Grida Duma si produkt

Shqipëria

Grida Duma si produkt

Më: 15 prill 2014 Në ora: 01:09

Doktoresha e shkencave sociale, ish-zëvendësministrja e Integrimit e qeverisë demokratike, Grida Duma, sot është një nga figurat më të spikatura të elitës intelektuale në Shqipërinë tonë. Nuk teprohet po të thuash me plot gojën: “Fenomeni Grida”. Gjatë vitit 2013, sidomos gjatë fushatës elektorale dhe gjysmës së dytë të tij, ajo shpërtheu një energji intelektuale të panjohur, gati vullkanike, duke pushtuar arenën e diskursit publik. Brenda kësaj kohe të shkurtër, me mendimin e saj diamant, retorikën elegante dhe qartësinë e situatave, ajo bëri për vete shumicën e qytetarëve shqiptarë, pavarësisht ngjyrave politike. Për aq vite të jetës sime në të dy sistemet, të mjaftueshme për vëzhgime të kësaj natyre, unë do ta krahasoja popullaritetin e saj me atë të Lulzim Bashës në krye të KOOP-it.
Grida Duma është një fenomen, por është edhe një produkt. Është produkt i zhvillimeve demokratike, standardit e stadit të kulturës demokratike të shqiptarëve. Është produkt i filozofisë, vizioneve dhe interesave të së djathtës shqiptare. Por është produkt edhe i politikave gjinore dhe rinovuese të Partisë Demokratike. PD ka tërhequr në përbërjen dhe drejtimin e saj zonja nga më potencialet dhe më të spikaturat. Sa për të përmendur ndonjë: Majlinda Bregu, Jorida Tabaku, Mesila Doda etj., dhe pa dyshim, zonja Grida. Intelektualët, veçanërisht intelektualet femra, kanë nevojë për tribunën e mendimit. Duke e bërë zëvendësministre të Integrimit, PD ia dha këtë tribunë zonjës Grida dhe ajo e përdori me efikasitet të dyfishtë: të detyrës si dhe të shpalosjes së ideve të saj, për t’i peshuar ato në balancën e një diskutimi të arsyeshëm.
Grida Duma u shfaq para publikut si pjesë, si një mes tyre, si një zëdhënëse e guximshme dhe e kthjellët e PD-së dhe e së djathtës shqiptare, për të konverguar idetë, mendimin dhe veprimet e saj në një filozofi, vizion dhe veprimtari të formatit të së djathtës moderne europiane. Si fituese e dy çmimeve të para, folësja dhe debatuesja më e mirë, së bashku me publikimet në periodikun e Universitetit të Evropës Qendrore të Budapestit në Forumin e Përvitshëm për Edukimin Civil të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, ajo i dha gjallëri dhe besueshmëri debatit publik të mediave tona, në një kohë marrëzie analistësh të konsumuar, të cilët përpiqen ta mbulojnë opinionin me cergën e përhimtë dhe ngjitëse të propagandës ideologjike; kur diskursi publik sot është qëndrimi shpirtëror i inteligjencës shërbyese ndaj padronëve dhe rrogapaguesve, duke përfshirë dhe interesat personale jo meritokratike, e cila flet e shkruan shkel e shko, në një mënyrë jo bindëse dhe pa ndjerë përgjegjësi para publikut. Shikojmë që diskursi politik i palëve, sidomos asaj në pushtet, po kalcifikohet me të shpejtë në zhargon, çfarë u intensifikua gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ky nuk është më aq diskurs që kërkon të komunikojë, sesa një ritual që synon të konfirmojë raportet e forcës brenda pushtetit dhe rolin katalitik të liderit, brenda këtyre raporteve. Dukuria bëhet interesante në atë masë që eksponentë të partive dhe ekzekutivit adoptojnë manierizmat, retorikën, metaforat dhe senjaletikën e përdorur nga liderët, veçanërisht në daljet në publik. Çka në rrethana të tjera do të mund të interpretohej si një megalomani diskursive e një individi, tani është adoptuar, pothuajse zyrtarisht, si manual stili i ligjërimit politik të liderit. Ndërsa Grida është një nga ato që po merr përsipër si detyrë të përfytyrojë shoqërinë intelektuale shqiptare në kapërcyellin e tranzicionit të vështirë e të zgjatur.
Një eveniment për politologen Grida është promovimi para një audience të gjerë të librit “12 teza liberale të zhvillimit përtej 2013-ës”. Për mua kuintisenca e këtyre 12 tezave ose ndryshe teza kryesore midis të dymbëdhjetave, është “E majta mund t'i realizojë objektivat vetëm me filozofi të së djathtës”. Një tjetër eveniment intelektual ishte kumtesa mbi etatizmin, e mbajtur në Forumin Ekonomik të Tiranës, i organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike, ku theksohet se: Politikat socialiste janë një kërcënim i përhershëm ndaj lirisë dhe sigurisë së qytetarëve, ndaj asnjë qeveri nuk duhet t’i vërë në përdorim ato. Nëse njerëzit bien pre e një qeverie të fortë, atëherë përveç çezarizmit s’do të marrin në këmbim asgjë tjetër. Socializmi në pushtet s’bën gjë tjetër veçse fshin nga fasadat e ndërtesave publike tri fjalët e republikanizmit: Lirinë, sepse socializmi është sundimi i tiranisë dhe i policisë; Barazinë, sepse socializmi është sundimi i një klase të vetme; Vëllazërinë, sepse politika e socializmit është politika e luftës së klasave.
Përsa i përket bashkëpunimit pozitë-opozitë, Grida shprehet: Kërkesa e komisionerit Fyle ndaj mazhorancës për bashkëpunim me opozitën është e vetëkuptueshme. Asnjë reformë reale nuk mund të kryhet pa pjesëmarrjen e opozitës. Nuk di edhe sa kohë shqiptarët do të ndeshen me të njëjtin demon, ku problemi i shqiptarit është vetë ai, ndërsa kërkohet konsensusi për çështje jetike të historisë së vendit. Fatkeqësisht sot vendin po e qeveris pikërisht ajo forcë dhe ajo frymë politike që saboton statusin e vendit kandidat në mënyrë historike. Nuk mund që kjo forcë politike të prodhojë sukses në axhendën e integrimit, nuk e ka pasur kurrë në qëllimet e saj. Nuk mund që kjo forcë politike t’i përgjigjet asaj që është më e rëndësishmja për vendin, kur nga mosplotësimi i oreksit për çështjen e Fierit, për shembull, la peng Brukselin dhe Europën për shqiptarët; harrojeni që këta njerëz u bënë të tjerë nga 23 qershori. Në këtë frymë dhe qëllim të brendshëm gjendet mungesa e vullnetit të kësaj qeverie për t’u konsultuar realisht. Nuk ka reforma reale me këtë konfrontim me opozitën, këtë të vërtetë Brukseli e njeh mirë, ndaj e thekson gjithmonë e më shumë si kalim i vijës së kuqe. Opozita nuk e ka këtë problem; puna e saj është të bëjë oponencë dhe monitorojë qeverinë.
Gjatë vitit 2013, në emisionet e hapura në radio dhe televizion, anketimet dhe sondazhet nëpër gazetat online, krahas liderëve të dy partive të mëdha, emrave të sportistëve vendas, yjeve të filmit, këngës e estradës, emri i Gridës kryesonte në propozimet e qytetarëve për zgjedhjen si personaliteti i vitit 2013. Por unë nuk pajtohem (as nuk e përjashtoj) me atë që thonë disa se Grida Duma, me ëmbëlsinë e saj, ka bërë për vete këdo. Dhe as me ngjashmërinë deri në sozinë e ndonjë aktoreje sygjelbër të Hollivudit. Nuk mohoj sharmin e Gridës, portretin piktoresk të saj, finesën dhe elegancën në veshje, por këto janë fare pak në krahasim me pasurinë intelektuale, që ajo i vë në dispozicion publikut shqiptar. Për mendimin tim Grida është bërë e tillë, sepse është ndryshe nga brigada e analistëve, opinionistëve dhe agjitatorëve manipulues të opinionit publik. Tashmë ajo është bërë beniamini i tribunave intelektuale. Nëse e lëmë anash patetikën e tillë, për sociologët, shpjegimi i “Fenomenit Grida”, është një sfidë e fuqishme profesionale, politike dhe shoqërore. Prirja publike duket se është një prirje e brendshme e saj. “Çdo shtet që i shndërron qytetarët e tij në xhuxhmaxhuxhë, në mënyrë që ata t’i binden atij më lehtë, qoftë edhe për të arritur qëllimet më të mira, herët a vonë do ta kuptojë se me njerëz të vegjël kurrë nuk do të mund të bëhen vepra të mëdha”. Ne e kemi modelin të gjallë nga diktatura: Të varfrit jetonin vetëm në sajë të punës dhe për punën.
Grida e shpreh hapur e me krenari se është pjesë e së djathtës dhe synon lidershipin e PD-së, pasi e ka të qartë se liria e secilit është pjesë e vlerës së tij. Pasi mbushi limitet e lejuara në Facebook, ajo hapi një faqe, ku deri tani ka mbi 35 000 simpatizantë. Pas çdo shfaqjeje në media, publikimet e saj pasohen me qindra komente, si asnjë tjetër. Rreth 90% shprehin entuziazmin e tyre për të dhe e urojnë të jetë pjesë e lidershipit të PD-së. Natyrisht pa kundërshtarë njeriu do të ishte i paplotë. Nervozizmi dhe shpërthimi i kundërshtarëve potencialë është përpjesëtimor me kuotat potenciale të saj. Qarqet ziliqare, që, me ngjasme i qajnë hallin Gridës për qenien e saj në krah të Berishës e Bashës dhe thirrjet me ngjasme të krijojë një parti të re, rreken ta largojnë atë prej PD, e cila e ka pjesë nga më inkadeshentet të thesarit intelektual. Kjo është shenjë xhelozie dhe asgjë më tepër. Ndërsa, përsa u përket disa komentarëve, siç i quan një botues nervoz, “llapaqenë anonimë të forumeve”, ata janë akoma pjesë e kulturës sonë. Por sidoqoftë, intelektualë të tillë, pavarësisht subjektit ku militojnë, janë thesar i shoqërisë dhe i kombit. Një personalitet i së djathtës, me ide dhe vizione të qarta për të ardhmen është ndihmesë edhe për të majtën, ashtu sikundër dekomunistizimi i së majtës dhe një lider progresist i saj bën shoqërinë më demokratike dhe shinat ecin paralele në zhvillimet drejt së ardhmes. Për intelektualin nuk ka rëndësi pikënisja, por pikëmbërritja. Sidoqoftë zonja Grida Duma mbetet një profesoreshë e jashtëzakonshme midis profesorëve të zakonshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat