Shqipëria merr kryesimin e SEPCA-s

Shqipëria

Shqipëria merr kryesimin e SEPCA-s

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 17:26

Shqipëria ka marrë sot kryesimin e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Shefave të Policisë të Europës Juglindore (Southeast Europe Police Chiefs Association – SEPCA).

Kreu i policisë së shtetit, Didi mori pjesë në këtë asamble në Beograd, pasi Serbia është edhe vendi, që mbante presidencën e radhës të saj. Ky takim ishte i një rëndësie të veçantë, pasi përkonte edhe me marrjen e presidencës së radhës të kësaj Shoqate nga ana e vendit tonë, për 12 muajt e ardhshëm.

President i Shoqatës u zgjodh Artan Didi, një moment që u shoqërua edhe me një ceremoni solemne gjatë së cilës u bë kalimi i flamurit zyrtar të SEPCA’s nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Serbe për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare.
Gjatë ceremonisë Didi, vuri në dukje përpjekjet intensive që po bëjnë qeveritë dhe organizatat policore të rajonit, për forcimin dhe konsolidimin e sistemit demokratik në vendet respektive, duke u përballur me sfidat e rritjes, sfida këto që lidhen ngushtë me luftën ndaj sëmundjeve të ngjashme, që kanë kapur shoqëritë tona si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i qenieve njerëzore, fenomenet e migracionit të paligjshëm etj.

Po ashtu, Didi, gjatë fjalës së tij, evidentoi zhvillimet e jashtme dhe të vazhdueshme në hartën e BE-së, raportet e reja, që janë krijuar nga shtetet e rajonit tonë me BE-së, si dhe zhvillimet në arenën ndërkombëtare, të cilave u është shtuar edhe konflikti Sirian dhe dalja në skenë e ISIS në këtë rajon, që është shumë pranë nesh.

Për rrjedhojë, Didi theksoi se shoqata nuk mund të jetë ajo e një viti më parë:

“Ne duhet t'u përgjigjemi zhvillimeve brenda vendeve tona dhe atyre rajonale, ndaj organizata jonë duhet të na ndihmojë për t’ju përgjigjur sfidave rajonale me një strategji rajonale, dhe ne tashmë e kemi identifikuar këtë nevojë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat