Sulmi ndaj mjetit të kryebashkiakut, Bardhi: Autorët janë njerëz që duan të bëjnë zhurmë

Shqipëria

Sulmi ndaj mjetit të kryebashkiakut, Bardhi: Autorët janë njerëz që duan të bëjnë zhurmë

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 09:18

Ngjarja e mesnatës së të dielës, kur një sasi lënde eksplozive shpërtheu mbi mjetin e kryebashkiakut të Fushë-Krujës Gjon Bardhi, ka bërë që të ngrihen në këmbë ekspertet e policisë. Policia ka marrë dëshminë e Gjon Bardhit si dhe të një sërë personash që kanë qenë të pranishëm në dasmën që zhvillohej në një lokal në fshatin Larushk, ndërsa në vendin e ngjarjes nuk është bërë e mundur të gjendet asnjë gjurmë e jo më provë konkrete që të implikojë ndonjë person. Policia e Durrësit bëri me dije mbrëmjen e djeshme se po punohet intensivisht në disa pista, por në lidhje me shënjestrimin e kreut të bashkisë po hetohet vetëm për shkak të detyrës. Vetë Bardhi në një prononcim për “Shekulli” mohoi të kishte probleme e aq më tepër konflikte për shkak të detyrës, pasi sipas tij ai nuk di të ketë ndonjë individ prej të cilit mund të ruhet. Kryebashkiaku, i cili fitoi besimin e qytetarëve të Fushë-Krujës në vitin 2011, është hera e dytë që kërcënohet, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në mars të këtij viti, një sasi lënde eksplozive i shpërtheu në oborrin e godinës së bashkisë. Edhe atëherë policia nuk gjeti motiv e as autor, ndonëse si atëherë edhe tani, tritoli në Fushë-Krujë duket se është një shfaqje e zakonshme.

Rrëfimi i Bardhit

Kreu i bashkisë së Fushë-Krujës ka saktësuar mbrëmjen e djeshme se nuk ka asnjë lloj versioni mbi ngjarjen e ndodhur mesnatën e së dielës. “Makina ka qenë e parkuar në parkingun e lokalit, në Larushk. Për veç makinës sime, ishin thyer edhe xhamat e mjeteve për rreth, por e rëndësishme është që nuk pati të lënduar dhe dëme të tjera. Unë jam i bindur se ata janë thjesht disa persona që kanë për qëllim të bëjnë zhurmë dhe për asnjë moment nuk kam menduar se kam ndonjë person të cilit mund t’i drejtoj gishtin. Unë besoj se nuk bëhet fjalë për ndonjë pakënaqësi që lidhet me detyrën time pasi e njoh përkushtimin tim dhe pastërtinë time për sa kohë gjendem në atë post”. Bardhi bëri me dije se nuk ka nevojë të mbrohet nga policia dhe nga askush për sa kohë mendon dhe beson se nuk ka bërë asgjë që duhet të ketë frikë. Ndërsa në lidhje me goditjen e dytë që i bëhet pozicionit të tij të kryebashkiakut, kërkoi që policia dhe prokuroria të bëjnë punën e tyre në këtë drejtim. “Për sa kohë nuk i kam asnjë borxh kujt nuk besoj se duhet të mbrohem dhe as të ruhem. E thashë edhe paradite në një konferencë për mediet se nuk aludoj tek askush dhe aq më tepër të mendoj se bëhet fjalë për shkak të detyrës. Është e vërtetë që është sulmuar me tritol edhe godina e bashkisë, por këtu, besoj se tashmë dihet, e kanë bërë si të modës që përdorin tritolin sa herë t’iu shkrepet”, përfundon rrëfimin e tij për ngjarjen Bardhi, që duket se do të trembet përballë presioneve të tilla, edhe pse janë mjaft të rrezikshme për jetën e kujtdo.

Hetimet

Shpërthimi në mjetin e kryebashkiakut të Fushë-Krujës erdhi vetëm dy orë pas një tjetër sulmi me granatë në Tiranë dhe po ashtu, 24 orë pasi u hodh në erë një biznes në Fushë-Krujë. Ekspertët e hetimit të Krimeve të Rënda dhe ata të Antiterrorit të Policisë së Shtetit, janë gjendur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet dhe autorët e aktit të rëndë. Janë marrë dëshmitë e para ndërsa dyshimet flasin se personat që kanë kryer aktin janë afruar deri në afërsi të mjetit. Personi që ka marrë përsipër realizimin e një veprimi të tillë, duket se ka qenë tejet i guximshëm, teksa parkingu ka pasur edhe roje, por edhe për faktin se kanë qenë me dhjetëra persona si pjesë e ceremonisë së dasmës ku ishte i ftuar edhe Bardhi. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Durrësit si dhe Komisariati i Krujës, bëjnë me dije se autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes ndërsa ka dyshime se të dy shpërthimet të jenë kryer nga e njëjta ‘dorë’ pasi edhe përbërësit e përdorur për lëndën plasëse është e njëjtë, po ashtu edhe mekanizmi. Burimet e policisë së Durrësit bëjnë me dije se po punohet në një sërë drejtimesh për të bërë të mundur zbardhjen e një sërë aktesh, ndërkohë që së shpejti priten të dalin edhe rezultatet e para në lidhje me disa shpërthime. Burimet e policisë treguan se në lidhje me ngjarjen që i ndodhi kreut të bashkisë se po hetohet në pistën që lidhet me detyrën, paçka se nuk është bërë e mundur të identifikohet asnjë problem aktual as i mbartur i Bardhit për të ngritur dyshime te persona të caktuar.

Shkatërrimi me tritol i godinës së bashkisë

Me 17 mars të këtij viti rreth orës 19:40, në qytetin e Fushë-Krujës u dëgjua një shpërthim i fortë eksplozivi. Por ndryshe nga herët e tjera, kur objektive të sulmeve ishin banesat, bizneset private apo edhe automjetet, këtë herë objekti i sulmit bëhet godina e bashkisë së qytetit të Fushë- Krujës. Sulmi i 17 marsit këtij viti, ndaj godinës së bashkisë vinte pas dy sulmeve të frikshme me tritol ndaj Rajonit të Policisë së qytetit. Policia menjëherë pas shpërthimit, bëri me dije se persona ende te paidentifikuar hodhën një sasi prej rreth 200 gramë lënde eksplozivi, e dyshuar tritol, në oborrin rrethues të bashkisë së Fushë- Krujë. Fatmirësisht, nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale, edhe pse shpërthimi ishte mjaft i fuqishëm, siç dëshmuan banorët. Vetë kryebashkiaku Gjon Bardhi, deklaroi të nesërmen e shpërthimit se nuk ka asnjë konflikt personal dhe se e gjithë kjo është një shfaqje e shëmtuar për qytetin. Ai kërkoi nga forcat e policisë zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes dhe arrestimin e përgjegjësve të këtij sulmi. Ndërkaq, forcat e policisë, të mbërritura në vendngjarje, veç mbledhjes se dëshmive sekuestruan pamjet e marra nga kamerat e sigurisë së një lokali, që ndodhej pranë bashkisë së qytetit, të cilat mendohej se mund të kishin filmuar momentin e shpërthimit. Në momentin e ngjarjes, policia e qytetit ka qenë në aksion dhe kishte ngritur post-blloqe në të gjitha akset, për kontrollin e personave me armë pa leje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat