"Ballkani më pranë BE-së"

Shqipëria

"Ballkani më pranë BE-së"

Më: 28 gusht 2014 Në ora: 17:50

Në takimin mes zonjës Merkel, presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe 7 kryeministrave të vendeve të Ballkanit perëndimor mesazhet kanë qenë mëse inkurajuese. Ato janë përcjellë më pas edhe në deklaratën e përbashkët për shtyp.

Në fjalën e saj, kancelarja Merkel ka shprehur mbështetjen pa rezerva të Bashkimit Evropian për të përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Në këtë drejtim Merkel ka premtuar një angazhim serioz të Perëndimit, duke paralajmëruar mbajtjen e një konference të tillë çdo vit për 4 vitet e ardhshme, me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit.

“Unë dhe presidenti Barroso i mbështesim vendet e Ballkanit në rrugën e anëtarësimit në BE. Jemi të angazhuar që në Ballkan të mos ketë më luftë, por paqe. Duke qenë se në këto vende ka pasur zhvillime të shumta ka mundësi që të ketë anëtarësim në BE. Për këtë arsye kjo konferencë do të zhvillohet çdo vit në 4 vitet e ardhshme”, ka thënë Merkel.

Kancelarja gjermane ka premtuar gjithashtu se do të ketë një proces të vazhdueshëm pune për zgjidhjen e problemeve politike të rajonit, duke e vënë theksin tek ato mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe në Bosnje e Hercegovinë.

“Kemi pasur idenë për të ngritur një rrjet të ri ku të bashkëpunojë gjithë rajoni. Dëshirojmë që procesi i integrimit të ecë më shpejtë që këto vende të integrohen. Sllovenia dhe Kroacia janë anëtarësuar, të tjera kanë marrë statusin dhe kanë avancuar. Por gjithçka është në dorën e tyre. Zotit Barroso thotë se Komisioni është i gatshëm t’i ndihmojë këto vende”, ka theksuar Merkel.

Ndërsa kryeministri Rama, i vetmi nga 7 kryeministrat në këtë deklaratë, në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e kësaj konference për Ballkanin perëndimor, që sipas tij është një garant për paqen në këtë rajon. Duke falenderuar posaçërisht kancelaren Merkel, kryeministri i Shqipërisë ka bërë edhe një pasqyrim të bisedimeve të prekura në takimin e zhvilluar.

“Ramë dakord sot që ky takim të bëhet çdo vit, në mënyrë që ne të thellojmë raportet BE-Ballkan”, ka thënë Rama, i cili megjithatë është shprehur i vetëdijshëm për vështirësitë e procesit të integrimit.

“Jemi të vetëdijshëm se ka dyshime, zhgënjime dhe zemëratë brenda BE-së, por megjithatë ne e shohim BE-në jo vetëm si sukses por edhe si zhvillim. Të gjitha vendet e Ballkanit sot bashkohen në rrugën e reformave, që një ditë të bashkohen me familjen evropiane. Do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por gjepolitikisht dhe gjeoekonomikisht ne e kemi të qartë se ku duhet të jetë e ardhmja jonë”, ka shtuar Rama.

Në të njëjtën linjë me kancelaren Merkel është shprehur edhe presidenti Barroso, i cili po ashtu u ka bërë thirrje vendeve të rajonit që të përshpejtojnë reformat në të gjithë sektorët. Duke theksuar se, sot Ballkani është më pranë Bashkimit Evropian, shefi i Komisionit Evropian ka vlerësuar se, bashkëpunimi rajonal do të krijojë stabilitet.

Rama-Merkel: Përgjimet, asnjë ndikim në marrëdhëniet dypalëshe

Pyetjes së Top Channel se sa ndikim do të ketë kjo konferencë në marrëdhëniet dypalëshe dhe nëse në to mund të ndikojë lajmi për përgjimet e shërbimeve sekrete gjermane në Shqipëri, kryeministri i ka dhënë këtë përgjigje:

“Lidershipi i kancelares Merkel dhe vullneti i Gjermanisë i shprehur sot në mënyrë të dukshme me këtë nismë është garancia më e sigurtë se konferenca e sotme është fillimi i një procesi ristrukturimi politik dhe ekonomik të Ballkanit. Sot kancelari i Austrisë ka anunçuar se do të jetë ky vend që do presë konferencën e vitit të ardhshëm. Ky është një tregues më shumë.

Sa i përket çështjes së përgjimeve, nënvizoj se këtu nuk ka vend për asnjë spekulim. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe ndajmë me Gjermaninë përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Prandaj kur bëhet fjalë për sigurinë nuk ka asnjë paragjykim”, ka thënë Rama.

Ndërsa kancelarja Merkel është shprehur: “Mbështes ato që tha kryeministri Rama lidhur me rastin e përgjimeve. Sa për të tjerat mund të them se, në një ditë mund të provojmë se mund të ecet përpara. Ne duhet të mbështesim popujt, kemi mbështetur marrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës, zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë dhe problemet e BeH. Gjithashtu, në këtë takim ne kemi vendosur piketat për të ardhmen”.

Më tej, duke vijuar përgjigjet kundrejt interesit të mediave, shefi i qeverisë shqiptare ka bërë me dije se do të vizitojë Beogradin më datë 22 tetor, me ftesë të homologut Aleksandar Vuçiç.

Konferenca për Ballkanin nisi punimet më herët me takimin e ministrave të Zhvillimit Ekonomik dhe përfaqësuesve të BE-së, për të parë mundësinë e avancimit të projekteve në infrastrukturë, ku më i rëndësishmi është Koridori i Kaltër, që nis në Kroaci e mbaron në Greqi, si dhe projektet në energjitikë e ato në transportin hekurudhor.

Ndërkohë, takimit mes ministrave të Jashtëm i parapriu një deklaratë e shefit të diplomacisë gjermane, Steinmeier, i cili tha se, “Kjo konferencë nënvizon faktin se Gjermania po vazhdon të angazhohet me një përkushtim të madh për të gjithë rajonin. Ajo konfirmon pohimin tonë për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor”.

Pjesë e diskutimit, tha ministri Steinmeier, do të jetë edhe shikimi mundësive se si vendet, edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, do të vazhdojnë me reformat e nevojshme.

“Pikërisht duke marrë shkas edhe nga krizat aktuale ndërkombëtare në vendet tona fqinje, dëshiroj të konsultoj me kolegët e mi se si mund të pasqyrojmë progresivisht vlerat dhe interesat e përbashkëta evropiane në një politikë të jashtme evropiane të njësuar”, tha ministri i Jashtëm.

Në këtë takim mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, si dhe komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule. Kjo konferencë për Ballkanin këtu në Belrin çel siparin e një projekti 4-vjeçar pasi në vitet e ardhshme kjo konferencë do të zhvillohet në Austri e më pas në Francë.

Mbetet me interes për t’u parë nëse çëshjet që do të dakortësohen në këtë konferencë do të bëhen realitet dhe kjo nuk do të jetë një tjetër konferencë ku ka fjalë e më pas Ballkani përsëri lihet në harresë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat