Kuvendi hap procedurat për 2 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës

Shqipëria

Kuvendi hap procedurat për 2 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 15:18

Kuvendin hap procedurat paraprake për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të Bankës së Shqipërisë.

Përmes një vendimi, Kuvendi njofton se afati i dorëzimit të dokumentacionit, të kandidatëve që janë të interesuar, duhet të bëhet brenda 10 ditëve.

Gjithashtu në vendim cilësohet se brenda 5 ditësh, do t’i nënshtrohet dëgjesës në ambientet e Kuvendit dhe në fund të këtij procesi, nuk duhet të votohen nga më pak se 28 deputetë.

Por vendimi nuk përjashton mundësinë, që kandidati mund të prezantohet në Kuvend nga deputetët edhe jashtë kësaj procedure.

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

I. Miratohet procedura paraprake e përzgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, sipas fazave të mëposhtme:

a) Shërbimet e Kuvendit të shpallin dhe të bëjnë publike vakancën e organit kushtetues nga Kuvendi (në faqen zyrtare të Kuvendit dhe mjetet e informimit publik). Në shpallje të përcaktohet edhe dokumentacioni që duhet të shoqërojë CV-në e kandidatit për përmbushjen e kritereve ligjore, si dhe pëlqimi i kandidatit me shkrim. Afati i dorëzimit të dokumentacionit të bëhet brenda 10 ditëve nga publikimi.

b) Në përfundim të afatit të përcaktuar në shpallje, lista me kandidaturat e vetofruara u bëhet e njohur anëtarëve të Kuvendit.

c) Shërbimet e Kuvendit, brenda 5 ditëve nga dërgimi i njoftimit te deputetët i listës së kandidaturave të vetofruara, organizojnë dëgjesën publike në mjediset e Kuvendit. Shërbimet e Kuvendit, njoftojnë të gjithë deputetët/grupet parlamentare për ditën, orën dhe mjediset ku do të kryhet dëgjesa publike dhe prezantimet e çdo kandidati në këtë proces të hapur.

ç) Pas dëgjesës publike, të paktën 28 deputetë përzgjedhin kandidatin/kandidatët, të cilët do të mbështesin për t’ia paraqitur Kuvendit, sipas cilësive profesionale dhe performancës gjatë prezantimit.

d) Kandidaturat që do të marrin mbështetjen e jo më pak se 28 deputetëve depozitohen zyrtarisht në protokollin e Kuvendit dhe vazhdojnë procedurat e parashikuara në nenin 111 të Rregullores së Kuvendit.

II. Procedura paraprake e propozuar në pikën I, të këtij vendimi, nuk është e detyrueshme për t’u ndjekur nga deputetët, si dhe nuk përjashton në asnjë rast që të paktën 28 deputetë t’i paraqesin Kuvendit një kandidat që është përzgjedhur prej tyre jashtë procedurës së sipërcituar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat