Nuland takon Nishanin, Metën dhe Bashën

Shqipëria

Nuland takon Nishanin, Metën dhe Bashën

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 17:03

Zyrtarja amerikane Victoria Nuland mbërriti sot në Shqipëri, për një vizitë të shkurtër, një ditore. Takimin e parë zonja Nuland e ka zhvilluar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani, më pas takimi ka vijuar me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, për tu ndalur me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Takimi me kryeministrin është lënë për në fund të takimeve. Ende nuk është bërë publike se çfarë është biseduar më konkretisht gjatë takimeve me liderët e vendit, por qëllimi i vizitës së zonjës Nuland në Shqipëri ka në fokus çështje të ndryshme dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë dhe integrimin euro-atlantik të vendit tonë në Bashkimin Europian.
Vizita e saj në vendin tonë vjen në kuadër të një turi disa ditor në Ballkan e më gjerë. Nuland do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në 13 korrik, ku do të diskutojë për dialogun mes dy vendeve dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Ndalesa e parë ishte dje në Kroaci ku mori pjesë në Forumin e 9-të vjetorit të Kroacisë, ku mbajti një fjalim edhe mbi Ballkanin perëndimor. Në kuadër të takimeve, përfshihen vizita në Maqedoni, Serbi, Belgjikë dhe Britaninë e Madhe.
Në 14 korrik, Nuland do të udhëtojë drejt Shkupit, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të qeveritarë dhe krerët e partive. Zyrtarja e DASH, Nuland më pas do të vijojë vizitën në Londër, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të qeverisë britanike ku do të diskutojë për çështjet globale dhe përgatitjet për Samitin e NATO, për ngjarjet e fundit në Ukrainë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat