Studioja e Argita Berishës u bë porta kryesore e investitorëve të huaj (Video)

Shqipëria

Studioja e Argita Berishës u bë porta kryesore e investitorëve të huaj (Video)

Më: 16 korrik 2014 Në ora: 23:04

Nga negociatat komplekse mbi projekte energjetike prej më shumë se një miliard dollarësh te mosmarrëveshjet mes fqinjëve, juristët Malltezi & Kola qenë zyra ku duhej të drejtoheshe – nëse kishe para për t’i paguar.
Pak muaj pasi Sali Berisha u zgjodh kryeministër i Shqipërisë më 2005, vajza e tij Argita Malltezi u kthye në shtëpi nga Prishtina duke lënë pas një punë të mirëpaguar në Misionin e OKB-së në Kosovë, UNMIK, për të hapur një kompani ligjore në kryeqytetin Tiranë.
Duke krijuar një skuadër me një nga miqtë e saj dhe bashkëpunëtorët në UNMIK, Flutura Kola, ato ndërtuan tri kompani ligjore – Malltezi & Kola, Kola & Associates dhe Malltezi & Associates – duke ndarë zyrën dhe një listë në rritje klientësh fitimprurës.
Brenda pak muajsh, ata u bënë avokatët ku shkonin multinacionalet që kërkonin të investonin në ekonominë në rritje të Shqipërisë.
Por ish klientë pretendojnë se ata punësuan Malltezin për lidhjet familjare dhe për të shmangur shantazhime të mundshme, jo thjesht për aftësitë e saj ligjore.
Malltezi i mohon të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se ajo kurrë nuk e përdori pozicionin e babait të saj për të përparuar në karrierën e vet.
Sipas dokumenteve të siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, njëra nga llogaritë e biznesit të Flutura Kolës për Kola & Associates, u kreditua me 350 mijë euro brenda vetëm dhjetë muajve në 2008. Ajo fitoi 250 mijë euro të tjera nga kontrata të tjera biznesi përmes një llogarie tjetër personale brenda tri viteve.
Shumë prej bizneseve morën leje dhe licenca nga qeveria, shpesh me firmën personale të Berishës, pasi patën punësuar Malltezi & Kola, megjithëse BIRN nuk ka prova që të tregojnë se lidhjet familjare të Malltezit patën ndonjë rol në këto vendime.
Dokumentet bankare u sekuestruan si pjesë e një hetimi për pastrim parash mbi mikun kontrovers të Berishës,biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç. Akuzat kundër tij u rrëzuan dhe Fazlliç vazhdon të deklarohet i pafajshëm.
Por një dosje me dokumente zbulon, për herë të parë, listën e gjatë të klientëve të profilit të lartë të Malltezit dhe Kolës dhe ka gjasa që ajo reflekton vetëm një pjesë të vogël të biznesit të tyre për shkak se vetëm dokumentet e Flutura Kolës dhe Kola & Associates u sekuestruan.
Nuk pati mbledhje të dokumenteve të lidhura me Malltezin, Malltezi & Kola dhe Malltezi & Associates, për shkak se një burim pranë hetimit i tha BIRN se prokurorët kishin frikë të shënjestronin vetë vajzën e kryeministrit./Shqiptarja/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat