Rruga e Kombit, në dhjetor mbyllet procedura e koncesionit

Shqipëria

Rruga e Kombit, në dhjetor mbyllet procedura e koncesionit

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 09:40

Në vitin 2015 kalimi i rrugës së Kombit do të bëhet me pagesë, ndërkohë që shpresohet edhe ndërtimi i hekurudhës Tiranë- Rinas- Durrës. Kështu u shpreh ministri i Transportit Edmond Haxhinasto, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2015, përballë deputetëve të komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Është diskutuar edhe më herët që rruga e Kombit do të jepet me konçension, çka do të sjellë edhe një mirëmbajtje më të mirë të saj. Kjo procedurë pritet të përfundojë në muajin dhjetor të këtij viti ndërsa zbatimi i koncesionit mund të nisë që në muajin janar. Në të njëjtën kohë edhe qytetarët që do të kalojnë në këtë rrugë do të paguajnë për të. Burime nga Ministria e Transportit thanë se pagesa që do të jetë për Rrugën e Kombit, do të jetë më e ulët se mesatarja e rrugëve të kësaj kategorie në rajon.

Vlerat monetare që një qytetar shqiptar do të paguajë për të kaluar në rrugët që do të menaxhohen nga koncensionarët do të jetë në vlerat mesatare ose nën mesataren e rajonit. Burimet thanë se mesatarja aktuale në rajon është 6 euro për 100 kilometër. Pas këtij vjen shpjegimi se kjo vlerë do të jetë më e ulët. Të gjitha projektet e depozituara në ministrinë e Transporteve, janë në proces vlerësimi, edhe shifra është në proces vlerësimi, ndërsa studimi i fizibilitetit nuk është miratuar ende nga Ministria e Financave.

Po ashtu sipas burimeve ende nuk është vendosur sa do të jenë shifrat mbi bazën e të cilave do vendosen tarifat dhe distancën e segmenteve rrugore që do të tarifohen. Vendimi përfundimtar për dhënien me konçension do të miratohet në varësi të studimit të fizibilitetit, pas kësaj mund të miratohet. Fizibiliteti edhe mund të pësojë disa ndryshime me ndërhyrjen e ministrisë së Financave. Ndërkohë që ministri i Transporteve deklaroi se deri në fund të vitit do të mbyllet edhe tenderimi për të dhënë më konçension pikërisht këtë aks rrugor. Megjithatë detajet e projektit nuk janë zbuluar ende.

Buxheti i transporteve

Për vitin 2015, sektori i transportit dhe infrastrukturës do të marrë 40.39 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, duke sjellë një rritje prej 2.76 miliardë lekë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2014, ku rritjet evidente janë veçanërisht në sektorin e ujësjellëskanalizimeve dhe në atë të mirëmbajtjes së rrjetit rrugor. Investimet kryesore do të jenë në sistemin rrugor, me mirëmbajtjen e rrugëve dhe sistemin e sigurisë, si dhe me sistemin e infrastrukturës së ujësjellëskanalizimeve. Haxhinasto tha se rritja e cilësisë së shpenzimeve në mirëmbajtjen e rrugëve dhe sigurisë rrugore, në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve apo mbetjeve të ngurta urbane, do të sillte një ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet fundore të çdo sektori në qeveri dhe një impakt të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të vendit dhe atë të qytetarëve.

Një tjetër potencial i konsideruar për buxhetin do të jetë realizimi i të ardhurave, përmes konçesioneve në disa shërbimeve, ku ministri Haxhinasto u ndal në koncesionimin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit, projekt që pritet të tenderohet brenda këtij viti dhe gjatë 2015-ës të sjellë efekte në buxhet. Siguria rrugore kërkoi një rritje me rreth 200 për qind ose rreth 4 miliardë lekë krahasuar me 2014-ën. “Investimet në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, do të jenë me rreth 14.8 për qind krahasuar me buxhetin e kaluar, për mundësimin e projektit pwrkatws pwr Durrësin; kolaudimit dhe përfundimit të pikave të kolaudimit të ujërave të zeza, duke sjellë përfundimin e rrjeteve përkatëse dhe impaktin direkt në rreth 400 mijë banorë”- u shpreh minstri. Për sa i përket transportit hekurudhor, i cili thuajse është inekzistent në vendin tonë për vitin e ardhshëm do të marrë nga buxheti i shtetit 460 milionë lekë për shpenzime korrente dhe 325 milionë lekë për shpenzime kapitale.

Në raportim u tha se ky sektor ka një trend në rritje me rreth 30 për qind gjatë 2014-ës, duke prezantuar si prioritete të këtij sektori realizimin e studimit për linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës dhe realizimin e një studimi ekonomik për rrjetin kombëtar hekurudhor. Transporti detar është parashikuar të përthithë rreth 1.2 miliard lekë. Projektet kryesore do të jenë: vendosja e sistemit të monitorimi për informacion për të gjithë manaxhimin që realizon Drejtoria e Përgjithshme Detare; konkludimi i projektit të zgjerimit të terminalit të pasagjerëve në Portin e Sarandës, si dhe faza II e thellimit në Portin e Shëngjinit.

Menaxhimi i mbetjeve urbane, projekte të reja

Riciklimi dhe problemet e shkaktuara nga mbetjet urbane, do të përfshihen në reforma për të tërhequr investime. Ministri Edmond Haxhinasto u shpreh se: “Mbetjet urbane janë sektor i rëndësishëm që kërkon reformë të thellë dhe mund të krijojë një realitet të ri nga thithja e investimeve, duke theksuar se organizimi i ri institucional i këtij sektori do të tërhiqte investitorë potencialë. Disa prej projekteve kryesorë për 2015 në këtë sektor janë administrimi e mbetjeve të ngurta në Maliq, përfundimi i vend-depozitimit të Çorovodës, studim fizibiliteti për vendgrumbullimin rajonal të ri të Vlorës, studimet për kryerje e disa vend depozitimeve të mbetjeve në Durrës, Sarandë, Vlorë”.

Ashtu si ministritë e tjera që kanë raportuar deri më tani në komisionin e Ekonomisë dhe Financve, edhe ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi se buxheti i shpërndarë për dikasterin e tij nuk është i mjaftueshëm. “Kërkesat janë shumë më të mëdha, por kjo ndarje e buxhetit është në harmoni të plotë me politikën e përgjithshme të qeverisë, për të kontrolluar borxhin për të rritur kthimin e investimeve , efikasitetin e investimeve dhe efektshmërinë e kthimit të tyre, duke krijuar hapësirë për të konsoliduar prioritetet që ne kemi në sektorin e transportit dhe infrastrukturës në drejtim të rritjes së sigurisë, rritjes së mirëmbajtjes, ujësjellës-kanalizimeve dhe rritjes së cilësisë së shërbimit të qytetarëve”- u shpreh Haxhinasto.

Ndryshon formulari për ndihmën ekonomike

Ndryshon një pjesë e rregullave dhe formularëve për familjet që përfitojnë ndihmën ekonomike. Udhëzimi është publikuar dje në fletoren zyrtare dhe përmban disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr 338/3 datë 10.3.2006, mbi zbatimin e vendimit të këshillit të ministrave për përcaktimin e kritereve dhe procedurave si dhe të masës së ndihmës ekonomike. Ajo se çfarë do të ndryshojë është procedura. Për personat punëkërkues të papunë që refuzojnë vende pune apo pjesëmarrje në programe të tjera shtetërore, për këta persona, administratori pas konfirmimit të marrë, nuk vazhdon procedurat e mëtejshme për përfitimin e ndihmës ekonomike.

Ndryshimi tjetër është fakti se projektvendimi do të përmbajë numrin rendor, emrin dhe mbiemrin e kryefamiljarit si dhe për herë të parë shtohet dhe emri dhe mbiemri i bashkëshortes (sipas formularit bashkëngjitur). Po i njëjti ndryshim do të jetë edhe për vendimin, ku në formular do të futet edhe emri i bashkëshortes. Me udhëzimin e ministrit ndihma ekonomike e familjes përfituese tërhiqet pranë sporteleve të bankave ose Postës Shqiptare nga bashkëshortja. Në rastet kur bashkëshortja ka ndërruar jetë, ndihma ekonomike tërhiqet nga kryefamiljari. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat