Balla: Mziu në protestë se nuk paguan energjinë

Shqipëria

Balla: Mziu në protestë se nuk paguan energjinë

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 09:24

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla denoncoi gjatë seancës së djeshme plenare, rastin e kryetarit të bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziut, të cilin e akuzoi se nuk paguan detyrimet për energjinë elektrike. Sipas deputetit socialist, Mziu i ka Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike një detyrim prej 1.139.397 lekësh. Balla tha se kjo është dhe arsyeja, që kryebashkiaku Mziu, i zgjedhuri i Partisë Demokratike, ka qenë në protestën e opozitës ditën e shtunë, bashkë me stafin e tij. Balla paralajmëroi se sot do të bëjë publike dhe faturat e papaguara të kryetarit të bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Bashës. E ndërsa në fund të fjalës së Ballës ishte deputeti socialist, Erjon Braçe i cili ngriti shqetësimin pse Mziu nuk arrestohet.

Akuza

“E kam ndjekur me vëmendje protestën e opozitës dhe pjesëmarrës në të ishte dhe kryebashkiaku Mziu, që bërtiste më shumë se të tjerët. Ylli i protestës së Lulit dhe Saliut, kryetari i bashkisë Kamzë nuk ka paguar energjinë elektrike as në shtëpi, as në bashki. Ai është një ndër debitorët më të mëdhenj të OSHEE-së. Familja e Xhelal Mziut ka të papaguara deri ditën e djeshme 1.139.397 lekë, fatura të energjisë. Kjo është dhe arsyeja që Mziu, bashkë me Lulin e Saliun bërtisnin: nuk duam të paguajmë energjinë elektrike, ndaj duam të rrëzojmë qeverinë”, - u shpreh Balla. Gjithashtu, ai tha se në protestën e ditës së shtunë ishte i pranishwm i gjithë stafi i bashkisë Kamzë, nga punonjësi i parë, deri tek i fundit. Debia që kjo bashki i ka OSHEE-së, sipas deputetit socialist, kap shifrën e 436 milionë lekëve. Deputeti socialist paralajmëroi se sot do të bëjë publike dhe faturat e papaguara të kryedemokratit Lulzim Basha. “Nesër keni faturat e papaguara të Lulit”, - tha ai. Pas fjalës së Ballës, deputeti socialist, Erion Braçe, ka ngritur pyetjen përse nuk arrestohet Xhelal Mziu, përballë një shkelje të tillë. Sipas faturave të bëra publike nga Balla, kryebashkiaku i Kamzës nuk ka paguar faturat e muajve janar, korrik, gusht dhe shtator të këtij viti. Pas akuzave të ligjvënësit të selisë rozë, ka reaguar dhe kryebashkiaku i Kamzës duke theksuar se familja e tij dhe bashkia Kamzë nuk janë debitorë për energjinë elektrike.

“Kjo është një nga shpifjet e radhës të pushtetarëve të majtë, të cilët duan të hedhin baltë me çdo kusht ndaj bashkisë Kamzë dhe kryetarit të saj, gjë që nuk është e para herë. Gjithashtu, në përgojimin e radhës së Taulant Ballës thuhet se Xhelal Mziu ka protestuar për mospagimin e faturave të energjisë. Në të vërtetë, z.Xhelal Mziu, ashtu si mbi 200 mijë vetë të pranishëm në protestën e 22 nëntorit, që po u fut tmerrin qeveritarëve të errësirës dhe varfërimit, protestoi kundër rritjes së çmimit të dritave nga ana e qeverisë, kundër rritjes së taksave, papunësisë, kundër varfërimit çdo ditë e më shumë të shqiptarëve, kundër prishjeve në mënyrë selektive e të paligjshme të banesave dhe lokaleve, kundër terrorit të shtetit policor. Për sa i takon energjisë elektrike, kryebashkiaku Xhelal Mziu pohon se është korrekt në pagimin e faturave të saj”, - thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat. Në vijim të kësaj deklarate kryebashkiaku Mziu shtoi se e kundërta ka ndodhur dhe po ndodh me qeverinë e cila nuk është korrekte me qytetarët. “Është vetë Rama që premtoi ulje të çmimit të energjisë elektrike gjatë fushatës elektorale, por me të ardhur në pushtet po bën të kundërtën, po e rrit çmimin e saj. Është ky kryeministër që premtoi legalizime falas nga Kamza, ndërsa i ka bllokuar ato së bashku me lejet e ndërtimeve”- deklaron Mziu. Në deklaratë thuhet se edhe bashkia Kamzë është model në detyrimet e saj në shërbim të qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat