cilësinë e gradave. Ligji e dhunon lirinë akademike.

Aljula Jubani: Në lidhje me cenimin e autonomisë akademike, unë do të sugjeroja të shtohet udhëzimi i nenit 101, krijimi i bazës kombëtare të të dhënave dhe kërkimit shkencor. Pika 2 e këtij neni parashikon që të përfshihen në këtë bazë kombëtare të të dhënave, kontributi shkencor i të gjithë personelit akademik. Pra, merret në mënyrë etatiste e drejta e autorit. Ne kemi të drejtën e autorit dhe ne mund ta shesim nëse duam. Këtu kthehemi në parimet e sistemit enverist që merrte të drejtën intelektuale.

Ja nenet që e kthejnë arsimin prapa në kohë

Neni 3, 2. Shteti, vlerëson cilësinë e veprimtarisë mësimore dhe asaj kërkimore-shkencore në institucionet e arsimit të lartë, si premisë për mbështetjen financiare të tyre.

Neni 7, 2. Ministria ka këto kompetenca: e. i propozon Këshillit të Ministrave kriteret për aplikim për vijimin e studimeve të ciklit të parë, apo atyre të integruara të ciklit të dytë që i ofrohen çdo individi në institucionin publik të arsimit të lartë. 3. Ministri përgjegjës për arsimin ka këto kompetenca: a) përcakton datën zyrtare të fillimit të vitit akademik për të gjithë institucionet e arsimit të lartë; b) përcakton datën e fillimit të procesit zgjedhor për organet dhe autoritetet drejtuese në të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe verifikon ligjshmërinë e zhvillimit të zgjedhjeve në institucionet e arsimit të lartë.

Neni 8, 3. Emërimi i anëtarëve të KALKSh-it bëhet nga Kryeministri me propozim të Ministrit përgjegjës për arsimin.

Neni 14, 2. Kriteret e aplikimit për vijimin e studimeve të ciklit të parë apo atyre të integruara të ciklit të dytë i ofrohen çdo individi, që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm dhe që ka siguruar një prag minimal të rezultateve, përcaktimi i të cilit bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 15, 3. Këshilli i Ministrave miraton çdo vit Letrën e Prioriteteve sipas propozimit të Ministrit përgjegjës për arsimin.

Neni 17, 6. Organizimi dhe funksionimi i Bordit të Akreditimit rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 18, 3. AKKSh organizon çdo katër vjet procesin e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore–shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë, si dhe i rendit ato në bazë të këtij vlerësimi. AKKSh i komunikon vlerësimin Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë. Metodologjia e procesit të vlerësimit rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. 6. Organizimi dhe funksionimi i AKKSh dhe i Bordit rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 20, 3. Institucionet e pavarura publike të arsimit të lartë janë persona juridikë publik që krijohen nga Këshilli i Ministrave me kërkesën e personave juridik shtetëror, publik dhe privat, që organizohen dhe funksionojnë sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi për fondacionet. 5. Institucionet e arsimit të lartë që ofrojnë programe studimi në fusha me veprimtari akademike specifike, lidhur me organizimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, gëzojnë status të veçantë. Ky status i akordohet institucionit të arsimit të lartë me vendim të Këshillit të Ministrave. Institucionet ofruese të arsimit të lartë që gëzojnë status të veçantë, në rastet kur nuk i nënshtrohen rregullimeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, krijohen, funksionojnë dhe administrohen sipas parimeve dhe përcaktimeve të këtij ligji për institucionet e arsimit të lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat