Kokaina, Prokuroria bashkëpunim me Kanadanë për Ilir Hysenin

Shqipëria

Kokaina, Prokuroria bashkëpunim me Kanadanë për Ilir Hysenin

Më: 25 janar 2015 Në ora: 10:05

Ilir Hyseni, i arrestuar në Shqipëri më 14 janar si “koka” e laboratorit të përpunimit të kokainës në Xibrakë, rezulton të ketë ndryshuar emrin në gjendjen civile në Shqipëri, ndërsa me emrin Bali Meta figuron i kërkuar nga autoritetet kanadeze si dhe i dyshuar për trafik droge në Amerikë e Gjermani. Emri i 47-vjeçarit ndodhet në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar të faqen online të zyrës qendrore të Interpolit. Shpallja në kërkim është kryer nga autoritetet kanadeze për hetimet të lidhura me trafikun e kokainës. Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur verifikimet nëpërmjet oficerit ndërlidhës dhe INTERPOL-it për të konfirmuar nëse Hyseni akuzohet nga autoritetet kanadeze për të njëjtën çështje. “Do të verifikohet nëse Hyseni ka qenë i përfshirë më herët në të njëjtën linjë trafiku të drogës në Kanada për të cilën u kap 10 ditë më parë në Shqipëri. Nëse rezulton se bëhet fjalë për të njëjtën çështje atëherë dosjet do të bashkëngjiten”-thanë për gazetën burimet nga prokuroria të cilat shtuan se është njoftuar INTERPOLdhe Policia Kanadeze për arrestimin në Shqipëri të Ilir Hysenit alias Bali Meta. Pas informacionit, INTERPOL-i ka nisur procedurat për heqjen e Bali Metës nga lista e të kërkuarve. Dyshohet se Hyseni për tre vjet ka qenë një nga drejtuesit e një rrjeti të madh të falsifikimit të pasaportave, letërnjoftimeve dhe kartave të kreditit në Kanada. Ky grup i strukturuar kriminal dyshohet se kishte në posedim pesë laboratorë që prodhonin dhe fabrikonin në mënyrë identike, pasaporta, patenta kanadeze, të cilat i shisnin kundrejt shumave të konsiderueshme. Rrjeti dyshohet se ka vepruar nga viti 2006 deri në vitin 2009 kur policia kanadeze organizoi një superoperacion, i cili përfundoi me arrestimin e 10 personave dhe shpalljen në kërkim të tre të tjerëve. Këta të fundit dyshohet se ishin dhe organizatorët e rrjetit të falsifikatorëve mes të cilëve edhe Ilir Hyseni.

Ndërkohë burime nga prokuroria bënë të ditur se Hyseni ka mundur t’i shpëtojë arrestimit në Shqipëri megjithëse figuronte person i shpallur në kërkim si dhe të ushtronte aktivitetin kriminal pasi kishte mundur të ndryshonte identitetin. Jo vetëm në Kanada, por edhe në Gjermani ku ai qëndronte prej disa kohësh njihej me emrin Bali Meta. Ai është identifikuar në Shqipëri në bazë të të dhënave që kanë deleguar autoritetet gjermane për një person, i cili dyshohet si trafikant ndërkombëtar i lëndëve narkotike. Policia dhe Prokuroria shqiptare mundën të zbulonin se bëhej fjalë për Ilir Hysenin, i cili është mbajtur nën vëzhgim dhe në përgjim për rreth një muaj, duke bërë që të zbulohen edhe tetë persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Policia gjermane ka bastisur një banesë në të cilën jetonte Hyseni në Hameln si dhe një tjetër ku banonte një person i afërt i tij në Holzminden. Sipas mediave gjermane në këto dy banesa nuk janë gjetur lëndë narkotike apo sende të dyshimta. Megjithatë hetuesit e Hano-verit në Gjermani kishin mundur të identifikonin 47-vjeçari me emrin Bali Meta si trafikant të dyshuar kokaine. Mediat vendase, duke cituar hetuesit gjermanë publikuan se i dyshuari ishte mbajtur në vëzhgim dhe për herë të fundit kishte dalë nga Gjermania për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Kështu prokurorët gjermanë njoftuan menjëherë homologët shqiptarë të cilët në bashkëpunim me policinë nisën hetimet duke rënë në gjurmët e Bali Metës, tashmë i quajtur Ilir Hyseni. Rreth 10 ditë më parë, Ilir Hyseni alias Bali Meta u kap së bashku me tetë persona të tjerë pasi akuzohen për trafik kokaine. Ata dyshohet se janë të përfshirë në posedimin e një laboratori për përpunimin e kokainës që u zbulua javën e kaluar në ish-magazinat e rezervave të shtetit në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Në këtë magazinë u gjetën 100 kg kokainë e papërpunuar, tre tonë përzierës si dhe pajisjet e një linje të përpunimit të lëndës narkotike, ndërsa njërit prej të arrestuarve iu gjetën në makinë rreth 18 kg kokainë e përpunuar si dhe iu bllokuan edhe rreth 350 mijë euro. Prokuroria bëri të ditur pas operacionit se hetimi kishte nisur në muajin dhjetor pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet hetimore gjermane. Këta të fundit kishin identifikuar Ilir Hysenin si të përfshirë në një linjë ndërkombëtare të trafikut të kokainës nga Shqipëria me destinacion Gjermaninë.

Bizneset tek ish-magazinat “fshehën” laboratorin

“Ngritja e laboratorit për përpunimin e kokainës për të arrestuarit do të ishte i sigurt tek ish-magazinat e rezervave të shtetit në fshatin Xibrakë të Elbasanit. Kjo për shkak se tek këto ish-magazina ka biznese të tjera të cilat do të largonin vëmendjen nga hyrje-daljet e personave dhe makinave në ambientet e tyre’ thanë për gazetën burimet policore. Laboratori i ngritur në ambientet e ish-magazinave nuk ka qenë një vendim i shpejtë i organizatorëve sipas policisë por i mirëmenduar dhe i sigurt për ta. “Këto ambientet nuk janë të mbikëqyrura nga kamera sigurie, ndodhen larg banesave duke mbajtur kështu në distancë kureshtarët si dhe ka hapësira të blloshme për të siguruar kryerjen e të gjitha proceseve që nevojiten për përpunimin e kokainës’ thanë më tej burimet policore. Ndërkohë që dy prej të arrestuarve janë pikërisht pronarët e ish-magazinës e cila ishte konvertuar nënjë laborator modern për përpunimin e lëndës narkotike ku u gjetën 100 kg kokainë e papërpunuar si dhe 3 ton përzierës. Në këtë laborator qëndronin pothuajse 24 orë dy shtetas kolumbianë të cilët punonin pa pushim për përpunimin e kokainës. Ata njiheshin si specialistë të të gjitha proceseve të përpunimit të kokainës dhe arrestimi i tyre u krye pikërisht në ambientet e këtij laboratori.

Në kërkim të Xhixhës, policia: Hetime në disa qytete

Ndonëse Policia e Shtetit nuk ka deklaruar asnjëherë zyrtarisht për provat që posedon për të akuzuar shtetasin Genci Xhixha si të implikuar në rrjetin e trafikut të kokainës të zbuluar më 14 janar, apo zbardhjen e rolit të tij në këtë rrjet, ajo ka bërë të ditur se është angazhuar për kapjen e tij. Burime nga Policia e Shtetit bënë të ditur se po vijojnë hetimet dhe kërkimet për kapjen e Xhixhës, i cili dyshohet se fshihet në Shqipëri. Policia tha se janë mbajtur në vëzhgim të afërm dhe të njohur të Xhixhës në disa qytetet por nuk rezulton të jenë takuar me ta gjatë ditëve të fundit. Për herë të fundit ai ka hyrë në Shqipëri më 12 janar dhe nuk rezulton të ketë dalë që prej asaj datë nga pikat e kalimit kufitar. Të njëjtat burime shtuan se nuk është lokalizuar ende vendndodhja e tij, ndërsa janë bërë kontrolle në banesat e të afërmve dhe miq të tij, por pa rezultat. Emri i Xhixhës u lakua disa herë gjatë përgjimeve të policisë një ditë para operacionit më 14 janar kur u arrestuan nëntë persona. Genci Xhixha prej vitesh jeton në Kuba, ndërsa grupi hetimor ka ngritur dyshime se është pikërisht ai i cili ka siguruar lidhjen mes shqiptarëve dhe të huajve për trafikun e lëndës narkotike. Aktualisht emri i Xhixhës figuron vetëm në listën e personave të shpallur në kërkim nga policia pasi Prokuroria e Përgjithshme mohoi se ka nxjerrë urdhër-ndalimi në ngarkim të tij. “Në momentin që u bë shpallja e tij në kërkim policor, u siguruan informacione se ai ndodhej në Shqipëri dhe deri dje nuk figuron të jetë larguar jashtë vendit nëpërmjet pikave të kalimit kufitar” thanë burimet policore. Nga ana tjetër prokuroria bëri të ditur se për ta Genci Xhixha nuk është person i shpallur në kërkim nga ana e saj. “Prokuroria nuk ka prova për të akuzuar Genci Xhixhën si person të përfshirë në këtë çështje, ndaj dhe nuk ka lëshuar asnjë urdhër-ndalimi në ngarkim të tij. Aktualisht ai është shpallur vetëm në kërkim policor, pasi policia gjatë operacionit ka ngritur dyshime se ai është i përfshirë në këtë rrjet të trafikut të lëndëve narkotike. Megjithëse bëhet fjalë për trafik ndërkombëtar të kokainës deri më tani janë kryer arrestime vetëm në Shqipëri. Hetuesit gjermanë të cilët “nuhatën’ të parët rrjetin e trafikut ndërkombëtar, dyshojnë se kokaina kishte për destinacion shtetin e tyre dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rrjet të cilët operonin në këtë shtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat