PD: Zhdukja e dosjeve, Naço sajon histori të mbulojë skandalet

Shqipëria

PD: Zhdukja e dosjeve, Naço sajon histori të mbulojë skandalet

Më: 16 prill 2014 Në ora: 16:17

PD deklaroi sot se Qeveria po sajon histori të pavërteta për të mbuluar skandalet e saj dhe dështimin e Ministrit të Drejtësisë për të proceduar gjyqtarët brenda afatit.
Një “fabulë” e ka konsideruar, Koordinatorja për mediat e PD-së Silvi Bardhi deklaratën e Ministrisë së Drejtësisë për zhdukjen e 3 dosjeve nga protokolli i administratës paraardhëse. Ajo tha se dosje të tilla mbahen nga inspektorët.

Deklarata e plotë e Silvi Bardhit
Ministria e Drejtësisë po bën një përpjekje për të larguar vëmendjen nga dështimet qeveritare dhe nga skandalet që kanë mbërthyer ekzekutivin, duke sajuar një fabul me humbje dosjesh.
Ministri i Drejtësisë mund të jetë duke kërkuar pretekste për plojën e re në administratë, për të hequr edhe profesionistët e fundit që kanë mbetur e për ti zëvendësuar me militantët e partisë, por kjo nuk e fsheh dot të vërtetën.

Dhe e vërteta është kjo;
Asnjë dosje nuk ka humbur në Ministrinë e Drejtësisë. Origjinalet e dosjeve janë në KLD, kopjet dhe raportet elektronike janë në kompjuterët e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë thotë se do të hetojë administratën për zhdukjes se 3 dosjeve nga protokolli.
Gjithë kjo histori është një gënjeshtër.
Gatë vitit 2013, nga KLD janë dërguar 15 kopje dosjesh (origjinalet i mban KLD) dhe të gjitha janë vënë në lëvizje nga administrata.

Asnjë letër nuk ka humbur në Ministri, dhe aq me pak dosje. Dosjet e inspektimit mbahen nga inspektoret dhe nuk mbahen në protokoll. Në protokoll kalojnë vetëm memo dhe raportet e hartuara mbahen ne mënyrë elektronike nga inspektorët bashkë me dosjet. Por edhe këto dosje janë fotokopje sepse origjinalet e tyre i mban Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sic i disponon dhe sot.
Në muajin tetor 2013 KLD e ka informuar zyrtarisht ministrin për ecurinë e afatit dhe për vonesën në përgjigje. Vetë Ministria e Drejtësisë zyrtarisht në muajin nëntor 2013 e pranon se i ka të gjitha dosjet dhe informon KLD se është duke punuar me këto dosje.
Po e vërteta është se kjo mbetet thjesht një përpjekje e dëshpëruar për të larguar vëmendjen nga skandalet e fundit qeveritare dhe dështimi i Ministrit për të kërkuar procedimin e gjyqtarëve brenda afatit ligjor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat