Kryeministri Rama takon homologun serb Vuçiq

Shqipëria

Kryeministri Rama takon homologun serb Vuçiq

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 15:21

Në Beograd, sot ka vazhduar dita e dytë e Samitit 16 + 1, i Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Samiti ka për qëllim bashkëpunimin ekonomik.

Ditën e sotme të samitit e kanë karakterizuar takimet dypalëshe ndërmjet përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse në samit, si dhe arritjes së disa marrëveshjeve ndërmjet tyre. Në kuadrin e këtyre punimeve, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është takuar me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ata kanë biseduar për bashkëpunimin dypalësh, për projekte infrastrukturore dhe integrimet evropiane.

Rama dhe Vuçiq, kanë konstatuar se ekzistojnë potencialet për zhvillim dhe bashkëpunim në fushat e ekonomisë, energjetikës dhe kulturës.

Në takim e dy kryeministrave, është thënë se një interes i veçantë ekziston për forcimin e bashkëpunimit në fushën e rritjes së sasisë të shkëmbimit të mallrave. Në këtë takim kanë qenë të pranishëm edhe ministrat e brendshëm, të tregtisë, ekonomisë, arsimit, të transportit edhe energjetikës të të dyja vendeve.

Ministri i transportit dhe infrastrukturës i Qeverisë së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, kanë nënshkruar marrëveshjen për pranimin e ndërsjellë të lejeve për vozitje të të dyja shteteve.

Gjithashtu është theksuar nevoja për zbatimin në vepër të paraqitjes së përbashkët para fondeve evropiane, që janë të ndërlidhura me projektet e përbashkëta, e të cilat janë propozuar gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në gusht të këtij viti në Berlin, nën organizimin e kancelares gjermane Angela Merkel.

Kryeministri shqiptar, Rama, ka theksuar mundësinë e krijimit të një partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, gjë që do të dërgonte një porosi të rëndësishme për bashkëpunimin rajonal.

Ndryshe, takimi i sotëm Rama- Vuçiq, e ka pasuar, takimin e 10 nëntorit , kur kryeministri shqiptar pati vizituar Beogradin dhe ku, pos tjerash, pati deklaruar se pavarësia e Kosovës është një realitet i pamohueshëm. Kjo deklaratë pati shkaktuar reagimin e zotit Vuçiq, i cili e pati cilësuar si provokim të rëndë.

Zoti Rama është takuar edhe me kryeministrin e Kinës, Li Keqjang dhe kanë biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, përtej pakos prej 10 miliard dollarësh që Pekini ka premtuar për investime në rajon në projekte kryesisht infrastrukturore. Kryeministri Rama kërkoi nxitjen e bashkëpunimit në bujqësi dhe rritjen e investimeve kineze në energji dhe infrastrukturë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat