Basha takon Mogherinin: Krizë e gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta

Shqipëria

Basha takon Mogherinin: Krizë e gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta

Më: 26 korrik 2014 Në ora: 12:55

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, është takuar me ministren e Jashtme të Italisë, Federica Mogherini, e cila ndodhet në një tur vizitash në rajon në kuadër të marrjes nga Roma zyrtare të Presidencës së Bashkimit Europian.

Lideri i demokratëve i shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që ka treguar Italia në këto 23 vite për vendin tonë dhe theksoi se Partia Demokratike e konsideron marrjen e statusit si një mundësi të madhe për Shqipërinë dhe është e vendosur të japë kontributin e saj në këtë drejtim.

Ndërsa në lidhje me situatën politike në vend, Basha tha se ka degjeneruar në parametrat e një krize të gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta të standardeve demokratike.

“Situata politike në vend ka degjeneruar në parametrat e një krize të gjithanshme për shkak të zhbërjes nga dyshja Rama-Meta të standardeve demokratike dhe sundimit të ligjit. Kjo situatë kritike kërkon vëzhgim të kujdesshëm dhe analizë të thellë nga ana e Bashkimit Europian, pasi vlerësimet e përcipta të kësaj situate të mbarsur me rreziqe për stabilitetin, nuk i shërbejnë objektivave të përbashkëta të integrimit europian të Shqipërisë”, u shpreh kreu i PD-së.

Basha u ndal në veçanti edhe te rasti i kreut të Këshillit të Qarkut Vlorë, Sadrit Danaj, i arrestuar në Itali dhe i raportuar nga gazetat më të mëdha atje si i përfshirë në rrëmbimin e një fëmije për gjobvënie, si dhe te rasti i të dënuarit në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi, Arben Ndoka.

“Instalimi prej kryeministrit në Parlament i instrumentit të dhunës përmes përdorimit të këtyre personave për të kërcënuar dhe goditur opozitën, ka krijuar një situatë tensioni politik dhe kjo e ka detyruar Partinë Demokratike të ndërpresë marrëdhëniet me Kuvendin, për të shmangur skenaret e gjakderdhjes”, ka thënë Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat