17-vjeçarja jetime: Energjinë e lidha për të pjekur bukën që gatova vetë

Shqipëria

17-vjeçarja jetime: Energjinë e lidha për të pjekur bukën që gatova vetë

Më: 30 nëntor 2014 Në ora: 08:42

E mitura jetime nga Fushë-Arrëzi që u arrestua të enjten nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike, u lirua dje.
Gjykata e Pukës ka dhënë dje masën e sigurisë "Detyrim paraqitje" për të miturën Kristjana K. 17-vjeçarja u shpreh pas lirimit nga burgu, se arrestimi ka qenë momenti më i vështirë që pas vdekjes së babait. Në një prononcim për mediat, e mitura tha, se e kishte rilidhur energjinë elektrike për të pjekur bukën e gatuar vetë dhe se veprimet e saj megjithëse të jashtëligjshme ishin vetëm për arsye mbijetese.
"Ishte një akt mbijetese dhe isha e ndërgjegjshme për rrezikun, por nuk mund t'i lija pa bukë 4 motrat dhe vëllain", është shprehur e mitura.
17-vjeçarja jetime, u arrestua nga policia të enjten, pasi kishte rilidhur energjinë elektrike për të pjekur bukën e gatuar vetë. Policia dhe OSHEE ia kishin prerë energjinë para disa ditësh, pasi ajo nuk kishte paguar faturat. Kristjana tha se nuk ka patur asnjë mundësi për të paguar faturat, pasi nuk ka asnjë të punësuar në familje.
Duke mos patur mundësi që të blejë bukën, Kristjana e gatuan vetë atë për 4 motrat dhe vëllain të mbetur jetimë pas vdekjes së babait. Por ndërprerja e energjisë i ka hequr këtë mundësi. Uria ka pllakosur familjen Kola dhe për këtë shkak, Kristjana ka ndërmarrë një vendim të rrezikshëm për jetën e saj, duke rilidhur vetë energjinë elektrike.
Ende pa e pjekur bukën, mbërrijnë forcat e policisë dhe i ndërpresin energjinë dhe e vënë në pranga. Vajza përfundoi në prangat e policisë dhe me furgon u dërgua në Komisariatin e Policisë së Pukës, ku u mbajt për rreth 48 orë. Arrestimi i të miturës jetime ka shkaktuar reagime jo vetëm te banorët e Fushë-Arrësit.
Ata thonë se “është e turpshme që një vajzë minorene të arrestohet nga policia pse rilidhi energjinë për bukën e 4 motrave dhe vëllait të saj jetimë”. Kurse theksojnë se Qeveria nuk i ka dhënë asnjë përkrahje kësaj familjeje në nevojë, ndërsa dy ditë më parë i vuri prangat jetimes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat