Ambasadori i Francës: Mbështetje në rrugën tuaj drejt BE-së

Shqipëria

Ambasadori i Francës: Mbështetje në rrugën tuaj drejt BE-së

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 22:07

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti sot në një takim kortezie ambasadorin e ri të Francës, Bernard Fitoussi.

Ministrja Gjosha e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e dhënë nga Franca për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Pas marrjes së statusit të vendit kandidat, Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme dhe për ne është shumë e nevojshme që nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve, koordinimit të duhur dhe adaptimit të eksperiencave më të mira nga vendet që kanë kaluar këtë proces përpara nesh, të çojmë përpara axhendën evropiane”, u shpreh Ministrja Gjosha.

Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, duke theksuar se intensifikimi i kësaj fryme bashkëpunimi, sidomos në nivel teknik, do të ishte mjaft frytdhënës në mbarëvajtjen e procesit të integrimit. Pasi e informoi për hapat që po merren nga qeveria për procesin e integrimit, Gjosha nënvizoi se angazhimi është maksimal për vazhdimësinë e reformave. Ndërsa ambasadori francez theksoi mbështetjen e Francës në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Gjërat kanë ndryshuar edhe në lidhje me imazhin e Shqipërisë dhe kjo është një gjë mjaft pozitive për vendin tuaj. Franca është një vend që ju mbështet në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian. Në këto momente fokusi juaj duhet të jetë mirëorganzimi për të ndërtuar dhe çuar përpara procesin e integrimit dhe jo datat kalendarike”, u shpreh ambasadori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat