Naço dhe Ganaj: KLD-ja pengoi hetimin e pasurive të gjyqtarëve

Shqipëria

Naço dhe Ganaj: KLD-ja pengoi hetimin e pasurive të gjyqtarëve

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 09:15

Kreu i ILDKPKI-së kritika Këshillit të Lartë të Drejtësisë për mungesën e masave ndaj gjyqtarëve që kanë fshehur pasurinë
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Shkëlqim Ganaj fajësuan dje Këshillin e Lartë të Drejtësisë për problemet e gjyqësorit apo mungesën e procedimeve penale ndaj gjyqtarëve. Gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar në Komisionin e Ligjeve lidhur me konstatimet e Progres-Raportit për korrupsionin në drejtësi, Naço tha se shkak për këtë është KLD-ja e cila nuk ka vepruar edhe kur kërkesat e tij për ndërhyrje kanë qenë të përsëritura. Kritik ishte edhe Ganaj që deklaroi se KLD-ja nuk i është përgjigjur as kërkesës së ILDKPKI-së për nisjen e procedimeve penale ndaj gjyqtarëve që kanë fshehur pasurinë. Ai ka shtuar se KLD-ja nuk ka pranuar as të firmosë një memorandum bashkëpunimi. Sa i përket punës në institucionin që drejton, Ganaj tha se nga marsi deri tani janë bërë 70 kallëzime penale, më shumë se në 10 vite bashkë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ndërsa tha se muajt në vijim do të tregojnë dhe rezultatet e punës me prokurorinë.

Kritikat për KLD-në

Ministri Naço pasi ka bërë një panoramë të plotë të konstatimeve të Progres-Raportit ka vënë theksin tek mungesa e bashkëpunimit me KLD-në. “Nuk arrita dot që të kisha një marrëdhënie pune me nënkryetarin e shkuar të KLD-së për shkak të qëndrimit refraktar që mbante KLD-ja dhe vetë nënkryetari. Mund të them sot se në 1 vit mbledhjet i kam marrë vesh vetëm 48 orë para. Të gjitha kërkesat e mia janë refuzuar dhe është tentuar që të mos futeshin në rendin e ditës, jo më të diskutoheshin”, -deklaroi ai duke përmendur kërkesat e ish-kryeprokurore së Përgjithshme apo ish-kryetares së Gjykatës së Lartë. “Unë besoj që me ndryshimet përkatëse, me miratimin e dy kandidatëve të tjerë, sigurisht që nuk ndryshojnë votat, por sjellim një frymë të re në KLD”, - tha Naço.

I pyetur nga deputetja Vasilika Hysi lidhur me vonesat në zbatimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që nuk lidhen vetëm me çështjen e pronës por edhe me problemin e paraburgimit dhe kujdesin e shëndetit mendor, Naço tha se ministria ka përshpejtuar procedurat për të zbatuar vendimet e kësaj gjykate. “Mund të them që kërkesa në Strasburg janë 395, duke marrë të dhënat e janarit 2014. Çështjet që janë duke u shqyrtuar janë gati 64 raste të komunikuara në janar të 2014-ës, 16 raste të komunikuara në shtator që kanë të bëjnë me shkelje të konventës për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore dhe dëmshpërblimit të tyre”, - sqaroi ai. Sa i përket reformimit të Gjykatës Kushtetuese, Naço tha se ajo është pjesë e reformës tërësore në drejtësi, por nuk është parë si një institucion më vete. Mosfunksionimi si duhet i gjykatave Administrative, mungesat në staf apo vonesat në shqyrtimin e vendimeve ishin shqetësimet e ngritura nga Fatmir Xhafaj dhe Armando Subashi. Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, Naço tha se KLD-ja në mënyrë selektive ka bërë emërime gjyqtarësh në këto gjykata.

“Kur kam bërë propozimin për plotësimin e vendeve vakante ndesha një qëndrim refraktar të KLD-së, ka mangësi në 50 për qind të gjykatave. KLD-ja i ka shpallur vetë vendet vakante, në kundërshtim me ligjin. Fakti që edhe mbas 1 viti nga koha kur ministri kërkoi plotësimin e vendeve vakante, nuk janë marrë parasysh tregon qartë situatën. KLD-ja nuk plotësoi vendet në qarqet e ndryshme të vendit, kishte interes vetëm në Tiranën e Durrësin”, - akuzoi Naço. Lidhur me Pallatin e Drejtësisë ministri sqaroi se pritet që shumë shpejt të shpallet konkursi për dizajnin e këtij pallati për të vazhduar më pas me etapat e tjera. Mungesa e dëshirës për bashkëpunim nga ana e KLD-së është theksuar dhe nga kreu i ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj sipas të cilit Këshilli nuk ka pranuar të firmosë memorandumin e bashkëpunimit.

“Dhe në Progres-Raport rekomandohet memorandumi me KLD-në. E kemi kërkuar por nuk është realizuar, jo për fajin tonë. Shpresojmë që më drejtuesit e rinj do të gjejmë mirëkuptimin për të realizuar sa më shpejt këtë memorandum sepse realisht është shumë i rëndësishëm”, - theksoi Ganaj. Ai shtoi se KLD-ja nuk ka pranuar të bashkëpunojë dhe për kallëzimet penale të ngritura nga ILDKPKI-ja. “Problem mbetet KLD-ja sepse megjithëse ka pasur raste të rënda me fshehje pasurie, raste të rënda të shkeljes së Kushtetutës dhe në konflikt interesit, deri më sot nuk ka marrë asnjë masë disiplinore ndaj zyrtarëve të kallëzuar nga ne”, - theksoi Ganaj. Ai tha më tej se institucioni që drejton në 7 muaj ka bërë 70 kallëzime penale dhe ka vënë 300 gjoba, masa këto shumë më të larta se në 10 vite bashkë. Në kuadër dhe të rekomandimeve të BEsë, Ganaj premtoi shtimin e kontrolleve të zyrtarëve nga 4-fishimi i këtij viti, në 5-fishim në vitin 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat