Mashtroi shqiptarët, arrestohet "konsulli" italian

Shqipëria

Mashtroi shqiptarët, arrestohet "konsulli" italian

Më: 27 korrik 2014 Në ora: 11:11

Presidenti italian i shoqatës "Caritate Christi Compulsi Balcan" Masimiliano Nikolini është arrestuar pas denoncimeve nga disa shqiptarë për mashtrim.

Nikolini kishte ardhur në Shqipëri dhe prezantohej si konsull nderi i Shqipërisë dhe Italisë në vendet respektive.

Dyshohet se 50-vjeçari, kishte krijuar një skemë mashtruese piramidale me sigurimet shëndetësore, për kryerjen e analizave dhe të trajtimet shëndetësore.

Së paku 900 veta dyshohet se mund të jenë mashtruar nga skema mashtruese e italianit, të cilët mendohet se kanë paguar nga 120 mijë lekë të vjetra, si pagesë siguracioni për të pasur mundësinë që gjatë gjithë vitit të kishin të paguar kryerjen e të gjitha llojeve të analizave, për vete dhe për pjesëtarët e familjes.

Veç kësaj skeme mashtruese, Nikolini mësohet se ka patur probleme mashtrimi edhe me persona, të cilëve iu premtonte shlyerje të pagesave për shërbimet që ata i ofronin.

Bëhet me dije se kanë qenë 9 persona, ata të cilët kanë kallëzuar për një muaj Nikolinin për veprën penale të "mashtrimit".

Mashtrimet

Historia e Mashtrimit të Nikolinit mësohet se ka nisur këtu e pesë vite të shkuara kur ai mbërriti në Tiranë, dhe hapi një fondacion të ashtuquajtur bamirës, të quajtur “Caritate Christi Compulsi Balcan”.

Fillimisht nisi me një zyrë në godinën ku është vendosur njësia mininibashkiake nr.7 në Kombinat dhe që aty nisi të rekrutonte njërëz të ndryshëm për t’i pasur si agjentë në terren, për të mbledhur paratë e sigurimeve nga kontribuuesit.

Jo shumë vonë, ai hapi një qendër në Bulqizë dhe në Elbasan, ku gjithashtu supozohej të ndërtohej një klinikë për kryerjen e analizave dhe të kryerjes së trajtimeve mjekësore. Ndërkaq sipas burimeve të policisë, dhe dëshmitarëve të ndryshëm, Nikolini, pasi krijoi fondacionin, nxori në rrugë dhe në familje të ndryshme një grup njerëzish si agjentë terreni.

Këta iu prezantonin njerëzve një paketë sigurimi shëndetësore, me një çmim prej 12 mijë lekësh të reja. Kjo shumë parash paguhej si formë kontributi që në rast se çdo kush që kishte nevojë për vizita, diagnostikim dhe trajtim mjekësore e deri tek analizat e detajuara, ato supozohej të ishin të paguara. Në këtë mënyrë çdo kontribuues mund të kryente këto veprime shëndetësore, në klinikën e italianit në Kombinat.

Mirëpo për së paku pesë vite rresht njerëzit që kanë përfituar shërbimet për të cilat kishin paguar, jo vetëm që nuk i fituan ato, por se nuk denjuan t’i merrnin ato mbrapsht, pasi edhe shuma e paguar nuk ishte e madhe. Hileja nisi kur italiani, nisi të aplikonte dhe të merrte kredi të vogla në emër të këtyre klientëve tek një bankë e nivelit të dytë, për shuma që shkonin nga 20- apo 25 mijë lekë të reja.

Pas një apo dy apo tri muajsh, kur në bankë nuk ishte derdhur asnjë këst prej dhjetë apo 20 mijë lekësh të reja, banka telefononte klientin për t’i kërkuar paratë.

Raste të tilla sipas burimeve të policisë besohet se janë me dhjetëra, ndërsa hetuesit presin kallëzime nga të interesuarit, apo edhe nga bankat e nivelit të dytë me të cilët italiani mund të ketë pasur marrëdhënie. Policia pritet të zgjerojë më tej hetimin për zbardhjen e rasteve të tjera të mashtrimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat