“Ushtarakët grabitës” shfaqen sërish, grabisin kompleksin në ‘Misto Mame”

Shqipëria

“Ushtarakët grabitës” shfaqen sërish, grabisin kompleksin në ‘Misto Mame”

Më: 15 prill 2014 Në ora: 08:23

Nën kamuflimin e veshjeve ushtarake kanë arritur që të grabisin një pikë bastesh në zonën e “Misto Mames”, ndërsa kanë braktisur makinën e tipit “Opel” dhe i kanë vënë flakën për të humbur gjurmët. Ngjarja ndodhi dje paradite, ku mësohet se një sasi prej afro 10 mijë eurosh është marrë nën dhunë dhe nën kërcënimin e armës nga katër autorët e paidentifikuar. Me maska në kokë, mësohet se dy prej grabitësve janë futur brenda në ambienteve dhe duke i drejtuar armën punonjësit, i kanë kërkuar që t’i jepen të gjithë lekët. Ndërsa grabitësi tjetër mësohet se ka qëndruar tek dera, duke mbikëqyrur për lëvizje të dyshimta. Sapo kanë arritur të marrin lekët, hajdutët janë larguar me makinë, e cila është gjetur e djegur në zonën e Kasharit. Nga flakët janë shkatërruar edhe gjurmët e gishtave, të cilët mund të lehtësonin punën e policisë për të identifikuar autorët. Ndërsa vetë punonjësi ka dhënë përshkrimin e grabitësve, të cilët ishin të gjatë, të bëshëm dhe të maskuar me veshje ushtarake. Ata mbanin në duar armë zjarri dhe në kokë kishin vënë kapuça të errët, të cilët e bënin të pamundur dallimin apo fiksimin e tipareve të fytyrës. Nga ana e uniformave blu, të cilët janë paraqitur në vendin e ngjarjes, ka nisur puna për gjetjen e provave dhe elementëve që do të çojnë në zbulimin e katër “ushtarakëve”. Janë sekuestruar kamerat e sigurisë së kompleksit të cilat mendohet se kanë fiksuar momentin kur grabitësit janë futur në lokal, si dhe lëvizjet që ata kanë bërë. Vetëm pak muaj më parë janë shënuar tri episode të tilla, kur grabitësit në kamuflazhin e policisë ose ushtrisë kanë arritur të kryejnë vjedhje të ndryshme. Më datë 1 mars u grabit pika koncensionare e “Mercedes Benz” në autostradën Tiranë-Vorë. Nga të dhënat e para mësohet se grabitja me mjete të forta është kryer nga dy persona të maskuar me veshje ushtarake, të cilët më pas janë larguar me motor. Ndërkohë një skemë e ngjashme është përsëritur në Durrës, ku pre e maskave kanë rënë kampistët. Një makinë me fenelinë policie dhe targa angleze është afruar në vendin ku ishin pozicionuar kampistët. Nga automjeti kanë zbritur tre persona të armatosur, të maskuar si forcat komando dhe me veshje antiplumb. Ata ishin të pajisur me armë të tipit kallashnikov dhe shkopinj bejsbolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat