Vetëm 1 mln lekë gjobë “sekserit” të policëve për patentat

Shqipëria

Vetëm 1 mln lekë gjobë “sekserit” të policëve për patentat

Më: 26 janar 2015 Në ora: 09:16

Gjykata e Tiranës, dënoi me 1 milionë lekë gjobë, një person të akuzuar për mashtrim, pasi i kishte marrë një personi një sasi parash për të ndërhyrë tek policët rrugorë për t’i rikthyer lejen e drejtimit pas një shkeljeje të kryer nga i dëmtuari. Haxhi Kolgjegja, u arrestua në flagrancë nga vetë policët rrugorë me akuzën e mashtrimit. I pandehuri nëpërmjet i kërkoi gjykatës aplikimin e gjykimit të shkurtuar, duke i pranuar aktet siç janë paraqitur nga prokuroria.

Kërkesa nuk u kundërshtua nga prokurori i çështjes dhe u pranua nga gjykata. Ngjarja ka ndodhur me 6 korrik 2014, kur Klodian Kaçani, emigrant në Greqi, ishte në Tiranë duke qarkulluar me automjetin e tij në drejtimin e kundërt të lejuar, në rrugën e Elbasanit. Për këtë shkak, ai është ndaluar nga dy punonjës të Policisë Rrugore, të cilët i kanë marrë dokumentet dhe i kanë thënë të parkonte mjetin. Ai parkoi mjetin ku i thanë policët dhe u nis për të shkuar tek ata, pa arritur tek policët, i doli përpara i pandehuri Haxhi Kolgjegja. Ai e kishte parë momentin kur i morën dokumentet emigrantit dhe i ka thënë se nëse i jepte 150 euro, ai mund t’ia merrte letrat e automjetit që i kishin bllokuar pasi i njihte ata. I dënuari i tha emigrantit se policët për këtë shkelje mund ta fusnin në burg nëse nuk i jepte paratë.

Klodian Kaçani, i ka dhënë të pandehurit vetëm 60 euro, ndërkohë që i ka lënë t’i mbante një qese që kishte me vete. Në kohën kur u larguar, aty është afruar një makinë policie dhe Klodiani u ka kërkuar ndihmë duke i treguar se personi i kishte marrë atij shumën prej 60 euro. Punonjësit e policisë rrugore nuk kishin njohje me të pandehurin dhe se Klodianit kur i kanë marrë letrat i kanë filluar procedurën e pezullimit te lejes se drejtimit. Punonjësit e policisë ndaluan personin që u identifikua si Haxhi Kolgjegja dhe se brenda pantallonave i kanë gjetur shumën prej 60 euro. I pandehuri e pranon faktin se i ka marrë këta euro shtetasit Klodian Kaçani, por ai ia ka dhënë vetë për t’i ndërhyrë tek punonjësit e policisë për të marrë dokumentet e makinës.

Në këto rrethana i pandehuri Haxhi Kolgjegja ka konsumuar elementet e veprës penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal. Në fund të këtij procesi gjyqësor, gjykata vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Haxhi Kolgjegja, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit “ parashikuar nga neni 143/1 i Kodit Penal dhe dënon atë me 150 mijë lekë gjobë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat