PD akuzon deputetët e PS-së për trafik droge

Shqipëria

PD akuzon deputetët e PS-së për trafik droge

Më: 24 tetor 2014 Në ora: 08:23

“Nuk mund të flasim për emra. Nuk kam folur në emrin tim, por në emrin e Partisë Demokratike, në një dalje të dytë do të bëjmë të ditur edhe emrin e personit të përfshirë për çështjen në fjalë”, ky është prononcimi që ka dhënë deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani për gazetën “Shekulli”. Insistimit për të publikuar emrin e personit që PD akuzon Ristani i përgjigjet shkurt: Edhe njëherë, emrin do të nxjerrim në daljen tjetër para mediave”. Ndërkohë në një dalje publike mesditën e djeshme deputeti Ristanit, këmbënguli se deputetë të Partisë Socialiste mbrojnë trafikantët. Duke iu referuar rastit të Vilunit, deputeti demokrat tha se kreu i organizatës nuk u arrestua pasi u fut në makinën e blinduar të një deputeti socialist. Në kontaktin që patëm me Ristanin ai nuk pranoi të nxirrte emra.

Por Ristani thotë se në rastin në fjalë thotë se Rama duhet të tregojë interesat që i bëjnë këta deputetë të dalin mbi ligjin, mbi rendin, mbi shtetin. Policia e Shtetit tha se ka treguar e do vazhdojë të tregojë se nuk ka më të paprekshëm dhe as të privilegjuar, siç pretendonte të mërkurën Arben Ristani nga selia blu.

Reagimi

Ndërkohë kryeministri Rama nga Kuvendi, akuzat e deputetit Ristani i ka quajtur komike. Ai tha se PS kandidatëve për deputetë i ka kërkuar dëshmi penaliteti. “Pjesa komike edhe në këtë aspekt është e pranishme, sepse zëri më përfaqësues i opozitës në ngritjen e gjithë valës së akuzave ndaj përfaqësuesve të kësaj shumice në Kuvend apo ndaj përfaqësuesve të kësaj shumice në të gjithë nivelet e ekzekutivit, është një ish- i burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion”, tha Rama. Për kryeministrin akuzat nuk janë serioze pasi vijnë nga një ish- i burgosur ordiner për mashtrim dhe korrupsion.

“Deputeti Ristani është një ish- i burgosur, i cili kërkon përpara shqiptarëve, në emër të opozitës, llogari për krime apo akte të paligjshme të prezumuara, të patrajtuara apo të pandëshkuara ndonjëherë nga ndonjë gjykatë e këtij vendi”, tha Rama. Nga ana tjetër, ish-zv/ministri i Brendshëm u qëndroi akuzave të tij direkte ndaj kryeministrit Rama, se ka ngritur sistemin e mbrojtjes së trafikantëve. “Edi Rama është vënë në mbrojtje të organizatorit të trafikut të drogës nga zona e Vilunit drejt Italisë. Edi Rama ka ndaluar aksionin e Policisë, ka hedhur poshtë punën e gjatë të shërbimeve shqiptare dhe shteteve fqinje, duke mos lejuar arrestimin e kreut të organizatës mafioze", thotë Ristani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat