Harta zyrtare, si ndahen fshatrat në 61 bashki

Shqipëria

Harta zyrtare, si ndahen fshatrat në 61 bashki

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 08:40

Komisioni për Reformën Administrativo- Territoriale miratoi dje projektligjin për ndarjen e re të njësive vendore. Varianti final i ndarjes territoriale ku u përfshinë dhe sugjerimet e Këshillit të Ministrave mori 9 vota pro dhe një votë kundër, atë të Andrea Martos. Deputeti minoritar i dalë nga listat e Partisë Socialiste deklaroi gjatë mbledhjes së komisionit se u shkel parimi i vendosur nga vetë komisioni për moscenimin e kufijve territorialë të njësive aktuale, kryesisht për fshatrat e jugut. Argument ky i kundërshtuar fort nga kryetari i Komisionit, Bashkim Fino i cili theksoi se harta e re është në përputhje të plotë me këto parime. Por edhe pas diskutimeve Marto u qëndroi kritikave duke votuar kundër, ndërsa votës pro të socialistëve dhe deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim iu bashkua kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Debati

Komisioni i Posaçëm i Reformës Administrativo- Territoriale zhvilloi dje mbledhjen e fundit të tij ku miratoi dhe variantin final të hartës territoriale. Para marrjes së vendimit deputetët u njohën me sugjerimet e fundit të Këshillit të Ministrave, që u shpreh pro variantit të ndarjes së territorit në 61 njësi vendore. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi prezantoi dhe disa sugjerime që lidhen me funksionalitetin infrastrukturor të zonave. “Këto sugjerime lidhen me funksionalitetin infrastrukturor të komunës së Manzës, infrastruktura e së cilës është në harmoni me bashkinë e Durrësit, si dhe për dy komuna në fushën e Gjirokastrës, Odrie dhe Lunxhëria, që kalojnë përmes Gjirokastrës dhe infrastruktura e tyre lidhet me këtë bashki. Kemi pasur dhe shumë reagime nga Vagalati që është një fshat 100 për qind minoritar dhe bashkimi me bashkinë e Konispolit mund të sjellë probleme. Mendoj ta marrim parasysh dhe këtë rrethanë që na është krijuar”, tha Çuçi. Lidhur me këto sugjerime ndërhyri kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i cili tha se: “Nëse bëhet fjalë për Vagalatin dhe Vagalati, na prishka gjithë historinë, ne e japim konsensusin dhe për Vagalatin, por jo për Pandelejmonin dhe Sopikun”.

Ndërkohë që deputeti Marto kontestoi sërish ndarjen e re territoriale duke pohuar se janë cenuar kufijtë ekzistues të disa fshatrave. “Reforma nuk duhej të degjeneronte vetëm në shkëputjen e disa fshatrave. Ne kishim kriterin bazë mosndryshimin e kufijve kriter që u thye, kjo njollos reformën. Unë do votoj kundër, nëse nuk i qëndrojmë kritereve që kemi vendosur”, deklaroi Marto. Kjo deklaratë që u kontestua nga kreu i komisionit Bashkim Fino. “Nuk mendoj se diskutimi i para disa ditëve për tre fshatra i prish bukurinë kësaj reforme që e kemi hartuar prej kohësh”, replikoi ai. Ndërsa kreu i PDIU-së përsëriti propozimin për një reformë edhe me PD-më. “Kemi kontratën e hapur për të diskutuar kërkesat e PD dhe ka kohë deri të enjten tjetër nëse ajo është e interesuar të vijë e të bashkëbisedojmë”, - ishte përgjigjja e Finos.

Vendimi

Pas debateve komisioni miratoi me 9 vota pro dhe 1 kundër hartën finale të ndarjes territoriale ku u përfshinë dhe sugjerimet e fundit të Qeverisë. Mbi bazën e sugjerimeve të marra dy ditë më parë nga Këshilli i Ministrave i cili miratoi dhe hartën me 61 njësi vendore, Manza i bashkohet Durrësit, Lunxhëria dhe Odria, Gjirokastrës dhe Vagalati Livadhjasë. Me përcaktimin e hartës u miratua dhe projektligji “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në republikën e Shqipërisë” i cili do të kalojë më 31 korrik për votim në seancë plenare. “Ndarja administrativo- territoriale e njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë është si më poshtë: 12 qarqe dhe 61 bashki”, - thuhet në nenin 1 të këtij drafti. Në projektligj përcaktohet gjithashtu se ndarja e re do të vihet në zbatim për zgjedhjet vendore të vitit 2015 ndërkohë që organet e qeverisjes vendorë do të funksionojnë mbi bazën e organizimit ekzistues deri në konstituimin e strukturave të reja pas zgjedhjeve të ardhshme.

Replikat në komision

Andrea Marto: Me gjithë respektin që kam për kontributin tuaj politik dhe njohjet që keni për pushtetin vendor, në mbledhjen e kaluar më keni paragjykuar, keni thënë nuk jeni dakord me krijimin e Konispolit. Nëse keni ndonjë të dhënë se kam mbajtur ndonjë pozicion të tillë mund ta thoni ndryshe merrni mbrapsh ato që keni thënë.

Bashkim Fino: Faleminderit që dhe ju keni një mendim pozitiv për eksperiencën time për pushtetin vendor dhe si politikan. Absolutisht u kam bërë vetëm një pyetje, keni ndonjë problem me komunën Konispol. Mbase dhe nuk duhet ta thosha por kaq u kam pyetur në momentin që ju keni kërkuar kohë më shumë për draftin që u paraqit nga ne. Gjithsesi unë jam aq i hapur sa t’u kërkoj dhe ndjesë nëse jeni fyer.

Petrit Vasili: Unë mendoj që duke qenë në fundin e një procesi të gjatë dhe të vështirë, duhet të vazhdojmë të ruajmë thelbin. Përpara kemi një produkt që na sjell 61 njësi. Sa i takon emocionaliteteve unë nuk dua ti komentoj sepse të tilla ka pasur, ka dhe do të ketë. Hapësirat për diskutim politik nuk janë tagër i këtij komisioni. Për mua komisioni ka kryer punën në mënyrë të shkëlqyer.

Andrea Marto: Kjo është një reformë kaq e rëndësishme që nuk duhet të degjeneronte vetëm në shkëputjen e disa fshatrave. Kundërshtimi i vetëm ka qenë të zbatojmë kriteret, mos ndryshojmë kufijtë aktual të njësive vendore aktuale. Bashkohem me argumentet e zotit Idrizi pse bashkisë së Konispolit do ti japin vlerë 3 fshatra që duhet të ikin nga komuna e Livadhjasë. Nëse nuk respektojmë kriteret që kishim vendosur, i keqardhur unë votoj kundër.

Bashkim Fino: Ne nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi lënë të hapur mundësinë e diskutimit. Nuk besoj se diskutimi i disa fshatrave i prish bukurinë gjithë kësaj pune që ka nisur me miratimin e programit tonë.

Andrea Marto: Nuk duhet të interpretohet sikur po u bëhet një nder minoritarëve. Dikush thotë në facebook, e duan ata një bashki të madhe.

Bashkim Fino: Po i kthen përgjigje facebook- ut se këtu nuk është thënë ndonjë gjë. Unë nuk jam kryetar i facebook-ut, jam kryetar i komisionit. Unë nuk marr përsipër të kthej përgjigje se çfarë shkruajnë njerëzit në facebook.

Berisha: Ndarja politike, ka qëllime elektorale

Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideron si elektorale ndarjen e re territoriale të finalizuar dje. Në një reagim në rrjetin social “Facebook” Berisha shkruan se ky draft i shërben vetëm Ramës e Metës në zgjedhjet e ardhshme.“Ndarja e re territoriale Rama-Meta është harta e tyre elektorale, është anti- kushtetuese, diskriminuese dhe ndëshkon qytetarët! Cilido që i hedh një sy hartës Rama- Meta, të ndarjes se territorit konstaton së është shkelur çdo kriter gjeografik, demografik, ekonomik e kulturor dhe se ajo është e ndërtuar vetëm mbi kriterin elektoral dhe diskriminimin krahinor”, - shkruan Berisha. Sipas tij kulmi i diskriminimit arrin me Qarkun e Tiranës, i cili ka 32 deputete dhe 1/3 e popullsisë së vendit dhe është lënë vetëm me 4 bashki, pra ka 3 bashki më pak se qarku i Gjirokastrës dhe 1 bashki më pak se qarku i Beratit apo rreth 5 herë më pak se qarqet Vlorë, Berat, Gjirokastër, që së bashku sjellin në Parlament gjithsej 25 deputete dhe që janë shpërblyer me 19 bashki. “Pra ndarja Rama - Meta është thjesht ndarje elektorale apo harta e zonës së parë operative, e cila shpërblehet në këtë ndarje me 19 bashki apo me rreth 1/3 e bashkive të vendit. Ndarja e re territoriale zhduk nga harta 320 komuna dhe është një dhunim flagrant i Kushtetutës së Shqipërisë”, - shkruan Berisha. Sipas ish-kryeministrit për një vend në zhvillim e sipër, fshirja e komunave nga harta vendos në harresë përfundimtare zonat më të pazhvilluara të vendit, pasi iu heq atyre buxhetimin direkt dhe i shndërron ato në satelit jetim të qendrave urbane dhe kjo nxit shpërnguljen masive të banorëve të këtyre zonave drejt qendrave të mëdha urbane apo emigrimin jashtë vendit.

Komunat dhe qarqet: Ndarja, një hap gjysmak

Shoqata e Komunave kundërshtoi variantin përfundimtar të reformës territoriale, duke e cilësuar një reformë gjysmake dhe të dëmshme për vendin. Shoqata sjell në vëmendje studimin e saj të prezantuar një muaj më parë mbi bazën e të cilit në kushtet e Shqipërisë, ndarja më e mirë territoriale do të ishte nga 80-100 njësi vendore, ose 7-8 njësi për qark. Hartën e re me 61 njësi vendore, Shoqata e Komunave e cilëson si një gjysmë-hap drejt ndarjes së arsyeshme territoriale, por ajo paralajmëron, se nëse mbetet kështu, si çdo reformë gjysmake, do të ishte edhe më e dëmshme. Për këtë arsye, në 4 pikat që shoqata i sugjeron qeverisë është rritja e numrit të bashkive deri në 100, shmangia e konfigurimeve politike, gjetja e rrugës për të bashkëpunuar në çdo moment, si dhe hartimi me urgjencë i legjislacionit për decentralizimin e pushtetit lokal në funk- sion të njësive të reja vendore.

Dhe Shoqata e Qarqeve është shprehur kundër miratimit të hartës territoriale. Zërave kundër i janë bashkuar dje dhe banorët e Dukagjinit të cilët kanë hartuar një peticion ku kërkojnë që të përfshihen në hartën e re të ndarjes territoriale, si njësi më vetë. Po ashtu dhe tri komuna në Kukës të cilët kanë statusin e “Pakicave Kulturore”, të Gorës kërkojnë që të ndahen si një njësi e veçantë vendore dhe jo ashtu siç është paralajmëruar, duke i bashkuar ato me komunat e tjera të rrethit të Kukësit, në një bashki të madhe. Njëri nga drejtuesit e këtyre komunave, Dilaman Nela thotë se ndarja e re duhet që të marrë parasysh kulturën, traditat, gjuhën e banorëve të zonave respektive duke qenë se 50% e banorëve flasin gjuhë sllave. Komunat Shishtavec, Zapod dhe Topojan janë rajone kufitare që lidhen me Kosovën dhe Maqedoninë.

Reagon Athina: Mos hapni çështje të reja

Ndarja e re territoriale dhe kryesisht njësitë e reja të krijuara në jug të vendit kanë sjellë reagim e Athinës zyrtare. Vetë ministri i Jashtëm grek, Evangjelos Venizelos, i telefonoi homologut të tij shqiptar, Ditmir Bushati. Sipas komunikatës për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, kryediplomati grek i ka theksuar Bushatit gjatë kësaj bisede telefonike, se çështja e ndarjes territoriale në Shqipëri dhe reagimet e komunitetit grek atje përbëjnë një çështje delikate dhe tepër të ndjeshme për Athinën zyrtare. Në vazhdim, ai i kujtoi homologut shqiptar se mes dy vendeve ka një sërë temash të hapura, zgjidhja e të cilave duhet të përparojë, pa qenë nevoja e shtimit të çështjeve të tjera në marrëdhëniet ndërmjet fqinjëve.

Venizelos i ka kujtuar homologut se tani që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, do të duhet që vendi ynë të plotësojë një sërë detyrash, ku e drejta evropiane duhet të mbizotërojë. Ndërkohë që burimet nga Ministria e Jashtme sqarojnë se në përgjigje të këtyre ministri Bushati i’u përgjigj se kjo është një çështje e brendshme. Sa i takon Himarës që duket se është shqetësimi kryesor i grekëve, Bushati ka pohuar se reforma territoriale siguron funksionalitetin dhe se për hartimin e saj janë marrë në konsideratë sugjerimet e grupeve të interesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat