Rakipi: Hapja e dosjeve e vonuar, të zbardhet e kaluara

Shqipëria

Rakipi: Hapja e dosjeve e vonuar, të zbardhet e kaluara

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 09:54

Ish- prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Z. Arben Rakipi, mbështet idenë e hedhur nga kryeministri Rama, për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, madje e quan një veprim të vonuar këtë veprim. Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Rakipi komentoi se tema e hapjes së dosjeve e rikthyer për diskutim nga kryeministri Rama dhe dje së fundmi nga kryeparlamentari Ilir Meta, nuk duhet të mbetet vetëm në kuadrin e deklaratave. Ish-prokurori tha se Shqipëria është vonuar shumë në këtë pikë dhe këshillon ligjvënësit që të përshpejtojnë këtë nismë. Rakipi tha se Shqipëria është nga të paktat vende që çështjen e dosjeve e ka lënë në errësirë totale për 24 vjet. Ai sqaroi se hapja e dosjeve, ku fshihen plot të vërteta duhet të bëhet me insistimin e ligjvënësve, pavarësisht kostove, pasi kjo do të ndihmojë në kryerjen e reformave që ka nisur vendi.

Zoti Rakipi është rikthyer çështja e hapjes së dosjeve, para tri ditësh nga kreu i qeverisë Edi Rama dhe e rithënë dje nga kryeparlamentari Ilir Meta. Si i vlerësoni deklaratë?

Hapja e dosjeve është detyrë e ligjvënësve dhe ata duhet të vendosin. Unë mendoj se është një proces që duhet të mbarojë herët a vonë dhe nuk duhet kërkuar një moment tjetër. Kemi ngelur mbrapa në këtë pikë dhe zbardhja e tyre do të lehtësonte dhe ndihmonte të gjitha proceset që ka nisur vendi ynë. Çështja e interpretimit dhe zbatimit në rastin e dosjeve, është një çështje që del përtej parimeve dhe palëve politike. Them se jemi të vonuar në këtë proces. Duhet të kishte ndodhur, pse duhet të prisnim mbi 24 vite që çështja e dosjeve të mbetej e errët edhe më tej. Tani që ka vullnet, mendoj se nuk duhet humbur kohë, madje sipas meje, klasa politike duhet të përshpejtojë.

Thoni se hapja e dosjeve ndihmon procesin që ka nisur vendi ynë. A nuk mendoni se fokusimi te zbardhja e dosjeve do të ndalonte procesin e reformave që ka nisur qeveria duke ditur se dhe ashtu opozita dhe mazhoranca nuk kanë gjetur konsensusin për reformat?

Me hapjen e dosjeve të gjitha proceset e nisura dhe reformat do të kryheshin më mirë. Reformat e nisura dhe hapja e dosjeve nuk ka pse të pengojnë ose ndikojnë te njëra- tjetra. Madje unë do të thosha se e ajo do t'i shërbente dhe reformave. Është e domosdoshme të mbyllim llogaritë me të kaluarën, nuk ka pse të kemi frikë nga e kaluara.

Cila periudhë dhe cilat lloj dosjesh mendoni se janë më me rëndësi dhe që duhet të hapen të parat?

Është çështje teknikaliteti. Mënyra si zgjidhet dhe cilat duhen zgjedhur që të hapen të parat është gjë e dorës së dytë. Ajo që duhet theksuar është se ky proces do të ndriçonte njëherë e mirë shumë paqartësi. Përvojat e vendeve të tjera kanë treguar se hapja e dosjeve është një ndihmë e çmuar në përpjekjen e demokratizimit të vendit dhe një tentativë për të nisur proceset.

Cili do të ishte ndikimi që mund të sillte në shoqëri hapja e dosjeve?

Pa diskutim që impakti do të ishte pozitiv dhe do të hapte një perspektivë të re për shoqërinë dhe për politikën në tërësi. Ne duhet të mbyllim hesapet me historinë tonë. Nuk ka asnjë problem nëse e shikojmë të kaluarën. Duhet të shohim përpara dhe nuk mund të shohim përpara pa u çliruar nga kujtesa historike. Hapja e dosjeve të së shkuarës, ku fshihen plot të vërteta duhet të bëhet me insistimin e ligjvënësve, pavarësisht kostove.

Doda: Të largohen spiunët pastaj hapni dosjet

Deputetja demokrate, Mesila Doda, thotë se mazhoranca po përpiqet ta kthejë në një shfaqje hapjen e dosjeve. Sipas saj, hapja e dosjeve nuk ka asnjë vlerë nëse nuk largohen nga institucionet shtetërore spiunët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Deputetja demokrate tha se hapja e dosjeve është një ky proces krejtësisht i pamjaftueshëm. Sipas saj mazhoranca po tenton të reduktojë këtë plagë të madhe historike në një proces fals e sipërfaqësor.

“Mazhoranca po mundohet me këtë rast të lajë hesapet me procesin e enverizmit që po i bën sot e gjithë ditën politikës shqiptare. Do kërkoj me këmbëngulje dhe do mbështes nismën jo vetëm për hapjen e dosjeve, por veçanërisht për t’i hapur rrugë procesit të lustracionit.Nuk ka hapje dosjesh pa largimin e ofiqarëve, spiunëve, dëshmitarëve, ishzyrtarëve të inkriminuar, nga instancat e larta shtetërore, nga Parlamenti, nga drejtësia, ekzekutivi”, tha Doda.

Më tej, ajo tha se nesër Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, bashkë me studentët e dhjetorit dhe ish të persekutuarit politik do të organizojë një aktivitet, për të çuar në Parlament ligjin e lustracionit. “Unë jam pa dyshim një nga mbështetësit e kësaj iniciative. Ftoj gjithë kolegët e mi dhe veçanërisht ishstudentët e dhjetorit t’i bashkohen kësaj nismë, si hap i parë për një proces real e të vërtetë dekomunistizimi të shoqërisë sonë”, thotë deputetja demokrate.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat