Deputetët e PS-LSI kundër policisë së Tahirit: Janë kthyer në gjobvënës

Shqipëria

Deputetët e PS-LSI kundër policisë së Tahirit: Janë kthyer në gjobvënës

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 21:32

Tiranë- Deputetët e mazhorancës qeverisëse në komisionin parlamentar të ligjeve kryqëzuan sot ministrinë e Brendshme dhe atë të Trasportit, me kërkesën e tyre për ndryshimin në Kodin Rrugor.
Gjobat gati të pesëfishuara për shkelësit e rregullave të qarkullimit dhe përdoruesit e rrugëve në vend, në kodin e ri, kanë nxehur debatet mes deputetëve socialist.
I pari që u shpreh kundër ishte Bashkim Fino, i cili argumetoi se në çdo nen shikohet tendenca për rritjen e gjobave, por kjo që nuk shpjegohet.
“Cili është shkaku që rritet dhe ka ndonjë statistikë që ti të bën të detyruar që ta rritësh këtë gjobë përshkak të atyre statistikave, se këtë se kuptoj unë”, u shpreh Fino.
Për Xhemal Qefalinë, ndryshimet rëndojnë xhepat e qytetarëve.
“Me këtë ligj që ne po bëjmë dhe me rritjen klasike të gjobave nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se rëndojmë xhepat e qytetarëve shqiptarë”, tha Xhemal Qefalia.
Vasilika Hysi shkon me tej, duke i cilësuar ndryshimet si diskrimin për qytetarët. Prandaj ajo kërkoi në një seancë dëgjimore ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe atë të Transporteve Edmond Haxhinasto.
“Sugjeroj përveç ndryshimit të emërtimit të nenit 117 duke filluar që nga paragrafi i parë e deri te paragrafi i fundit duhet rregulluar dhe unifikuar terminologjia. Duke hequr shprehjet: I prekur nga sëmundjet fizike, ka paaftësi organike, se çdo të thotë paaftësi organike askush nuk e di, të meta psikike në një vend tjetër, të meta mendore në një vend tjetër, probleme psikike në një tjetër, nuk shkon. Terma që fyejnë, që diskriminojnë personat me aftësi të kufizuara qoftë dhe për shkak të shëndetit mendor duhen eleminuar me ligj”, theksoi Vasilika Hysi.
Pandeli Majko vazhdon të jetë i tmerruar nga policët gjobëvënesë në rrugët shqiptare, ndryshimet sipas tij nuk e zgjidhin këtë.
“Ju e dini shumë mirë dhe nuk ka nevojë pse ta zgjasni këtë histori që shpesh ata që quhen policë të trafikut në rrugët kombëtare kthehen në gjobavënës klasik dhe duke i dhënë këtë të drejtë thuajse gjyqësore që unë ngrita ti se pe, unë ndalova ti nuk më pe etj etj dhe duke vënë dhe llogjikën që në qoftë se e përsërit të hiqet patenta, siç e keni vënë ju këtu, të hiqet leja nga 9 muaj deri në një vit atëhere duhet të matesh mirë kur flet apo t’i kthesh përgjigje mirë këtyre njerëzve që shpesh janë policë të rregullt por ka edhe kafkafolës”, deklaroi Pandeli Majko.
Kryetari i komisionit të ligjeve Fatmir Xhafa ka ironizuar duke thënë se gjobat janë bërë shqiponja.
“Përveç atij policit të trafikut, keni vënë edhe atë të shqiponjës ju edhe ca të tjerë. Dalin rrugëve ata vënë vetëm nga një gjobë pam e pam e pam… Se ça bëhet në këtë gjë, i keni bërë shqiponjë gjobat fare”, ironizoi Fatmir Xhafa.
Deputetë kanë adresuar dhe vërejtje për mënyrën e hartimit të neneve. Vetëm një i tillë është i shkruar në 6 faqe, duke humbur thelbin, jashtë çdo praktike ligjore.
Ne kodin e ri parashikohet që subjektet që vendosin reklama anës rrugëve nacionale të dënohen me gjobë deri në katër milion lekë.
Por sipas kryetarit të grupit të LSI-së, Petrit Vasili, shuma është e ekzagjeruar pasi rritja e gjobës sipas tij nuk sjell zbatimin e ligjit.
Gjatë mbledhjes së Komisionit, deputetët u kanë shprehur përfaqësuesve të Ministrisë së Transportit vërejtje për mënyrën e hartimit të neneve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat