Droga, PS dhe LSI, komision hetimor për akuzat e PD-së

Shqipëria

Droga, PS dhe LSI, komision hetimor për akuzat e PD-së

Më: 20 prill 2014 Në ora: 08:43

Akuzave të shumta të hedhura nga opozita për implikimin e ushtrisë në trafikun e drogës, mazhoranca iu përgjigj dje me ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor. Dje, PS dhe LSI depozituan në Kuvend kërkesën për ngritjen e këtij komisioni, i cili në objekt të tij do të ketë hetimin e akuzave të PD-së mbi veprimtarinë e Forcave të Armatosura, duke i kërkuar në këtë mënyrë PD-së provat që ajo disponon në lidhje me trafikun e drogës. “Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimin e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për veprimtari kriminale”, thuhet në projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor. Përveç kallëzimit penal në organin e Prokurorisë nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli për këto akuza, duket se edhe komisioni hetimor kërkon t`u japë fund akuzave të opozitës në lidhje me fluturimin e avionëve në Divjakë dhe në Gjadër apo dhe përdorimit të ushtrisë për transport droge. Këto akuza do të verifikohen nga Komisioni hetimor, i cili do të drejtohet nga deputetët të mazhorancës dhe do të ketë në përbërjen e tij nëntë anëtarë (pesë nga mazhoranca dhe katër nga opozita). Afati kohor i veprimtarisë së këtij komisioni do të jetë një muaj.

Deklarata

Lajmin për ngritjen e këtij komisioni e bëri të ditur nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili sqaroi dje se, nëpërmjet ngritjes së këtij komisioni, kërkohet edhe informimi i opinionit publik, për vërtetësinë ose pavërtetësinë e këtyre akuzave. Kërkohet të informohet opinioni publik për angazhimin që ka marrë përsipër Qeveria shqiptare, për të identifikuar dhe parandaluar çdo shfaqje dhe veprim korruptiv me pronat dhe infrastrukturën e Forcave të Armatosura si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, me qëllim rikthimin e dinjitetit të munguar dhe vendit që i takon Forcave Armatosura. “Ky Komision Hetimor Parlamentar do të kërkojë administrimin e provave dhe fakteve, mbi të cilat këta përfaqësues të lartë politikë kanë mbështetur akuzat e tyre kundrejt Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për vënien në dispozicion të disa bazave ushtarake dhe të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale “transport i lëndëve narkotike”. Këto akuza, nëse nuk mbështeten në prova dhe në fakte, dëmtojnë rëndë imazhin dhe perceptimin publik në lidhje me Forcat e Armatosura, si brenda vendit ashtu dhe në arenën ndërkombëtare”, tha Balla.

PD përforcon akuzat

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Demokratike, ku, gjatë ditës së djeshme, kjo parti përforcoi akuzat e saj ndaj qeverisë për përdorimin e infrastrukturës ushtarake për trafik droge. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e PD, Silvi Bardhi iu referua lajmit të publikuar në një të përditshme shqiptare, që sipas saj konfirmon akuzat. “Gazetari i “Rilindja Demokratike” ka zbuluar mekanizmin e shpërndarjes së drogës me avionë në bazat ushtarake. Në shkrimin e tij, ai ka lënë shënim se do të vijojë në numrin e nesërm. Ky lajm ka prishur terezinë e shefave politikë të trafikantëve dhe gazetarit i është dërguar një mesazh kërcënues në celular, nga interneti për të fshehur gjurmët”, tha Bardhi. Ajo deklaroi se qeveria dhe kryeministri në veçanti duhet të përgjigjen për këtë çështje. “PD i kërkon kryeministrit të marrë masa dhe mbështet gazetarët në këto ditë të vështira. Këto trafiqe nuk mund të bëhen pa bekimin e kryeministrit dhe ministrave të tij”, shtoi përfaqësuesja e partisë opozitare.

Vendimi për ngritjen e komisionit hetimor

1. Ngrihet Komisioni hetimor parlamentar për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për hetimin “Verifikimin e akuzave të artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politikë kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale “transport i lëndëve narkotike”.

2. Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij zbardhjen e plotë të motiveve dhe arsyeve, verifikimi e plotë të fakteve dhe të provave që provojnë ose përgënjeshtrojnë akuzat e artikuluara publikisht nga përfaqësues të lartë politik kundrejt Forcave të Armatosura për vënien në dispozicion të infrastrukturës së Ushtrisë për veprimtari kriminale “transport i lëndës narkotike”.

3. Komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë, pesë nga shumica parlamentare dhe katër nga opozita. Kryesia e komisionatë nenit 3 të ligjit nr.8891 datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit, i takon grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Emrat e anëtarëve të tij përcaktohen me vendim të Kuvendit.

4. Komision e ushtron veprimtarinë e tij në një afat një mujor, nga data e miratimit të tij.

Akuzat e opozitës për drogën

Sali Berisha: Në lidhje me aeroplanin me drogë në Gjadër, Shërbimi informativ i Ushtrisë dhe shërbime të tjera ushtarake, sipas burimeve të FA-së, kanë informuar me kohë të ashtuquajturën gënjeshtër të së përbetuarës, por kjo është diçka që po ndodh. Doni prova, aeroplanin shkoni gjejeni ju. Ju transportoni me të.

Arben Imami: Forcat e Armatosura kanë kryer misione të suksesshme. Akuzat për përdorimin e infrastrukturës së ushtrisë janë të bazuara në fakte, mos bëni presion mbi Prokurorinë as Kryeministri dhe as ju. Përgjigjuni a keni informacion se infrastruktura e Ushtrisë është përdorur në trafikun e drogës. Policia ka informacion për uljet e avionëve në Gjirokastër, Divjakë dhe Gjadër

Arben Ristani: Segmente të rëndësishme të shtetit dhe anëtarët e qeverisë janë përfshirë në këtë trafik, duke e kthyer edhe një herë vendin tonë në listën e zezë të drogës. Droga e kapur dje në Itali, si një medalje e re në gjoksin e Tahirit, konfirmon gjithashtu mashtrimin me shifrat qeveritare dhe të vërtetën e përkeqësimit të treguesve të rendit dhe lëshimit skandaloz të punës nga drejtuesit e policisë.

Flamur Noka: Përfshirja e ushtrisë tonë në trafik droge, është dëmtimi më i madh që mund t’i bëhet imazhit të vendit tonë, është shkatërrim i rolit dhe i përgjegjësive që kemi si anëtar të NATO-s. Ministrja duhet të japë llogari për këto të dhëna tronditëse, dhe përgjegjësitë e saj dhe të kryeministrit, për këtë aferë që e njollosin Shqipërinë, anëtare të NATO-s me turpet e një republikë të dështuar të trafikut të drogës.

Jozefina Topalli: Rilindja” hap korridoret rrugore, detare dhe ajrore për bosët e drogës! Me paratë e saj do blejnë përsëri votat! Transporti i sasive kaq marramendëse të trafikut të drogës bëhet e mundur vetëm kur qeveria hap korridoret rrugore, portuale dhe ajrore për të. Në Kolumbi nuk është qeveria, por janë bandat që bëjnë luftë për drogën! Në Shqipëri rrezikohet të shkohet me keq. Vetëm shqiptarët mund ta ndalin ! Dhe vetëm me revoltë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat