Nëpunësi civil, ndryshon ligji

Shqipëria

Nëpunësi civil, ndryshon ligji

Më: 15 shtator 2014 Në ora: 11:01

Ligji i nëpunësit civil do të ndryshojë sërish. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito në një intervistë për gazetën “Shekulli” sqaron ndërhyrjet në ligjin që prej disa muajsh ka hyrë në fuqi. Ndryshimi kryesor ka të bëjë me përcaktimin e kritereve të qarta të perfomancës të çdo punonjësi të administratës në mënyrë që vlerësimi të kryhet herë pas here, për të ruajtur efektivitetin e administratës publike. Por ndërhyrjet bëhen të nevojshme dhe pas ndarjes së re territoriale të vendit në vetëm 61 njësi administrative. Ministrja shpjegon verifikimet e 7500 dosjeve në nëpunësve publik nga të cilat 392 kanë dalë me probleme të tilla si mosplotësimi i kritereve apo marrja e padrejtë në punë. Ndërkohë që për 113 pozicione vakante të kategorisë së specialistëve, të grupuar në 18 grupe pozicionesh kanë aplikuar deri tani 2500 kandidatë. Ministrja Harito pohon më tej se po punohet ngushtësisht me përfaqësuesit e Komisionit Evropian në mënyrë që administrata publike të arrijë në nivelet e duhura edhe pse reforma e plotë është një proces që kërkon kohën e vet.

Zonja Harito, kryeministri Rama njoftoi pak kohë më parë për ndryshime në ligjin e nëpunësit civil. Ku konsistojnë këto ndryshime?

Ka disa çështje për të cilat ligji i ri i nëpunësit civil nuk jep zgjidhje të plotë. Një prej tyre është çështja e performancës së nëpunësve civilë. Nga niveli i profesionalizmit të administratës publike, varet afati kohor për çeljen e më pas zhvillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Negociatat janë teknike dhe kërkojnë një shkallë të lartë profesionalizmi. Po ashtu të gjithë qytetarët presin që kjo administratë t'ju ofrojë një nivel më të lartë shërbimi në të gjitha nivelet. Ndaj është e rëndësishme të caktojmë kritere të qarta performance për punonjësit civilë. Sikurse ndodh në kompanitë e mëdha private, edhe në administratën shtetërore, punonjësit do duhet të performojnë me rezultate konkrete për të pasur mundësinë të zhvillojnë karrierën e tyre. Vendi ka nevojë për një administratë cilësore në shërbim të qytetarëve sikurse ka nevojë për një administratë cilësore e cila do të realizojë negociatat në kuadër të integrimit evropian. Ka edhe disa elementë më teknikë të ligjit, si çështja e trajtimit të njësive të reja vendore në kuadër të reformës territoriale, e disa detaje të tjera të cilat dalin në pah me fillimin e implementimit te tij.

Një tjetër paralajmërim i dhënë nga kryeministri ishte rinisja e trajnimeve fillimisht për punonjësit e tatimeve dhe doganave. Në çfarë faze është ky proces?

Shkolla e Administratës Publike (ASPA) ka zhvilluar prej muajsh ciklin e trajnimeve për të gjithë inspektorët tatimorë e doganorë. Ky është procesi i hapave përpara në drejtim të përmirësimit të administratës publike, përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Prej nga fillon dhe lufta kundër korrupsionit dhe abuzimit ndaj biznesit. Rezultatet e para tregojnë tashmë një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me një vit më parë, jo vetëm të eficenës por edhe të një komunikimi të ri mes punonjësve tatimorë e doganorë me qytetarët dhe sipërmarrësit.

Është njoftuar tashmë nisja e skanimit për çdo nëpunës të administratës publike. Sa ka arritur numri i dosjeve të verifikuara dhe cilat janë problemet e evidentuara?

Pas pothuajse 5 muajsh të fillimit të zbatimit të legjislacionit të ri të shërbimit civil, tashmë kemi hyrë në një fazë tërësisht të re të menaxhimit të administratës publike. Çdo nëpunës që ka fituar statusin e nëpunësit civil ka dosjen e tij në bazë të kritereve të përcaktuara nga ligji “Për Nëpunësin Civil”. Duke respektuar këtë detyrim ligjor, gjatë kësaj periudhe Departamenti i Administratës Publike, ka kontrolluar 7500 dosje të nëpunësve që janë pjesë e institucioneve të administratës shtetërore që përfshihen në ligjin e nëpunësit civil, nga ku kanë rezultuar: 120 punonjës në institucionet e administratës shtetërore pjesë të shërbimit civil, nuk plotësojnë kriterin e arsimit të lartë, (janë me shkollë të mesme) si dhe arsimimit të kërkuar në legjislacionin specifik të funksionimit të institucionit ku ata punojnë, e si rezultat do të lirohen nga detyra; 170 punonjës janë marrë në punë pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit, të cilët gjithashtu do të largohen, për t’iu nënshtruar më pas konkurseve konform ligjit, nëse dëshirojnë të jenë pjesë e shërbimit civil; 102 punonjës ekzistues do të kenë në dispozicion një afat 2-vjeçar për të plotësuar kriterin e “Masterit Profesional” apo “Masterit Shkencor”, të kërkuar nga ligji i shërbimit civil për pozicionin e tyre të punës. Pas verifikimit të statusit të punësimit, tashmë hapet rruga për të zbatuar një procedurë krejtësisht të re të rekrutimit në shërbimin civil, duke filluar që nga organizimi i konkurseve, i cili realizohet jo me nga çdo institucion, por në mënyrë të përqendruar nga Departamenti i Administratës Publike.

Si do të procedohet në rastet kur nuk përputhen kriteret ligjore për të pasur postin që mbajnë aktualisht?

Çdo punonjës, i cili nuk përmbush kriteret e veçanta të vendit të punës, të kërkuara këto jo vetëm në legjislacionin e shërbimit civil, por edhe në legjislacionet e posaçme me të cilat veprojnë institucionet, nuk do të përfitojë statusin e nëpunësit civil.

Si po zhvillohet rekrutimi për vendet vakante në administratën publike?

Aktualisht, Departamenti i Administratës Publike ka publikuar 113 pozicione vakante të kategorisë së specialistëve, të grupuar në 18 grupe pozicionesh. Për këto vende deri tani janë rreth 2500 aplikime. Tashmë kandidatët nuk aplikojnë më vetëm për një pozicion pune, por për një grup pozicionesh të cilat kanë përshkrim të përafërt dhe kritere të njëjta pranimi. Pas verifikimit të plotësimit të të dhënave të kandidatëve me kriteret e veçanta të pozicioneve të punës, kandidatët do t’i nënshtrohen procedurës së konkurrimit, përpara Komiteteve të posaçme të Pranimit.

Cila është konkretisht procedura e vlerësimit dhe përzgjedhjes së fituesve?

Procesi për këto konkurse do të kalojë në dy faza. Faza e parë është ajo e verifikimit të dokumentacionit dhe e kritereve të përgjithshme. Faza e dytë është ajo e verifikimit të aftësive të kandidatëve. E cila do të pasohet nga një testim me shkrim, një testim me gojë, një testim aftësive profesionale të çdo kandidati. Këto testime do të kryhen nga Komitete Përzgjedhëse, të cilat janë përsëri një risi e ligjit, në kuptim që janë Komitete Përzgjedhëse që kanë një mandat 2-vjeçar, janë Komitete të cilat përzgjidhen për grup pozicionesh dhe që në përbërje të tyre kanë jo vetëm përfaqësues nga institucionet, por edhe përfaqësues ekspertë të fushave si edhe përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike të cilët janë garantë të zbatimit të procedurave për të evituar edhe proceset gjyqësore që i kanë rënduar shtetit në të kaluarën.

Ligji i cili ka disa muaj që ka nisur të aplikohet, tashmë a ka vërtet premisa për të qenë garantues i një administrate eficente dhe apolitike, kërkesa të theksuara fort dhe në raportet ndërkombëtare?

Ligji “Për nëpunësin civil” ka nisur të aplikohet që në 26 shkurt të 2014 dhe përmban disa garanci dhe risi të cilat do të mundësojnë një administratë eficente dhe apolitike. Ligji i ri “Për nëpunësin civil” sjell risi së pari në procedurën e rekrutimit duke qenë se konkurset për vendet e lira nuk organizohen me veçmas për secilin pozicion pune por konkurse masive të grupuara për pozicione të ngjashme. Kështu krijohet mundësia që fituesit, sipas rankimit, pra sipas meritës së tyre, për të parën herë kanë të drejtë të zgjedhin se ku dëshirojnë të punojnë dhe nuk ndiqet më praktika e mëparshme nëpërmjet së cilës ishin titullarët që zgjidhnin nga lista e fituesve. Aplikimi për personat që kërkojnë të bëhen pjesë e shërbimit civil për herë të parë do të jetë vetëm on-line. Në këtë mënyrë, kushdo mund të aplikojë thjeshtësisht, pa qenë nevoja të paraqitet fizikisht pranë institucioneve të ndryshme. Në këtë mënyrë procedurat janë me transparente. Po ashtu po punojmë për një sistem të dixhitalizuar testimi, për të evituar maksimalisht subjektivizmin, duke i dhënë secilit një shans të barabartë.

Mendoni se në vlerësimin e radhës që do të vijë nga BE administrata nuk do të jetë më në listën e zezë?

Ne punojmë në marrëdhënie të ngushtë, thuajse të përditshme me përfaqësuesit e Komisionit Evropian. Në të gjitha shkëmbimet, ashtu si edhe në Dialogun e Nivelit të Larte me Komisionerin për Zgjerimin, është njohur puna shumë e madhe e Departamentit të Administratës për implementimin e ligjit të ri në një kohë rekord si edhe vullneti i qeverisë sonë për të krijuar një administratë profesionale si edhe për zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por sigurisht që reforma e administratës publike është një proces i cili kërkon kohë pasi jemi përballë një ndryshimi radikal për sa i përket marrëdhënies së punonjësit të shtetit me vendin e punës. Puna në shtet nuk mund të konsiderohet më si një punë ku punonjësi vetëm përfiton nga avantazhet dhe komoditetet që i ofron posti pa dhënë në këmbim atë për të cilën parashikon detyra e tij. Kjo qeveri do i japë fund këtij modeli duke e rikthyer nëpunësin civil në shërbim të qytetarit.

Konkurrimi, mënyra e vlerësimit të kandidatëve

1. Vlerësimi i kandidatëve përfshin:

a) Vlerësimin e jetëshkrimit të kandidatëve që konsiston në vlerësimin e arsimimit, të eksperiencës e të trajnimeve, të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore;

b) vlerësimin me shkrim;

c) intervistën e strukturuar me gojë.

- Vlerësimi i dokumentacionit

a) Jetëshkrimi 10 pikë për secilin kandidat të seleksionuar për intervistën me gojë;

b) Deri në 10 pikë për eksperiencën në lidhje me pozicionin: 3 pikë për tejkalim të lehtë të kërkesave – deri në 1 vit eksperiencë shtesë në fushën e kërkuar, ose eksperiencë shtesë në një fushë tjetër të lidhur më pozicionin, por që nuk është kërkuar; 6 pikë për tejkalim të kërkesave – nga 1-3 vite eksperiencë shtesë në fushën e kërkuar, ose eksperiencë shtesë në një fushë tjetër të lidhur më pozicionin, por që nuk është kërkuar; 10 pikë për tejkalim domethënës të kërkesave – më shumë se 3 vjet eksperiencë shtesë në fushën e kërkuar ose eksperiencë shtesë në një fushë tjetër të lidhur më pozicionin, por që nuk është kërkuar.

c) Deri në 5 pikë për trajnimin e lidhur me pozicionin: 1 pikë për tejkalim të lehtë të kërkesave – 1 trajnim shtesë, të lidhur më pozicionin; 3 pikë për tejkalim të kërkesave -2-3 trajnime shtesë, të lidhura me pozicionin; 5 pikë për tejkalim domethënës të kërkesave – më shumë se 3 trajnime shtesë të lidhura me pozicionin.

ç) Deri në 10 pikë për kualifikimet (diploma, aftësi, zotësi, kompetenca, etj) shtesë të lidhura me fushën përkatëse të pozicionit dhe të vërtetuara me dokumente. Pikët duhet të jepen vetëm për diplomat ose certifikatat që janë të domosdoshme për të kryer detyrat: 3 pikë për tejkalim të lehtë të kërkesave – 1 dokument shtesë që vërteton kualifikimet; 6 pikë për tejkalim të kërkesave – 2-3 dokumente shtesë që vërtetojnë kualifikimet; 10 pikë për tejkalim domethënës të kërkesave- më shumë se 3 dokumente shtesë që vërtetojnë kualifikimet;

d- Deri në 5 pikë për vlerësimet më të fundit 3pozitive: 2 pikë për vlerësimin në nivelin “mirë”; 5 pikë për vlerësimin në nivelin “shumë mirë”.

- Shuma totale e pikëve të intervistës me gojë është 60.

- Pikët për dokumentet e paraqitura dhe për intervistën me gojë, mblidhen. Kandidati që merr më pak se 70 pikë nuk konsiderohet i suksesshëm. Komiteti i Brendshëm zgjedh kandidatin, i cili renditet i pari me pikë maksimale, për t’u emëruar në vendin e lirë.

- Nëse në procedurën e lëvizjes paralele merr pjesë vetëm një kandidat dhe merr jo më pak se 70 pikë, atëherë kandidati emërohet në vendin e lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat