Politika përgjysëm edhe në Kukës, Basha: S’kisha ftesë

Shqipëria

Politika përgjysëm edhe në Kukës, Basha: S’kisha ftesë

Më: 17 prill 2014 Në ora: 11:20

Përkujtimi i 15-vjetorit të eksodit të luftës së Kosovës në qytetin e Kukësit ka mbledhur përfaqësuesit e shqiptarëve nga të gjitha trevat, por jo gjithë politikanët e Shqipërisë. Edhe një herë politika brenda kufijve të Shqipërisë nuk ka mundur dot të shkëputet nga debati i përditshëm; dhe në këtë ditë ku është kujtuar një nga përpjekjet më të mëdha të shqiptarëve, siç ishte ajo për të përballuar pasojat e luftës së Kosovës, ajo është shfaqur e ndarë. Në takimin përkujtimor të Kukësit kanë marrë pjesë politikanë pa dallime partiake të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, mazhoranca qeverisëse e Shqipërisë, por jo opozita e djathtë. Dje kreu i saj, Basha, i pyetur për këtë mungesë tha se nuk kishte ftesë. Ai bëri të ditur se organizatorët e kësaj ceremonie përkujtimore, pra qeveria shqiptare, nuk i ka nisur atij ftesë zyrtare për të marrë pjesë në të. Më tej ai do të shtonte se po të kishte ftesë, do të shqyrtonte praninë e tij në këtë aktivitet edhe në raport me atë se cili do të ishte roli i tij në të. “Ndonëse mund ta kenë dërguar sot në mëngjes, megjithëse po spekuloj edhe për këtë, deri në këtë moment që po më pyesni ju, nuk ka pasur asnjë ftesë për këtë aktivitet. Natyrisht, po të kisha ftesë do ta shqyrtoja në raport me për çfarë do të isha ftuar dhe me angazhimet e mia të tjera. Por është rasti i dytë që ftesa bëhet sa për të larë gojën, siç ishte rasti i Vlorës”, – shtoi Basha. Këtë pretendim e ka hedhur poshtë qeveria, e cila nëpërmjet një sqarimi ka pohuar të kundërtën. Sipas saj, opozita ka qenë e ftuar për të marrë pjesë. “Është për të ardhur keq që në një ditë përkujtimore kaq të rëndësishme flitet për detaje protokollare të paqena. E vërteta është se opozita është ftuar në takimin e Kukësit, nominalisht, ashtu siç janë ftuar në aktivitete edhe të gjithë deputetët e Kuvendit, përfshirë deputetët e opozitës”, – thuhej në reagimin e qeverisë. Menjëherë pas këtij reagimi ka ardhur një kundërreagim tjetër i selisë blu, e cila konfirmoi në mënyrë përfundimtare se në drejtim të kryetarit të opozitës nuk ka patur asnjë ftesë. Ndërkohë që duket se të dyja palët luajnë me fjalët, duke qenë se të dyja në qëndrimet e tyre kanë pjesë të së vërtetës, por jo të gjithë të vërtetën. Kështu, të pyetur nga gazeta, deputetët e opozitës kanë konfirmuar se megjithëse me vonesë, atyre u ka ardhur ftesa në kutinë postare të tyre në Kuvendin e Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, ata kanë gjykuar që të mos jenë të pranishëm në këtë aktivitet të organizuar nga qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës. Ndërkohë që gazeta ka pyetur në telefon edhe Protokollin e qeverisë nëse i ishte dërguar apo jo ftesë kryetarit të opozitës, pyetje që nuk mori një përgjigje të saktë, pasi drejtuesit e Protokollit në Kryeministri i janë shmangur dhënies së një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, duke u shprehur se “nuk jemi në gjendje të japim një përgjigje të saktë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat