Kur madhëria të zë derën…

Shqipëria

Kur madhëria të zë derën…

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 22:02

Në një postim në rrjetin social facebook, deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda ka ironizuar detyrat e Saimir Tahirit pas vendimit të qeverisë për shkrirjen e INUK dhe kalimin në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Kur madhëria të zen derën….Është e vështirë që të gjendet në historinë e shtetit shqiptar një ministër i Brendshëm me më shumë kompetenca se sa ministri aktual. Është edhe ministër i Brendshëm edhe drejtor i madh i policisë së shtetit, policisë rrugore, policisë ndërtimore, me gjasa edhe i policisë mjedisore,, shef sigurie personalitetesh, drejton aksionet si shef forcash speciale….ç’të them??? me gjasa me shumë fuqi se kaq veç Mehmet Shehu ka pasur në shtetin shqiptar.”- shkruan Doda.

Më tej ajo thekson se zgjedhja nga ana e kryeministrit është selektive.

Sipas saj disa ministri nuk kanë arsye për të ekzistuar ende, disa të tjera nuk kanë më mundësi të përballojnë superkompetencat.

“E njëjta zgjedhje selektive edhe tek deputetet, kur Gramoz Ruçi dhe të vetët duhet të shikojnë në sy Koçon që të kenë mundësi të emërojnë ndokënd në Albpetrol apo gjetkë.

A thua do jetë sepse kryeministri i beson me shumë se të tjerëve apo i don me shumë se të tjerët???
Gjithsesi rezultati është i njëjtë. Disa ministri nuk kanë arsye për të ekzistuar ende, disa të tjera nuk kanë më mundësi të përballojnë superkompetencat. Disa deputete kanë pushtet dhe trafik influencash deri në keqpërdorim kriminal e disa të tjerë janë jashtë çdo segmenti pushteti.

Ndoshta krahasimi mund të duket hiperbolik, por me këtë rast me kujtohet thënia e Shekspirit…disa lindin të mëdhenj, disa të tjerë e kërkojnë madhërinë, disa të tjerëve madhëria u zë derën….”- përfundon postimi i deputetes Doda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat