Seanca dëgjimore, Ruçi kritika kandidatëve për ambasadorë

Shqipëria

Seanca dëgjimore, Ruçi kritika kandidatëve për ambasadorë

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 09:16

Mazhoranca qeverisëse shton kërkesat ndaj përfaqësive tona diplomatike jashtë vendit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi nuk i ka kursyer kritikat e ashpra kundër kandidatëve të përzgjedhur për postin e ambasadorit. Gjatë seancës së djeshme dëgjimore zhvilluar në Komisionin e Jashtëm, me Ridi Kurtezin, kandidat për ambasador në Spanjë dhe Edmond Çaçën, kandidat për ambasador në Katar, Ruçi deklaroi se nuk mjafton vetëm njohja e gjuhës për t’u bërë përfaqësues diplomatik i Shqipërisë në një shtet të caktuar. Duke sjellë në vëmendje mungesën e një përfaqësimi dinjitoz të Shqipërisë në Kuvajt, ku Çaça ka shërbyer më herët, Ruçi theksoi se është e nevojshme që të zgjidhen njerëz që mund të sjellin atë çfarë i duhet Shqipërisë në aspektin ekonomik apo dhe bashkëpunimin politik mes dy vendeve.

Kritikat

“Unë kam pasur rastin me kryetarin e parlamentit para pak muajsh të isha në Kuvajt. Është për të ardhur keq që Shqipëria është inekzistente me projekte në këtë vend, pikërisht nga Fondi i Zhvillimit të Kuvajtit dhe nuk është kështu siç thoni ju. Unë kërkoj nga sekretari i Përgjithshëm i ministrisë që të zgjedhim jo thjesht ambasadorë që dinë gjuhën përkatëse të këtyre vendeve, rëndësi ka të dinë shqipen, kush janë interesat e Shqipërisë dhe çfarë mund të realizojë Shqipëria me këto vende. Ky është misioni juaj”, - deklaroi Ruçi dje në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm ndërsa zhvillohej seancë dëgjimore me kandidatët për ambasadorë në Katar dhe në Spanjë. Ruçi tha se gjatë vizitës në Kuvajt së bashku me kryeparlamentarin Meta ka zhvilluar takime të shumta dhe në çdo rast ngrihej si shqetësim mungesa e projekteve. “Me zotin Meta ne jemi takuar me të gjithë, dhe nga i pari tek i fundit thoshin ku janë projektet? Projektet nuk janë. Është për të ardhur keq që Fondi i Zhvillimit kuvajtian kishte miliarda e miliarda investime në dhjetëra e qindra vende në gjithë botën, në Shqipëri jo sepse nuk ekzistonin këto projekte. Është për të ardhur keq që një vend si Bosnja thith miliona euro e dollarë investime nga Kuvajti. Është për të ardhur keq që një vend si Bosnja brenda vitit thith 100 mijë turistë nga Kuvajti, Shqipëria 0”, - theksoi kreu i deputetëve socialistë.

Prandaj, shtoi ai, gjatë prezantimit është e rëndësishme që kandidatët të thonë atë që do të bëjnë dhe jo thjesht të paraqesin historinë e vendit ku shkojnë. Ju lutem shumë kur të vini që të prezantoheni këtu nuk duam as historinë se kush është Katari e kush është Kuvajti, ne dimë ti lexojmë dhe në vend tjetër. Ju nuk vini këtu për të na prezantuar as Kuvajtin as Katarin dhe as Spanjën por për ta çuar Shqipërinë apo për të sjellë ato vende këtu, për ato nevoja që ka Shqipëria, ekonomike, politike, bregdetare, turistike e ku di unë se çfarë. Aq më tepër që u prezantua këtu që jeni me formim ekonomik. Në qoftë se do të ndryshojnë marrëdhëniet tona me jashtë duhet të bëjmë politikën e madhe, duhet të kërkojmë se si të implementojmë, si plotësojmë atë që në gjuhën tuaj e quajmë diplomaci ekonomike”, - theksoi ai. Ruçi theksoi se nuk mjafton thjesht të njohësh gjuhën e një vendi. “Thjesht se shënoni në CV se keni qenë 10 vjet në Arabinë Saudite, keni bërë shkollën e mesme dhe të lartë dhe keni mësuar arabishten e ku di unë, kjo është e pamjaftueshme për të marrë detyrën e përfaqësuesit diplomatik në vende të tilla”, - theksoi ai. Më herët dhe kryetarja e Komisionit, Arta Dade kritikoi mënyrën e prezantimit të kandidatit për ambasador në Katar duke kërkuar sqarime mbi atë çka do të ishte puna e tij dhe jo historia e Katarit. Dade kërkoi sqarime dhe për mënyrën e rikthimit të Çaçës në shërbimin diplomatik pas një periudhe shkëputje. Në seancën e djeshme dëgjimore ishin Edmond Çaça, kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Katarit, si dhe Ridi Kurtezi, kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut dhe në Republikën Islamike të Mauritanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat