"Operacioni kundër vjedhjes së energjisë do të vazhdojë"

Shqipëria

"Operacioni kundër vjedhjes së energjisë do të vazhdojë"

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 09:52

Operacioni kundër vjedhjes së energjisë do të vazhdojë sepse është themeli i pazëvendësueshëm për të ngritur siç duhet sektorin e energjisë. Deklarata u theksua dje nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së dhjetë të Këshillit Ekonomik Kombëtar. Në takimin ku morën pjesë dhe përfaqësuesit e biznesit, Rama theksoi se ky operacion nuk ndëshkon pjesën më të varfër të shoqërisë, por ka bërë të mundur dhe do të bëjë të mundur arrestimin, ndalimin, ndëshkimin e atyre që bëjnë biznes me energjinë elektrike. Ai u ka dhënë më tej përgjigje ankesave të biznesit por dhe opozitës për paketën fiskale.

Energjia

“Më në fund Shqipëria përgatitet të kalojë një ligj që garanton përmbushjen e detyrimit të vendit si pjesë nënshkruese e traktatit të komunitetit të energjisë. Arsyet e nënshkrimit të kësaj marrëveshje që quhet paketa e tretë e energjisë, janë të shprehura qartazi nga KE-ja. Synojnë mbrojtjen e konsumatorit të energjisë elektrike dhe konkurrencë të ndershme. Këto janë dy arsyet që orientojnë projektligjin, dhe duhet të shihen si pjesë tjetër komplementare në aksionin kundër vjedhësve të energjisë”, - deklaroi Rama. Ai theksoi se projektligji nuk parashikon dhe as do të parashikojë falje faturash, por përfshin dispozita specifike për ekzekutimin e faturave të energjisë elektrike. Ndërkaq, kreu i qeverisë i është drejtuar edhe opozitës e aktorëve të tjerë që të mbështesin këtë operacion, duke theksuar se ky aksion nuk është në interes të qeverisë, por të të gjithë vendit. “Në këtë operacion duhet të jemi të gjithë së bashku, pa asnjë dallim, pasi në këtë operacion nuk varet fati i qeverisë, apo i një pjese të shoqërisë, por varet fati i vendit tonë, dhe se çfarë do të jetë Shqipëria mbas disa vitesh. Por edhe sepse ky operacion është themeli i pazëvendësueshëm për të ngritur të gjithë ngrehinën e re të sektorit të energjisë”, - vijoi kryeministri.

Paketa fiskale

Rama shfrytëzoi mbledhjen e KEK-ut për t’i dhënë përgjigje disa prej ankesave të biznesit, por edhe akuzave të opozitës mbi paketën e re fiskale. Duke u fokusuar tek tre taksat që rriten, akciza për cigaret, taksa për karburantet dhe tatimi mbi të ardhurat dytësore, Rama tha se paketa është tërësisht në linjë me politikën e shpallur nga qeveria. “Qoftë tek e para, qoftë tek e dyta dhe e treta nuk jemi duke i prekur as mësuesit, as infermierët dhe askënd nga e gjitha ajo masë e 97 për qind të shqiptarëve që përfituan nga kalimi nga taksa e sheshtë tek taksimi i ndershëm, ndërkohë biznesit i kemi thënë që do t’ua rrisim dhe nuk ju kemi gënjyer. Kur kemi thënë taksim të ndershëm, kemi thënë që do t’ua rrisim”, - tha Rama. Ndërsa përmendi kritikat dashamirëse, siç i cilësoi ai, të sipërmarrjes por dhe kritikat e opozitës, theksoi se kjo qeveri nuk mund të bëjë më shumë se kaq, madje kaq është maksimumi i saj, sigurisht i kushtëzuar për shkak të detyrimeve të prapambetura.

“Sipërmarrja e para nuk duhet të harrojë që kjo qeveri është e para që respekton detyrimet ndaj sipërmarrjes. 720 milionë dollarë që i gjetëm përpara si plaçkë të lënë në derë, nuk thamë çne në derën tonë, por e morëm si detyrim tonin dhe do i paguajmë. Kjo duhet ta bëjë sipërmarrjen të vetëdijshme se kjo qeveri po bën maksimumin”, - shtoi Kryeministri. Rama deklaroi se qeveria ka krijuar një marrëdhënie të re me sipërmarrjen dhe këtë e ka ilustruar duke marrë si shembull rimbursimin e TVSH-së. “Këtu duhet të na e jepni ne këtë benefit që rimbursimin e TVSH-së e keni siç nuk e keni parë në ëndrrën tuaj më të bukur për 20 vjet rresht. Ky është një nga vlerësimet që bën edhe misioni i FMN-së. Kolegë tuaj mund të japin dëshmi plot se si e kanë marrë TVSH-në dhe e kanë ndarë me ata të TVSH-së, filluat 90 me 10 pastaj në fund kaluat në 50-50”, - deklaroi kryeministri në mbledhjen e fundit për këtë vit, të Këshillit Ekonomik Kombëtar.

Paketë për shlyerjen e detyrimeve ndaj privatit

Kryeministri Edi Rama njoftoi nga Librazhdi përgatitjen e një pakete të re financiare për shlyerjen e detyrimeve ndaj gjithë investitorëve privatë në sistemin energjetik. Këtë masë të re, Kryeministri e bëri të ditur gjatë vizitës në hidrocentralet “Rapun 1” dhe “Rapun 2”. Duke iu drejtuar qytetarëve, Rama pohoi se Shqipëria evropiane ndërtohet duke marrë përsipër edhe sakrifica, por kjo nuk do të thotë se do të ketë një rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët. Gjatë vizitës në Librazhd kryeministri është ndaluar dhe një biznes fason të cilin e cilësoi si një histori suksesi që gjeneron vende të reja pune. “Me buxhetin 2015- s kemi vënë fond të posaçëm për mbështetjen e punësimit, dhe kësaj industrie në mënyre të veçantë, 5 % nga tatim/ fitimi biznesi fason do ta marrë mbrapsht”, - tha ai më tej. Gjatë vizitës në Librazhd kryeministri ka inspektuar punimet në sheshin qendror të qytetit, në kuadër të projektit “Rilindja e Qyteteve” si edhe ka marrë pjesë në inaugurimin e zyrës së re për legalizimin e ndërtimeve informale.

Reagime

PD: Transparencë për çmimin e energjisë

Partia Demokratike i ankohet Fondit Monetar Ndërkombëtar për politikat e qeverisë lidhur me taksat por dhe heqjen e fashës për energjinë elektrike. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u ka deklaruar përfaqësuesve të FMN-së, Nadem Ilahi dhe Jens Reinke se rritja e re e taksave është e papranueshme për opozitën. Sipas kreut të PD-së, rritja e një viti më parë ka dhënë pasoja dramatike në ekonominë e vendit dhe një rritje e re do të thellojë recesionin me pasoja katastrofike për ekonominë. “Është vetë qeveria që nuk shprehet se sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike, ndërkohë që KESH-i, OSTja dhe OSHEE-ja që janë agjenci shtetërore, kanë dërguar kërkesat për rritje çmimi. Pra, nga njëra anë, qeveria kërkon rritje çmimi dhe nga ana tjetër nuk po ua thotë shqiptarëve se sa do të rritet çmimi”, - nënvizoi ai. B

asha shtoi se nuk ka një reformë në sektorin energjetik, por thjesht një masë shtrënguese në kurriz të shqiptarëve, duke rritur çmimin e energjisë, duke ua ndërprerë energjinë atyre që nuk kanë mundësi të paguajnë, pasi janë pa punë dhe në mjerim ekonomik. Nga ana tjetër, duke u ndalur në buxhetin e vitit 2015, kreu i PD-së u shpreh i shqetësuar për faktin se janë rritur shpenzimet qeveritare ndërkohë që janë ulur investimet, janë ulur fondet për mbështetjen sociale, nuk është shtuar numri i infermierëve apo mësuesve, por i policëve dhe i punonjësve të INUK-ut.

Demokratët kanë dalë dhe në terren për t’u njohur me ankesat e qytetarëve për energjinë. Koordinatori ligjor i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ishte dje tek Fusha e Aviacionit në Tiranë ku disa prej banorëve u ankuan për fatura afrofe ose abuzive, për të cilat nuk kanë marrë përgjigje nga autoritetet. Për të shmangur lënien në errësirë dhe pa energji të banorëve, siç pretendon opozita, Partia Demokratike propozoi një skemë që nuk ndëshkon qytetarët, por i stimulon ata të paguajnë.

Gjiknuri: Janë rritur arkëtimet me 50 për qind

Arkëtimet e energjisë elektrike, krahasuar me muajt e mëparshëm, janë rritur me 50 për qind. Deklarata është bërë dje nga ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri i cili ka inspektuar një prej aksioneve të OSHEE- së. Ministri tha se në total, për 10 mujorin e parë të këtij viti, arkëtimet janë rritur me 70 milionë dollarë krahasuar me periudhën janar-tetor të 2013-s, çka sipas tij dëshmon se sektori po formalizohet.

“Arkëtimet janë rritur me 50 për qind, një fillim i formalizimit të sektorit. Ka mbi 5000 kërkesa për kontrata të reja dhe së fundmi kompania ka blerë matës të rinj për t’i instaluar aty ku mungojnë. Mbi të gjitha janë dy faktorë të rëndësishëm, kemi një ulje të kërkesës për konsum me 15 për qind, do të thotë që qytetarët po tregohen më të kujdesshëm dhe rritje të faturimit me 11 për qind”, - deklaroi ai. Ministri Gjiknuri përjashtoi edhe një herë mundësinë e një amnistie për debitorët duke theksuar se e vetmja lehtësi për ta do të jetë pagesa me këste, e shtrirë në kohë.

“Ky operacion do të vazhdojë. Nuk është më thjesht një operacion i rastit, por do të jetë një qasje e vazhdueshme që do të ketë shteti ndaj të gjithë debitorëve dhe ndaj të gjithë hajdutëve të energjisë. E kemi thënë që kjo reformë është mjaft e nevojshme, këto masa janë të domosdoshme. Në qoftë se do donim që në të ardhmen të kemi çmime të qëndrueshme të energjisë elektrike, kyçi i suksesit është stabiliteti financiar i sektorit. Task-Forca ka nisur nga puna, ka rekrutuar njerëzit e parë dhe ka filluar edhe ajo veprimet në terren për të identifikuar nganjëherë edhe rolin që kanë punonjës të papërgjegjshëm të shoqërisë”, - tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat