Kushtetuesja pezullon vendimin e qeverisë për kodin IMEI, reagon PD

Shqipëria

Kushtetuesja pezullon vendimin e qeverisë për kodin IMEI, reagon PD

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 09:03

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e qeverisë për kodin e e celularëve, IMEI. Një trupë gjykuese e kësaj gjykate, vendoi pezullimin e vendimit të qeverisë deri në një afat të papërcaktuar. Në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese thuhet se vendimi i qeverisë me nr.354, datë 04.06.2014 të Këshillit të Ministrave “Për ngritjen e bazës së të dhënave IMEI për regjistrimin e numrave IMEI të aparateve celulare, që përdoren në rrjetet e shërbimeve të komunikimeve të lëvizshme është i papajtueshëm me kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”. Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për kodin IMEI derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi. Vendimi për kodin IMEI u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike me pretendimin se nuk duhet të bëhet regjistrimi i numrit IMEI të aparateve celularë sepse në këtë mënyrë cenohet privatësia e shtetasve shqiptare dhe se qëllimi i qeverisë Rama gjithmonë sipas PD-së është përgjimi i qytetarëve. Sipas PD ky vendim i qeverisë është antiligjor dhe është plotësisht në kundërshtim me parimet themelore të të drejtave të njeriut. Vendimi për kodin IMEI u miratua nga Këshilli i Ministrave në datën 4 korrik. Ministrja e Inovacionit u shpreh se pretendimet e opozitës janë absurde pasi IMEI nuk është një përgjues, qeveria nuk ka për qëllim të depërtojë në të dhënat personale të qytetarëve por ndalimi i kontrabandës së telefonave celularë dhe taksimi i tyre sipas ligjeve të shtetit shqiptar. Ministrja Harito kodin IMEI e krahasoi me shasinë e makinave. Menjëherë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin pa afat të vendimit të qeverisë për kodin IMEI ka reaguar Partia Demokatike.

Në një dalje për shtyp nga selia blu deputeti Eduart Halimi ka përshëndetur vendimin e gjykatës. Sipas Halimit ky është një sinjal që drejtësia në vend po ndryshon duke ndaluar Edi Ramën të ndërhyjë në privatësinë e shqiptarëve. “Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ndaloi menjëherë Edi Ramën të ndërhyjë brutalisht në jetën dhe komunikimet private të qytetarëve shqiptarë, të zgjaste syrin dhe veshin e kontrollit dhe kureshtjes perverse mbi këdo dhe në çdo moment të ditës, ndaloi të ngrejë një regjistër të dhënash konfidenciale të shtetasve shqiptarë, veprim i cili do të vriste privatësinë e tyre si një e drejtë njerëzore, ligjore, kushtetuese” tha Halimi. Ish-ministri i Drejtësisë Halimi pasi e quajti ligjin antikushtetues dhe antievropian kërkoi nga Kryeministri Rama zbatimin e vendimit të gjykatës. “Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe vendimet e tjera të kësaj gjykate, të cilat janë të detyrueshme, janë të panegociueshme. Zbatimi i vendimit të gjykatave ka të bëjë me themelin e demokracisë, dhe kjo është një betejë që Partia Demokratike do ta bëjë çdo ditë, pa u lodhur, në emër të interesave të vendit” u shpreh Halimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat